Shkel O’ Shkel

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka vazhduar mandatin gjykatësve ndërkombëtarë (mandat ky që përfundoi me 31 Gusht 2014) përmes një dekreti që doli si pasojë e letër-këmbimit ndërmjet saj dhe Bashkimit Evropian.

Ky proces është bërë në mënyrë juridikisht të gabuar dhe si i tillë vendos precedent të rrezikshëm. Ja pse:

E nisim nga e para. Meqë jemi vendosur para aktit të kryer, po e marrim si të mirëqenë këtë punën e emërimit të gjyqtarëve të Kushtetueses, përkundër faktit që Pavarësia e Mbikëqyrur ka përfunduar në shtator të vitit 2012 dhe nuk ishte paraparë që të ketë gjykatës ndërkombëtarë në Kushtetuese pas 31 gushtit të këtij viti. Presidentja ka bartur kompetenca që nuk i ka me Kushtetutë, siç është propozimi, dhe ka ekzekutuar kompetenca që janë jo-ekzistente – siç është vazhdimi i mandatit.

Problem tjetër këtu është emërimi i këtyre tre gjyqtarëve pa propozimin e Kuvendit dhe anashkalimi i fuqisë së propozimit të gjyqtarëve. Kundër-argumenti i BE-së është se realisht Presidentes nuk i është nevojitur propozimi i gjyqtarëve meqenëse ajo vetëm i ka “ri”-emëruar gjyqtarët tashmë të propozuar para sa vitesh.

Ky kundër-argument nuk qëndron për shkak se Presidentja me këtë letër-këmbim i vesh këta tre persona me fuqinë e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese përtej mbarimit të mandatit. Kjo thuhet edhe shprehimisht në Dekretin për Konfirmimin e Vazhdimit të Mandatit. Ajo thjesht ua vazhdon mandatin – diçka që realisht nuk mund ta bëjë, meqenëse askund në Kushtetutë nuk thuhet që Presidentja ka të drejtë t’u vazhdojë mandatin gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ajo çka do të duhej të ndodhte sipas ligjit të Kosovës është se pas mbarimit të këtij mandati këta gjyqtarë do të duhej të shndërroheshin automatikisht në, thjesht, kandidatë potencialë për vendet e liruara, sikur çdo qytetar tjetër sipas kritereve të përcaktuara me Kushtetutë. Madje këta e kanë një mangësi shtesë pasi që, sipas Kushtetutës, nuk kanë mundësi vazhdimi të mandatit. Prandaj Presidentja nuk i ka ri-emëruar, por i ka emëruar këta gjyqtarë në mënyrë jo-transparente.

Tjetër kundër-argument mund të jetë se në mes të termave “propozim” dhe “emërim” nuk ka ndonjë dallim substancial dhe si pasojë e kësaj Presidentja mund të mos e ketë menduar fare këtë çështje dhe thjesht të ketë konsideruar këto terma si të njëjtë në kuptim. Mirëpo, atëherë lind pyetja pse në letër-këmbimin e shtatorit të vitit 2012 bëhet adresim specifikisht i ndarë në mes të fjalëve propozim e emërim, kurse në letër-këmbimin e datës 14 prill 2014 askund nuk përmendet fjala propozim? 

Parregullsitë dhe paqartësitë fatkeqësisht nuk janë të vetmet fjalë që e karakterizojnë këtë dekret mandatues. Ky dekret mbi të gjitha është jo-kushtetues. Arsyeja është e thjeshtë. Letër-këmbimi i miratuar në Kuvend me datë 23 Prill 2014 është konsideruar me të drejtë si Marrëveshje Ndërkombëtare dhe është bërë duke u bazuar në Nenin 20 të Kushtetutës i cili lejon bartjen e kompetencave tek organizatat ndërkombëtare për raste të caktuara. Fillimisht Presidentja nuk mund të bëjë bartjen e kompetencave që nuk i posedon. Ajo mbase mund të bart’ kompetencën e emërimit mirëpo jo edhe atë të propozimit – duke qenë se një kompetencë e tillë nuk i takon asaj por Parlamentit.

Problemi tjetër është që Neni 20 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës i jep supremaci marrëveshjes ndërkombëtare ndaj ligjeve të Kosovës por jo edhe ndaj Kushtetutës. Duke qenë se procesi i emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese i përmendur kalimthi në këtë letër-këmbim është në kundërshtim me procesin e përcaktuar në Nenin 114 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës – do të thotë se Presidentja ka bërë shkelje kushtetuese me nënshkrimin e Dekretit. Që Kushtetuta ka supremaci ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare e thotë shprehimisht edhe Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj të rastit Nr. KO95/13: “Dispozitat e vetëekzekutueshme të marrëveshjeve ndërkombëtare mund të zbatohen drejtpërdrejt brenda rendit të brendshëm juridik të Kosovës, por zbatimi i tyre i nënshtrohet Kushtetutës”.

Bashkimi Evropian po argumenton se Kuvendi e ka votuar këtë ndryshim. Kjo është e vërtetë. Megjithatë në leximin e transkriptit të seancës së 23 prillit vihet re se kuptimi i deputetëve ka qenë që votimi të bëhet deri në pritje të amandamentimit për dy çështje që janë diskutuar atë ditë: Gjykatën Speciale dhe Gjykatën Kushtetuese.

E vetmja mënyrë se si kjo Marrëveshje Ndërkombëtare do të ishte në vijë me Kushtetutën është sikur të bëhej amandamentimi. Edhe ashtu kjo është e vetmja mënyrë e ndryshimit të Kushtetutës. Ratifikimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare që rezulton me një Dekret që është në kundërshtim me Kushtetutën – nuk e ndryshon këtë të fundit.

Të kujtojmë se ky letër-këmbim është bërë në prill të këtij viti, që i bije të jetë bërë plot 5 muaj para përfundimit të mandatit të këtyre gjyqtarëve si dhe në kohën kur Parlamenti i Kosovës ka qenë funksional. Në këtë kohë asnjë nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk kishte asnjë lidhje me EULEX-in, duke qenë se EULEX as në bazë të Marrëveshjes së Përbashkët të vitit 2008 nuk ka pasur mandat për t’i emëruar këta gjyqtarë.

Një emërim i tillë është në kundërshtim të plotë me statusin neutral të BE-së duke qenë se Gjykata Kushtetuese është institucion i pavarësisë dhe si i tillë nuk ekziston në Rezolutën 1244 – sipas kornizave të së cilës funksionon EULEX-i. Misioni i EULEX-it nuk e njeh Kosovën dhe njësoj sikur Bashkimi Evropian, ka qëndrim neutral ndaj statusit të saj. Si mision i tillë, EULEX nuk është adekuat t’i lihen në dorë kompetenca të tilla si “ri”-emërimi i gjyqtarëve kur një gjë e tillë përcaktohet shprehimisht në Nenin 114 paragrafin 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës[1]. Edhe ashtu, pse do të duhej t’i lihej në dorë fati i gjyqtarëve të Kushtetueses një misioni që as nuk ka interes të çfarëdo lloji të merret me këtë punë?

Edhe gjuha e përdorur në letër-këmbimin e Prill 2014 lë për të kuptuar se realisht subjekti i saj janë vetëm gjyqtarët e EULEX-it e jo edhe ata të Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa është specifike për gjyqtarët, prokurorët dhe zyrtarët policorë që shërbejnë në misionin e EULEX-it.

Nuk ka si të bëhet më e qartë. E futja e çështjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese diku mes rreshtash – sikur të ishte diçka e rëndësisë terciare – është e papranueshme.

Për ta përmbyllur, më duhet të them se krejt sa u tha më sipër nuk është sulm ndaj Presidentes, sa është sulm ndaj mundësisë së hapur për ta shkelur Kushtetutën. Është sulm ndaj mos-gatishmërisë për të gjetur zgjidhje të arsyeshme, sulm ndaj nënshtrimit ndaj të huajve, ndaj frikës për të menduar ndryshe e mbi të gjitha është sulm ndaj mos-ekzistimit të konceptit të pranimit të gabimeve të bëra. Është sulm ndaj këtij sistemi të instaluar që është duke na kthyer mbrapa në kohë. Thjeshtë kësaj here, qëlloi që subjekt i këtij sistemi – të jetë Presidentja e Republikës. Kjo nuk do të thotë që dje nuk kemi pasur subjekt të ngjashëm e që nesër nuk do të kemi të tillë. Fatkeqësisht.

[1] Gjyqtarët emërohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës, me propozimin e Kuvendit, për një mandat nëntëvjeçar, pa mundësi vazhdimi.

Autorja është Shefe e Zyrës Ligjore në BIRN dhe mban titullin Magjistër Shkencash në Kriminologji dhe Shkenca Penale nga Universiteti i Oxfordit. Ajo ishte pjesë e ekipit juridik që i ka dërguar tri raste në Gjykatën Kushtetuese.