Ata Na Terrorizojnë Përditë

Derisa terrori i sillet botës si fantazmë, kosovarët janë mësuar të jetojnë me të, në çdo mënyrë e me çdo fytyrë të tij.

Sepse e sheh rrushi rrushin e piqet dhe ne kosovarët fatkeqësisht kemi pasur pak fat me “rrushat” tanë. “Rrushat” që shkuan, ata që erdhën dhe ata që pretendojnë të vinë, kush më shumë e kush më pak, po maten jo vetëm me hijen e sabahut por edhe me hajninë e jetës. Sa keq që të gjithë ata kanë futur duart në shpirtin e vrarë të njerëzisë kosovare dhe të gjithë ata kanë lustruar, kush më shumë o kush më pak, edhe më të pahijshme fytyrën e këtij vendi, edhe më të vrarë shpirtin e këtij populli.

Sa keq që “Fusha e mëllenjave” nuk është një vizatim nxënësish fillestarë.

Ka të paktën tre kryeministra apo ‘ish’ të tillë që fliten e përfliten, që nganjëherë edhe ndiqen e akuzohen, herë për gjëra marramendëse e herë për gjëra krejt ordinere; ka disa liderë, herë të vërtetë e herë fantazma që ndonjëherë kanë ndërruar lëkurë e fytyrë, ndonjëherë pushtet e parti, ndonjëherë poste e qeveri, por që asnjëherë nuk u dorëzuan e nuk u larguan nga pushteti e as nga fuqia; ka disa që gati-gati mund të quhen liderë, të cilët po luftojnë me fytyrë e më thonj dhe po përpiqen të bëjnë edhe të pamundurën për të bindur njerëzinë kosovare se ata janë “rrushat më të mirë”. 

Po çka t’i bësh që njerëzit e varfër të vendit të varfër, me buxhet të varfër dhe më të varfërit në Evropë, janë mësuar që jeta e tyre të harxhohet pa kurrfarë kuptimi, dhe që paratë e tyre të bëhen “rrush e kumbulla”, janë mësuar e janë pajtuar të shndërrohen në lojën e shpërdorimeve bizare. Prandaj tash e sa vjet e qe një jetë të mësuar ta çojnë jetën dëm, “bytha” s’u han nëse rrushat e vjetër, rrushat e rinj, rrushat e bardhë apo rrushat e zinj, ua çojnë jetën rrush e kumbulla.

Sepse u bënë kaq vjet që flasim e ankohemi, kaq vjet qyshkur, duke i përsëritur, këto fjalë nuk duken më as si të vërteta, kaq vjet qyshkur po i mëshojmë gojës dhe kaq vjet qyshkur nuk po arrijmë ta mësojmë thelbin e lojës, sepse një e tillë është vetëm një zakon i të fortëve. 

Jam e sëmurë në këtë vend pus të zi, se pse nuk po arrij ta kuptoj përse nga dje e sot rrëfimet nuk mbarojnë: për liderët që luajtën fort me bisht, për një kryeministër dhe një tjetër që kanë luajtur aq bukur bishtin për të vënë në vend e në rend punët e veta, për deputetët që kanë mësuar të luajnë bukur, për të gjithë hajnat e shpirtit e të xhepit që shpallen të pafajshëm dhe më buzëqeshin me ironi, për vrasësit që ma kërkojnë besimin për të ma vrarë më pas të drejtën dhe jetën; sepse rrëfimet nuk mbarojnë… dhe ende i mbajmë mend gjithë bëmat e tyre, të gjitha rrëfimet nga dje e sot se si u shndërruan në mjeshtër të lojës me bisht dhe në mjeshtër të lojës me rrushin; rrëfime të luftës për ne, derisa lufta e vërtetë zihet ndryshe.

Janë të shumta pikat e zeza në jetën kosovare që për fat të keq nuk po zbehen me asnjërin zotëri kryeministër e zotërinjtë ministra të tyre, por po ndodhka që vjen ajo kohë kur të gjithë zotërinjtë shndërrohen në shakaxhinj e të shkrryejnë së qeshuri e veshuri me lojën e rrushit e kumbullave. Megjithëse dorën n’zemër nën mjegullën e gazeve, sepse kohët ndryshojnë, njerëzit ndryshojnë, edhe interesat ndryshojnë, por politika mbetet e njëjtë. Edhe ‘të zezat’ ndryshojnë, zgjerohen e thellohen dhe helmin e rrushave është gjithnjë e njëjta njerëzi kosovare që duhet ta përbijë. Po dikush mund të helmohet! Kurdo, dikur, kujdes!

Derisa terrori i sillet botës si fantazmë, kosovarët janë mësuar të jetojnë me të, në çdo mënyrë e me çdo fytyrë të tij.

Nuk jam me askënd. Jam për nder e njerëzi! Jam për pak sinqeritet! Jam për pak besim në këtë vend të pafytyrë! Jam për mëndej të shnosha. Jam për stop puseve të zeza në jetën tonë!  Jam e sëmurë në k’të pus të zi! Jam për qetësi! “Tout est pardonné” çdo gjë është e falur thonë. Por jo edhe e tanë jeta.