Të vdesësh për një vit

Im bir më kërkoi një akullore Facebook. Ai nuk e kishte idenë se ç‘kuptim kish fjala, por akulloren e donte blu, gjithsesi. Në ëmbëltoren në zemrën e Prishtinës kishin gjetur një rreng të mirë që akullores me ngjyrë të kaltër t’i vinin mbishkrimin FB.

Të njëjtën ditë, pas gati një viti e gjysmë, në ekranin e laptopit tim riktheva faqen e kaltër. Të gjitha ishin ashtu siç i kisha lënë, vetëm jeta ime virtuale kish ngrirë dimrin e shkuar. Për një vit e sa muaj, sa herë jam gjetur para pyetjes: Përse e mbylle? Pyetjet çonin në llafe të gjata e llafet në debate, nëse jeta është më e mirë me apo pa Facebook.

Diskutimet e shpeshta përballë shumicës, komenteve se rezistenca është jetëshkurtër dhe lëmshit të fjalive që përfundonin me pikë çuditëse. “Të mos jesh në Facebook do të thotë të vdesësh publikisht! Zëre se ke vdekur!”, më pati thënë dikush.

Kjo fjali më binte shpesh n’mend, herë me habi e herë me ngapak dhembshuri, derisa ngriu edhe ajo dhe faqja e kaltër nisi t’i ngjajë një të shkuare të largët.

Po cila është jeta pa Facebook? Rrjetit më të popullarizuar social në botë e ndër shqiptarë, dhe rrjeteve tjera sociale që i rrinë përkrahë.

Facebook është një metaforë

Facebook-u është metaforë e jetës që duam te kemi. Asaj që shndërrit e ngroh. Një diell që të ngrohë për më shumë apo më pak kohë, pjesa tjetër e së cilës të mërdhinë. Asgjë e trishtë, asgjë e shëmtuar. Asgjë e zakonshme. Të gjithë shfaqin veten dhe shpirtin e tyre ashtu siç e duan dhe e programojnë. Një vitrinë ku ekspozojmë jetën tonë, madhështinë e bukurinë e saj, qoftë edhe duke ikur nga ajo. Ku ishim, me kë ishim, çfarë kemi bërë, të lumtur, të rëndësishëm siç do të donim të ishim. Një dokument i kohërave tona të mira, netëve jashtë, udhëtimeve, shetive, pushimeve, maleve ku kemi shkelur e deteve ku jemi larë, ditët me fëmijët, lumturinë e tyre e tonën për ta, dashurinë për prindërit, vëllezërit e motrat, ushqimit, modën, stilin, shkëlqimin tonë; me pak- pamjen tonë më të mirë. Një inçizim i gëzimeve e i lumturisë.
Por kjo, nuk është e gjithë historia.

Mundimi deri te perfeksioni

Mediat sociale, me në krye Facebook-un, na bëjnë që çdo gjë ta lustrojmë deri në krijimin e markës personale, të imazhit që e dëshirojmë dhe ashtu siç duam tjetri ta përceptojë: Të hijshëm, të ditur, të sukseshëm, hipsterë, super-grua, burrë, prindër, miq, duke arritur që lehtë e padiskutueshëm ta ndërtojmë identitetin virtual, në një botë ideale e cila e ushtron presionin e madh për t’iu përshtatur standardeve false.

Ajo që e dimë, është se rrjetet sociale nuk kanë të bëjnë fort me jetën reale. Po, përdorimi i tyre për të dëshmuar anën tonë më të mirë, apo më të mirën që do të donim të ishin, nuk është edhe aq i thjeshtë.

Jeta reale është plot halle e telashe, lotë, mërzi e çrregullësi, rrallë shkëlqen, por kjo  e bën atë të vërtetë. Në botën virtuale jemi gjithë nur e shkathtësi, prandaj janë inekzistente fotot e femrës pa makiazh, pa një pozë seksi, pamje të dhomave lëmsh, enëve të palara në kuzhinë, fëmijëve të bërë pis, rrugëve të pista, njerëzve të trishtuar në kafene, njerëzve të vetmuar, lypësve, e çdo gjëje që s’shkëlqen.

Brendi i personës sonë nuk do kurrsesi që ta shfaqë anën tjetër të medaljes që ka të vizatuar jo rrallë edhe vetminë e dëshpërimin në jetën reale.

Misioni i rrjeteve sociale është hapi tutje realitetit në një tjetër përditshmëri e rutinë, nga realje në virtuale, dhe sidomos misionit i paraprinë bindja se kemi qindra miq, edhe atëherë kur jemi miku i vetëm i vetes. “Vazhdimisht refuzojmë ta shkyçim kompjuterin, ta shkyçim telefonim, ta mbyllim Facebook-un, e të rrimë në qetësi, sepse në ato momente mund të na duhet të përballemi me veten dhe me atë çfarë e kush jemi.” Jo pak e frikshme!

Kyçja në Facebook, nuk ndryshon shumë nga marifetet tjera të botës virtuale, qoftë atyre tashmë ‘të vjetëruara’ e qoftë në tërë platformën Web 2.0., apo te kontrollimi i shpeshtë i emailit apo shfletimi i vazhdueshëm i portaleve. Po rrjeti që ka mbërritur gati një miliardë përdorues në ditë, është unik në fytyrën e vet.

Facebook është një lojë, në të cilën vetëm të fortët mbijetojnë, mendoj. Ata që i durojnë rregullat e lojës dhe shpenzojnë një pjesë të mirë jete duke luajtur sipas tyre. Mungesa e kësaj force më vuri para provës personale deri te ‘divorci’ me FB-në.
Por, gjithnjë ka një “por”.

Atëherë, përse e duam Facebook-un kaq shumë?

“Misioni i Facebook-ut është t’i japë njerëzve fuqinë të ndajnë me të tjerët dhe ta bëjnë botën më të hapur e më të lidhur. Njerëzit e përdorin Facebook-un që të qëndrojnë të lidhur me miqtë dhe familjen, të zbulojnë se çfarë po ndodh në botë, dhe të ndajnë e të shprehin atë që ju intereson”, thuhet në moton zyrtare të faqës së kaltër.

Studimet në psikologjinë e mediave sociale, thonë se rrjetet sociale, Facebook në veçanti, prek e godet qendrën e kënaqësisë së trurit të njeriut. Në kërkim të zbulimit të ‘sekretit’ të FB-së, studiuesit kanë gjetur se çfarë saktësisht ndodh në trurin tonë kur jemi të kyçur në rrjetet sociale.

Një ndër studimet e fundit ka zbuluar lidhjen e fortë mes Facebook-ut dhe qendrës së ‘shpërblimeve’ të trurit, nucleus accumbens. Mendohet se kjo zonë që është një nga bërthamat më të mëdha në rajonin trunor luan rol të rëndësishëm në konceptet psikologjike të kënaqësisë, shpërblimit, varësisë, frikës, të qeshurave dhe efekteve tjera.

Prandaj, reagimet pozitive në Facebook, Twitter a Instagram, ndezin këtë pjesë truri. Ato krijojnë fuqinë magjike të komenteve dhe like-ve në FB. Sa më i madh intensiteti i përdorimit, aq më i madh shpërblimi, aq më shumë ndjesi.

Ikja në pyllin modern

Rrjetet sociale mund të jenë një mënyrë e përkryer për të fituar “ndjeshmërinë virtuale”, por shprehja e saj di të çojë edhe në mungesën e ndjeshmërisë në botën reale.

Të shkruarit duke përdorur vetëm shenjën “like”  në vend se përdorimin e gjithë dorës, kur takon një njeri sy më sy, nuk ngacmon më të njëjtat neurone apo të njëjtat zona trunore.

Jetesa në një hapësirë jashtë realitetit në teknikat e sotme moderne, duke e lënë anash jetesën në një hapësirë të matshme metrike, ka ndryshuar me shpejtësi të madhe psikën dhe jetën tonë. Me to ka ndryshuar edhe gëzimi e kënaqësia, edhe hapësira, edhe zanatet, vendi ku jetojmë, vuajtja e shërimi, e bile edhe vdekja. A ka diçka më idiote se t’i bëhet “like” një njoftimi vdekjeje.

Por krah saj, Facebook e Twitter janë bërë edhe ushqim për gazetarinë, që kur politikanët mësuan të bëhen sulltanë të tyre. Dhe gazetaria është bërë dinakëria e faqeve të kaltra, duke ofruar të gjitha portalet në një trup “All in one! One for All!’.

Pylli i bredharakut virtual shfaqet sall me një ‘klick’ që nis me shkronjën F o T, me endjet nëpër botë, të rejat nga njerëzimi e nga shoqëria, me shkretëtirat dhe oazat e veta, me zërat e shumtë, cicërimat dhe vetminë, me përplasjet e pajtimet, me rrugët e tij drejt arratisë e pafundësisë.
“Facebook është si burgu, sillesh përreth e humb kohë, shkruan në mure dhe ngacmohesh nga njerëz që s’i njeh”, shkruante dikush.

Por  nga kjo qeli mund ta prekësh gjithë botën me dorë, dhe ta rrotullosh ashtu siç do vetë. Arma e fortë e fjalës, figurës dhe imazheve ka arritur që t’i ndryshojë rregullat e lojës në shoqërinë njerëzore dhe rregullat e lojës në jetët individuale.

Të jesh i vdekur për një vit e gjysmë është përvojë interesante. Ringjallja akoma më shumë. Loja mbetet e njëjtë, por ngjan më e hieshme! Dhe në lojë, vetëm të fortit mbijetojnë!