KUMANOVA!

Ngjarja e ditëve të kaluara në Kumanovë, vazhdon të mbetet ende pa përgjigje. Mbetet një ngjarje e mjegullt, e analizat e medieve tona vetëm po e shumëfishojnë hutinë e përgjithshme. Është e vërtetë se në atë ngjarje ka viktima nga të dyja palët, se kanë pësuar civilët dhe se, së fundmi, të arrestuarit po trajtohen në mënyrën më ç’njerëzore të mundshme. Këto gjithmonë krijojnë tendosje emocionale dhe pamundësi të vështrimit të saj nga një aspekt që eventualisht mund të krijojë një qasje të ekuilibruar për të ardhur në një pikë në të cilën zhvendoset perspektiva – kah këndvështrime që drejtpërdrejt kanë të bëjnë me të ardhmen.

Ngjarja në Kumanovë nga ky aspekt duket shumë më intriguese- duke filluar nga ajo që të evitojmë përpjekjet e kota që të përgjigjemi pse dhe si ndodhi? Ose pse kosovarët e rekrutuar nga ish radhët e UÇK-së janë përfshirë në të? Kjo ngjarje, hyn në radhën e atyre që përderisa ka ndodhur, duhet trajtuar si akute.

Për ç‘arsye, më shumë duhet të iniciojë pyetje për shumëçka që lidhet me të ardhmen, jo vetëm të Maqedonisë, e cila tashmë është zhytur në të, por, po ashtu, edhe për vendet e regjionit në përgjithësi, si dhe BE-në. Jo se pyetjet janë më të lehta për të evituar vështirësitë e gjetjes së përgjigjeve. Përkundrazi, pyetjet që i inicion kjo ngjarje janë shumë më të vështira, ngase përbëjnë një kompleks strukturor, në të cilin ndërthuren rrafshet e shumëfishta–ai strategjik, politik, i sigurisë dhe i paqes e cila ende kërcënon me brishtësinë e saj.

Në mungesë të përgjigjeve, e njëherësh pavendosmërisë, ose edhe mungesës së vullnetit që të shtrohen pyetjet komplekse të kësaj natyre, kjo ngjarje ka mbetur e izoluar, në trajtimin më jointeligjent të mundshëm nga pala maqedonase. Mund ta cilësojmë, pa asnjë rezervë, si jointeligjent trajtimin policor që po i bëhet kësaj ngjarjeje në Maqedoni. Ky izolim i ngjarjes, nuk e eviton rrezikun ende latent që të zhvillohet në gjenerator të një krize të padëshirueshme për të dyja palët etnike, asaj shqiptare dhe asaj maqedonase. Ky rrezik mund të evitohet vetëm me një qëndrim shumë më të moderuar të qeverisë maqedonase, e cila deri më tani nuk shfaq ndonjë përkushtim për këtë.

Qëndrimi i qeverisë maqedonase është kryekëput i lidhur mu për këtë kompleks pyetjesh, ai të themi është i përcaktuar nga inicimi sa më i shpejtë i tyre. Jo vetëm, për të hyrë në përleshjet pozitë-opozitë e cila nuk shpie askund, por në trajtimin konsistent të çështjeve që ngrenë pyetjet në fjalë. Statusin dhe trajtimin e shqiptarëve atje, që lidhet krejtësisht me implementimin e pikave të Marrëveshjes së Ohrit, demokratizimin e brendshëm të vendit, lirinë e medies si dhe afirmimin e politikave të hapura ndaj vendeve fqinje.

Qeveria e Gruevskit ende nuk ka treguar as gatishmërinë më të vogël të ballafaqohet me këto sfida për vendin e vet. Ai, deri më tani, nuk ka shkuar më larg sesa të shohë veten në njërën nga skulpturat e shumta të qytetit të tij të projektuar në stilin e klasicizmit diktatorial. Gjë që flet se ai gjendet në një udhëkryq të rëndësishëm-ose të riorientojë komplet politikat e tij (gjë që, tash për tash, duket fare pak e mundshme, ngase ngjarja e Kumanovës tashmë ka ndodhur) ose që të tërhiqet nga ngarkesa e këtyre pyetjeve prej qeverisë dhe të hapë perspektivën për ata të guximshmit që janë në gjendje të ballafaqohen me to.

Dy vendet tjera,të cilat duhet të jenë më aktive në politikat e veta karshi asaj që ka ndodhur ,janë Shqipëria dhe Kosova. Ato janë pandashmërisht të lidhura me zhvillimet në Maqedoni në të cilat është përfshirë popullata shqiptare. Pavarësisht se këto dy vende nuk janë të implikuara, së paku jozyrtarisht, duhet gjithsesi të implikohen post-festum, përmes pyetjeve që lidhen me sigurinë e tyre dhe me strukturat e sigurisë së tyre.

Në këtë pikë këto dy vende nuk kanë dëshmuar ndonjë organizim të duhur. Së paku, në Kosovë, kjo del nga qëndrimet e fundit mes raporteve AKI-Qeveri, e konkretisht në raportin me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës (kështu deklaroi publikisht Ministri i MPB-së). As Shqipëria nuk përjashtohet nga e njëjta praktikë e moskoordinimit. Strukturat shtetërore të të dyja vendeve, kanë reaguar ngjashëm me opinionet e qytetarëve të tyre – të habitur, të papërgatitur dhe pa asnjë ide, jo vetëm për atë se çka po ndodh, për më keq, edhe për atë se si duhet vepruar pasi diçka e tillë ka ndodhur. Të dyja vendet kanë reaguar më shpejt dhe me më efikasitet për ndonjë ngjarje në vendet e largëta si në Haiti apo Nepali sesa për Kumanovën. 

Pyetjeve strategjike, politike, të sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon,me çka lidhet edhe perspektiva integruese e rajonit ne BE, as që u janë qasur me seriozitetin e duhur. Ato si dy shtete fqinje, por edhe të themi shqiptare (Kosovën këtu po e përmendim në kontekstin joformal) në Ballkan, është më se evidente se janë ende larg ndonjë komunikimi të duhur të strukturave politike, e aq më pak atyre të sigurisë (si aspekt neuralgjik për funksionimin stabil të shteteve).

Deklaratat si ajo e Ramës në Konferencën e Sigurisë Rajonale “se Maqedonia nuk mund të synojë NATO-n, ngase Shqipëria do të jetë ajo që do të pengojë atë nëse nuk i përmbahet Marrëveshjes së Ohrit”, ka qenë vetëm edhe një deklaratë skandaloze në radhën e paaftësisë politike të qeverisë shqiptare. Rama në ditët më të vështira, në situatën akute dhe të alarmimit të përgjithshëm të vendeve tjera (Serbia kishte dërguar forcat e xhandarmërisë në kufi, Bullgaria kishte ngritur nivelin e alarmimit të forcave të saj), merrej me fushatën e tërmetit në Tepelenë, ndërkaq, në Sarandë qenka takuar edhe me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme të qeverisë kosovare Thaçin.

Kryeministri kosovar, ndërkaq, as që është denjuar për më shumë, vetëm që të lëshojë deklarata, më pak brengosëse nga ato të grevës në arsimin kosovar. Nuk themi se është dashur që të bëhet ndonjë alarmim lufte, ose që Kosova dhe Shqipëria të futen në ndonjë aventurë të pamatur, por që është dashur në mënyrë të koordinuar të dëshmojnë pjekurinë shtetërore në trajtimin e çështjeve që ngrihen nga pyetjet për të cilat folëm. Është e vërtetë që ta zëmë analizat gjeopolitike tashmë të publikuara nga instancat serioze flasin për konfrontime të mëdha të interesave gjeostrategjike, mes Perëndimit, Rusisë e Turqisë (për këtë flet STRATFOR / Global Intellegence) dhe se vendet si Kosova e Shqipëria përbëjne një faktor minor për to – megjithatë, njëfarë vizioni të qëndrueshëm për zhvillimet në rajon që lidhen me këto vende duhet ta kenë.

Në anën tjetër, të njëjtën e kemi edhe për BE-në dhe interesat e saja afatgjata të integrimit të rajonit në organizmin e saj. Shumë është investuar deri më tani për zhvillimet e duhura të demokratizimit, por me rezultate krejtësisht minore. Së paku, luftërat e para dy decenieve në këtë regjion që asokohe e kishin gjetur të papërgatitur, do duhej të kenë qenë një mësim për atë se si duhet të veprojnë me vendosmëri dhe me efikasitet më të madh në këtë regjion ende jostabil dhe me paqe të brishtë.

Dërgimi i emisarëve specialë që të ndërmjetësojnë në krizën në Maqedoni, me metodat deri më tash joefikase, nuk zgjidhin problemet. Vetëm me politikë më proaktive, ndoshta të asaj të modelit gjerman për integrimin e regjionit, me investime shumë më të mëdha dhe iniciativë vetanake mund eventualisht të arrihen efektet e dëshiruara. Pjekuria evropiane e regjionit nuk do të kishte nevojë për BE-në, vetëm papjekuria politike e tij duhet ta sjellë BE-në këtu.

Pa pretendime t’i japim vetes të drejtën që të japim përgjigjet për ngjarjet në Kumanovë,së paku, kemi të drejtë të presim që të shtrohen pyetjet e duhura.