Pjesa e Pashijshme e Politikës!

Shumicës së fëmijëve kosovar, besa edhe atyre që tashmë janë rritur, u kujtohet pjesa më e shijshme e bukës, aty ku ajo është lyer me argetën – pashtetën e cila është shndërruar në ushqim tradicional të shqiptarëve. Edhe në bashkëpunim me natyrën (Vsodelovanje s naravo), fructali, lëngu shumë i konsumuar, është ai që ëmbëlson gjenerata të tëra. Mos të harrojmë edhe që njërin nga burimet kryesore të kalciumit (vir kalcija) e kemi nga Alpsko mleko.

Këto janë vetëm disa nga produktet sllovene që gjenden në tregun Kosovar. Sepse sot edhe komunikimin e zhvillojmë në pjesë të madhe përmes kompanisë sllovene IPKO, kanalet televizive përmes kabllovikut, po ashtu në të shumtën i përcjellim përmes kësaj kompanie. Ka edhe biznese tjera që janë të lidhura me kompanitë sllovene, bankat, sigurimet etj.

Pra kjo është një lidhje shumë e thellë dhe e fortë biznesi në të cilin qarkullojnë shuma të mëdha parash. Edhe pse qarkullimi është i njëkahshëm i parasë kah sllovenia, megjithatë, ato janë biznese të cilat duhet ruajtur, jo vetëm për hirë të tregut të lirë, por edhe për hirë të balansimit të tregut tonë që tashmë është goxha i lidhur me këto biznese. Ende duhet kohë që Kosova të zhvilllojë ekonominë e saj dhe që të ketë qarkullim të dyanshëm të parave.

Në anën tjetër arsye e përhapjes së këtyre bizneseve në Kosovë është edhe nga qëndrimi tradicionalisht përkrahës i politike sllovene ndaj Kosovës në kohën kur Kosova ishte në procesin e vështirë të aneksimit nga ana e Serbisë. Sllovenia tradicionalisht ka mbajtur qëndrim kundërshtues ndaj politikës serbe në Kosovë. Ky qëndrim i Republikës Sllovene është shpërblyer me bizneset e shumta që janë hapur në Kosovën e pasluftës, ku ato kanë kryer biznese mjaft fitimprurëse.

Të gjitha këto sot po rrezikohen. Sot jemi në një furi reagimesh afektive që të gjitha këto lidhje jo vetëm biznesi, por edhe politike tradicionale të rrezikohen. Dje ka pasë edhe sulme në përfaqësi të IPKO-s dhe NLB-së përfaqësi këto sllovene. Krejt kjo për arsye të ndalimit të Ramush Haradinajt në Lubjanë me urdhërarrest të interpolit të lëshuar nga Beogradi.

Po që ky ndalim ka gjetur në befasi të gjitha institucionet e Kosovës dhe ato tashmë janë përpjekur që përmes kontakteve më të larta ta zgjidhin këtë çështje e cila është më shumë pasojë e neglizhencës dhe proceduralitetit banal juridik se sa që është pjesë e ndonjë provikimi të kalkuluar nga ana sllovene.
Me sa dimë deri më tani për këtë çështje është angazhuar edhe presidentja Jahjaga, Kryeministri Mustafa ka kontaktuar kryeministrin slloven, Ministri i Drejtësisë Kuçi ka kontaktuar Ministrin e Drejtësisë të Sllovenisë.

Pra Kosova ka reaguar post festum ndaj kësaj ngjarjeje. Është e vërtetë që ajo ka neglizhuarr deri më tani çështjet në fjalë, dhe arsyetimi se Kosova nuk është pjesë e Interpolit nuk është argument i mjaftueshëm për të arsyetuar mosefikasitetin e institucioneve tona.

Paradoksi tjetër që krijon një terren të përshtatshëm për nxitjen e opinioneve negative është ai i pyetjes më të thjeshtë: si ka mundur të udhëtojë Ramush Haradinaj në Berlin dhe në vendet tjera evropiane e të mos ketë përvoja të ngjashme të ndalimit e kjo t’i ndodhë në një vend të po këtij unioni? Thënë me fjalë të tjera, pse Sllovenia ka lejuar që në listat e saj të gjenden edhe njerëzit që janë ballafaquar me drejtësinë ndërkombëtare në Hage dhe janë shpallur të pafajshëm.

Kjo është një çështje pak më e komplikuar juridike për të cilën ka përgjegje dhe se atë duhet pritur nga sllovenia zyrtare. Edhe rezoluta e Parlamentit të Kosovës që obligon Qeverinë e Kosovës për notë proteste ndaj shtetit të Sllovenisë është dashtë të presë këtë përgjegje zyrtare.
Sa do i papranueshëm të na duket ndalimi i Ramush Haradinajt, deputetit të Parlamentit të Kosovës,  kjo punë do zgjidhje vetëm institucionale dhe procedurale. Ajo është rruga e vetme përmes së cilës zgjidhen çështjet e këtilla si dhe në të cilën do arrihet kah maturimi institucional i shtetit të ri Kosovar.

Krijimi i disponimit antislloven në opinionin tonë është një lojë e pamenduar mirë ose është lojë e menduar për konsumime të brendshme politike partiake që dëmtojnë shtetin në staza afatgjate. Është e vërtetë që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka të drejtë të reagojë dhe në një mënyre edhe të kapitalizojë politikisht ndalimin e liderit të saj, por duhet të jetë shumë e kujdesshme për konsekuencat që mund të ketë ky shpërthim emocional në opinionin Kosovar.

Nga deklaratat e përfaqësuesve të saj shihet se në këtë lojë të brendshme të vogël politike nuk po përfillë rregullat shtetërore – ose së paku në emër të krenarisë dhe dinjitetit shtetërorë, po hyn në moralizime të panevojshme që elektrizojnë qytetrin e Kosovës.

Nga pjesa e shijshme e bukës e fëmijërisë tonë, tanimë përmes këtij veprimi të shtetit Slloven, duhet të mësojmë, me maturimin tonë, edhe pjesën e pashijshme të politikës.