Interesi personal kundrejt interesit të përgjithshëm

Në një ditë të zakonshme mëngjesi, Hamdiut iu trazua koka nga një orë aty pranë shtratit të tij, e cila ishte teknikisht mjaft e vjetër por mjaftueshëm e përdorshme. Zilja e saj prodhonte një zhurmë e cila jo vetëm Hamdiun, por edhe komshiun e tij Albertin e zgjonte nga gjumi!

Pas agonisë së thellë të gjumit, e cila ishte krijuar si rezultat i pagjumësisë që kishte Hamdiu si pasojë e një konflikti afarist me një person tjetër, i cili kishte huazuar nga ky i pari një shumë të konsiderueshme të mjeteve financiare për t’ia kthyer më vonë, Hamdiu u zgjua me kokën plot tension. Ndërkohë, ky person afarist, që quhet Ismet, është ballafaquar me stagnim në biznesin e tij, dhe si rezultat, nuk ka arritur t’ia kthej të hollat Hamdiut në kohën që ishin pajtuar. 

Hamdiu dhe Ismeti kishin pasur një të kaluar mjaft të sinqertë dhe produktiv biznesi. Por ja që, një ditë prej ditësh, Ismetit iu ndërlikua situata financiare dhe kështu u rëndua mjaft shumë situata me biznesin i tij, biznes i cili, deri më tash, kishte qenë jashtëzakonisht i suksesshëm.

Hamdiu u zgjua nga gjumi i rraskapitur. Ka disa ditë që është duke u përballur me një rraskapitje të thellë. Ndonëse, Ismetit i kishte besuar që do t’ia kthente të hollat. Në pamundësi për t’i gjetur zgjidhje problemit të tij, duke pasur parasysh që me ato të holla që ja kishte dhënë hua Ismetit, kishte planifikuar t’i investonte në zgjerimin e parcelave të tokës për të shtrirë prodhimtarinë e domateve dhe njëkohësisht kishte planifikuar blerjen e teknologjisë për të shtuar prodhimtarinë, Hamdiu i hamendur filloi të pëshpëritë me vetën, kokulur, para pasqyrës, që ishte e vendosur përball shtratit të tij. “Kështu e ka kjo punë, kur nuk ke shtet?!” Hamdiut sigurisht që i shkonte mendja tek pamundësia për t’a pasur pranë sistemin gjyqësor në mënyrë që të arrij t’i marr ato të holla.

Ky tregim imagjinar ka si qëllim që t’i ofroj lexuesit elaborim se përse është i nevojshëm shteti funksional. Pra, përkundër që ne personalisht apo familjet tona mund t’i kemi financiarisht punët mirë, në momentin që kemi sistem gjyqësor jo-funksional, burokraci të thekuar administrative, dekurajim për të ndjekur ambicie që kanë synim nxitjen e ndërmarrësisë dhe investimeve në teknologji e infrastrukturë etj. gjendja e jonë financiare është përherë në rrezik për t’u përkeqësuar. Shembulli i Hamdiut është tipik. Pra edhe pse gjendja e tij financiare ishte mjaft e mirë, kjo situatë filloi të marr kahje tjetër në momentin që Hamdiu u ballafaqua me një problematikë që institucionet kompetente nuk mund ta zgjidhin.

E kaluara e jonë feudale po përkthehet edhe në mentalitetin dhe logjikën që kemi ndaj shtetit në periudhën (post)moderne. Kjo po reflektohet në përditshmërinë e qytetarëve të Kosovës. Krijohet përshtypja që nëse personi X dhe familja e tij e kanë momentalisht gjendjen financiare stabile, kjo është vetvetiu e mjaftueshme! Mbase harrojnë që gjendja financiare është përherë e brishtë paçka gjendja e përgjithshme shoqëroro-ekonomike është e rëndë. Harrojnë që kjo gjendje është stabile përkohësisht. Harrojnë siç thotë një shok i imi “Sot je me kravatë, nesër mund të përfundosh në një gjendje që detyrohesh të kërkosh ndihmë sociale nga shteti”.

Është e pamundur të ndjehesh stabil financiarisht kur je i rrethuar nga njerëz të varfër gjithandej. Nuk është e mundur të flesh i lirë. Në kësi situatash, ose ke problem se dikush të ka borxh, ose ke problem se nesër do të vijnë punëtorët e KEDS—it për ta çkyçur shtëpinë nga energjia elektrike.

Mënyra më e mirë për t’u ndier më i sigurt financiarisht është ndjekja, duke sakrifikuar, e rrugës së zhvillimit të shtetit. Pra, sakrifikimi i interesave personale për interesat e përgjithshme. Vetëm kjo mënyrë na siguron që gjendja e jonë momentale financiare të jetë më e sigurt dhe jetëgjatë. Pra ndjekja e interesit të përgjithshëm duke sakrifikuar interesin personal është zgjidhja për t’u kujdesur për interesin personal. Nëse ja duam të mirën vetës dhe familjeve tona, atëherë rruga e vetme është ndërtimi dhe zhvillimi i shtetit!