Bota e Hipokritëve

Bota e ka kujtesën e shkurtër, thotë një thënie e vjetër. Jemi rritur në rrethin që predikonte se shqiptarët janë nga popujt më të ndershëm, njerëz të fytyrës, të fjalës. Gjatë udhës në përpjekjen e gjetjes së përbërsve të kësaj kujtese, në tërësinë e realitetit, e çliruar nga retorika e luftës dhe qëndrimet luftarake në shoqëri, kujtesën e rrethit dhe njerëzve të mi, me gjasë e mundën luftëra të tjera, luftë pas lufte.

Për ta jetuar kohën sot duhet ta japim ‘herë pas here’ edhe fytyrën tonë, zërin e shijen, dhe herë pas here, ose në të shumtën e herave, fytyrat tona, ato të tjerat.

“Lexues hipokrit, miku im, vëllai im!” thërriste frëngu Bodler në vargjet e Luleve të së keqes.
Sipas një rregulli që tashmë e kemi pranuar haptazi në gjithë diskursin publik, në diskursin e përditshëm intim, e sidomos në ato mjedise ku zhvillohen ritet sociale-kulturore, ka një bazë të fortë, brum të fortë hipokrizie.

Shtirja fshihet, dhe ndërkohë që fshihet e përpiqet të jetë e padukshme, kaq shumë bie në sy… aq sa roli e marifeti i saj i ka dhënë të drejtën kësaj shoqërie që haptazi të jetë njëkohësisht dyfytyrëshe dhe e pafytyrë. I ka dhënë të drejtën që aq ‘sinqerisht’ ta thotë e ta ushtrojë të pavërtetën, mashtrimin- atë që duket se është po s’është ashtu siç është!

Çka ndodhi që shqiptarët u bënë mjeshtër në lojën e fytyrave? Mbase prindërit, gjyshërit e historianët na gënjyen edhe ata kaq pafytyrë sa na ‘ngulën n’krye’ se nëse asgjë s’kishim, të paktën kishim fytyrën! O ishte egërsia e historisë që e mësoi shqiptarin se për të mbijetuar në skenën e luftrave nacionale e individuale, duhej ditur zotësia e lojës së aktrimit?

Ndoshta ishte kjo e ndoshta pse qenia shqiptare e ngopur me diskurse sociopolitike, të pompoziteteve e lavdeve nacionale dhe në jetesën e një terrori të sotëm të intesitetit e zhurmës së madhe, ka harruar borxhin që e ka ndaj vetes: Nëse e dimë se po na gënjejnë dhe gënjehemi dhe e pranojmë këtë gjë, të imponuar ose jo… krijojmë imazhin dhe na krijohet ideja se më as mashtrim nuk është, sepse askush nuk i beson askujt dhe as që është i detyruar ta bëjë. Nëse kemi arritur që gënjeshtrën ta bëjmë kaq të pranueshme dhe banalitetin e saj e kemi lejuar në përditshmërinë e jetës e në funksionimin tonë social, atëherë duhet ta jetojmë edhe brutalitetin e saj si pasojë.

Hidhësia dhe pështirësia e shtirjes të çon drejt botës së mbylljes e vetmisë, por njeriu si qenie sociale e ka të pamundur të mos i ikë izolimit individual. Kësisoj, secila përballje me botën jashtë di të bëhet sfilitëse.

Hipokrizia i ka shtrirë rrënjtë thellë, deri në kalbje me gjasë, në jetën shqiptare; në përballjen e njeriut në një botë plot maska, të shtrira thellë që në ambientin përreth, në tavolinën e kafenesë, në tavolinën e punës, në mëhallën, në rrjetet sociale; por më e kalbur del të jetë te ata – intelektualët, dijetarët, shkencëtarët, universitarët, zyrtarët e lartë, të poshtë, të mesëm, publicistët, priftërinjtë e hoxhallarët…; te të gjithë shitësit e dijes e të moralit.

Gjithsesi, e shtrirë me masë, sepse hipokrizia një tjetër thënie thotë, i shtrinë këmbët aq sa e ka interesin. Megjithë banalitetin e shpalosur sheshit.

Nga mileti te pushteti, është nonsens pyetja se ç‘lloj hipokriti duhet të zgjedhim si liderin e liderët e ardhshëm? Nën këtë cinizëm përgjigjet janë të përligjura, sepse është akoma më cinike të pretendojmë se politika mund të jetë plotësisht e sinqertë. Specialistët e politikës na mësojnë se forma më e rrezikshme e hipokrizisë politike është kërkimi i një politike pa hipokrizi. Ajo është njëkohësisht e një kohe dhe e përjetshme. Në këtë pikë, sinqeriteti dhe e vërteta e vetme që mund ta gjejmë në politikë, është që ne vetë të mos rrëshqasim në hipokrizi. Kështu të paktën mendojnë folësit e mëdhenj të së vërtetës së mendimit modern politik- Hobbes, Mandeville, Jefferson, Bentham, Arendt apo Orwell.

Derisa na duhet ta pranojmë hipokrizinë si një fakt të politikës dhe të përpiqemi t’i dallojmë kufijtë e vërtetësisë në politikë, për ta luftuar në një apo tjetër formë, si mund ta masim apo edhe ta luftojmë hipokrizinë “e padëmshme” dhe atë të dëmshme dhe të gjitha variacionet e shtirjes në ritet e jetës sociale e kulturore. Trishtimi bëhet i madh kur ky “pakt” nuk është më një përjashtim, por një rregull. Në këtë marifet, kur, ku, dhe si mund e duhet të presim që ndër shqiptari njerëzit të jenë pak më të sinqertë?

Një jetë dyfishe-dyfytyrëshe duke pretenduar të qenit të mirë gjatë gjithë kohës, dhe po gjatë gjithë kësaj kohe mistrecë të mëdhenj. Po, këmbët deri aty ku shtrihet interesi!

Përpiqemi ta kalojmë jetën si të mundemi, nëse jo të gjithë disa prej nesh… shpesh  mes banaliteteve të hapura dhe snobëve që mendja u thotë se janë tepër finokë për të qenë ata që vërtet janë. E vërteta mund të jetë e rrezikshme, thoshte një shkrimtar i barokut spanjoll, Gracian-i, sepse është si të marrësh gjak nga zemra.