Luftimi i terrorizmit nuk është punë vullneti

Përveç me ngërçin politik i cili mbajti peng vendin për pothuaj gjashtë muaj, viti 2014 mbahet mend edhe me disa ngjarje ‘spektakolare’ si arrestimi i disa imamëve nën dyshimin e përhapjes së urrejtjes ndërfetare dhe nxitjes së terrorizmit, ndërsa dhjetëra qytetarë ia mësyen Sirisë e Irakut si vullnetarë të ISIS-it apo Al-nusras, aferat e njëpasnjëshme korruptive, migrimi masiv ilegal drejt vendeve të BE-së dhe së fundmi ‘dhurata e Kërshëndellave”-eksplozivi trembëdhjetë kilogramësh i konfiskuar në veturë të një shtetasi të Serbisë.

Përderisa, për këto të parat janë dhënë variante të shumta interpretimi duke gjetur shkatarë të shumtë për t’ua mveshur fajin, rasti i ‘eksplozivit’ ende mbetet si në lloj misteri në sytë e opinionit publik, pasi shumë pyetje logjike kanë mbetur pa përgjigje.

Vlen ta rikujtojmë se në hyrje të Prishtinës një  patrullë policore më 25 dhjetor  të vitit të kaluar  ndaloi një veturë të tipit Reno Clio me targa të Beogradit të cilën e ngiste Slobodan Gavrić,  veterinar nga Beogradi.

Pas kontrollit të detajuar  brenda veturës u gjet një materie e cila fillimisht  dyshohej se ishte eksploziv, por në të cilin as qentë e trajnuar të njësitit k-9,  çuditërisht nuk reaguan. Vetëm skanerët e avancuar të Ambasadës Amerikane nga e cila Policia e Kosovës kërkoi ndihmë, arritën ta specifikonin se bëhej fjalë për eksploziv ushtarak C-4.

Gavrić, natyrisht që u arrestua, ndërsa eksplozivi i sekuestruar u dërguar për ekspertizë të detajuar. Në konferencën e parë të policisë,  menjëherë pas ngjarjes, u deklarua me pompozitet se  policia arriti ta parandalojë një akt terrorist, pasi përmes intelegjencës së saj kishte siguruar  informata se në ditën kritike nëpërmjet kufirit Kosovë-Serbi do të futej një sasi e madhe eksplozivi dhe se vetura ishte në përcjellje që kur kishte hyrë në territorin e Kosovës.

Kjo padyshim u cilësua si një sukses i Policisë së Kosovës, e cila edhe u duartrokit për  parandalimin e një akti terrorist.

Mirëpo, vetë ndalimi i veturës nga policia në një zonë urbane ku përveç ndërtesave të banimit gjenden edhe përfaqësi diplomatike,  krijoi dyshime dhe spekulime të tjera duke përqendruar vëmendjen tek hipotezat se kush do të mund të ishte caku i sulmit terrorist,  e duke u përmendur  si shënjestra të mundshme: ndërtesa e Hotelit Grand, Kisha Katolike, por edhe ndonjë nga ambasadat e huaja.

Tjetra mjegullnajë u krijua pas suspendimit të tre policëve të Kosovës, të cilët kishin lejuar hyrjen e Gavrićit në territorin e Kosovës pa e regjistruar fare.

Prokurorja e rastit  ndaloi qasjen në dokumente, gjë që mund të vlerësohet si një veprim i menduar mirë pasi dyshohej se mund të kishte edhe persona tjerë të involvuar. Edhe akterët tjerë shtetërorë, që nga prokuroria Speciale, Policia, apo edhe avokati mbrojtës u  përmbajtën nga dhënia e informatave në publik, për të mos ndikuar në rrjedhën e hetimeve.

Përjashtim bëri vetëm Kryetari i Gjykatës Themelore i cili deklaroi para mediave se i pandehuri ka pranuar akuzën e parë,  futjen e  mjeteve shpëthyese në Republikën e Kosovës, ndërsa akuzën tjetër, atë për organizim të veprimit terrorist e ka mohuar, pasi ka pretenduar se eksplozivi ishte i dedikuar për shitje. 

Ky prononcim sigurisht u mirëprit nga “miqtë” e Gavrić të cilët u pozicionuan në konformitet me deklaratat e të pandehurit.

Pra, fillimisht pamë një rezervim të autoriteteve shtetërore serbe dhe mediave të Beogradit karshi ngjarjes,  gjë që ndryshoi pas prononcimit të Kryetarit të Gjykatës. Si në kor nisën deklarimet se  Gavrić ishte veç person ordiner, dhe nisën ta minimizojnë këtë akt të dyshuar terrorist duke e trajtuar si  kontrabandim të mjeteve shpërthyese.

Po ashtu mediat e atjeshme bënë të ditur se policia serbe në Beograd arrestoi  një person me emrin Željko Todorović, i dyshuar si bashkëpuntor i Gavrićit, duke i vënë theks deklaratës së tij dhënë para hetuesisë se synimi i tyre i përbashkët, pra,  i tij dhe i Gavrićit ishte thjeshtë shitja e eksplozivit ne territorin e Republikës se Kosovës e asesi s’kishte të bënte me ndonjë akt të mundshëm terrorist .

Në anën tjetër Presidentja Atifete Jahjaga, por edhe ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, thanë një mori fjalë miradije në drejtim të Policisë së Kosovës, pjesëtarët e të cilës i përgëzuan për punën e mirë që kishin bërë.

Në Kosovë u parandalua një akt i tmerrshëm terrorist- kjo ishte parrulla që dëgjohej nga instiutucionet atyre ditëve. Mirëpo, përtej deklaratave të tilla, cili ishte veprimi konkret qoftë edhe i sensibilizimit të opinionit botëror se Kosova përveç nga ekstremizmi islamik, po rrezikohet edhe nga terrorizmi i i importuar nga  Serbia?

Prokurorja e rastit më kot ngriti shqetësimin se shteti serb nuk po bashkëpunon me organet kompetente të Republikës së Kosovës në lidhje me Rastin “Gavrić”, bashkëpunim të tillë real pamë që nuk pati, kështu që kush mund të garantojë se nuk mund të ketë tentime për raste të ngjashme në të ardhmen.
Se cilat do të ishin pasojat nëse fatëkeqësisht ky sulm do të realizohej, mund të paramendojmë të gjithë.

Poashtu, se do të tentohej të fajësoheshin ’ekstremistët islamik’ apo ’nacionalistët shqiptarë’, është gjë që dihet, kështu që krahas viktimave të mundshme në njerëz, dëmeve materiale, për një kohë, deri në zbardhjen e rastit  varësisht nga pasojat e shkaktuara,  viktima por edhe humbësi më i madh në raport me bashkësinë ndërkombëtare do të ishte shteti i Kosovës

Luftimi i terrorizmit, nuk është punë vullneti, këtë duhet ta mësojnë njëherë e mirë institucionet e sigurisë dhe edhe bashkëpunimi rajonal e ndërkombëtar duhet të funksionojë patjetër,  qoftë edhe i kushtëzuar .