Faleminderit, “Mik”

Faji kolektiv gjerman shpërfaqet edhe 70 vite pas përfundimit të luftës jo vetëm në hezitimin e madh për ta përqafuar krenarinë kombëtare dhe patriotizmin, por edhe në mënyrën se si ata bëjnë politikë (veçanërisht të jashtme), se si flasin dhe se si i trajtojnë të huajt. Të gjitha bëhen me rezerva e në forma politikisht tepër korrekte, deri në masën që e humbin arsyen dhe shndrrohen në padrejtësi. Një shembull i freskët i kësaj është durimi i pashterrur për të negocuar me Greqinë përkundër malit të borxheve që ajo i ka mbledhur në mënyrë të papërgjegjshme. Një Gjermani e pa kompleksuar, nuk do të ishte kaq solidare.

Shqiptarët e pas-luftës përballen me fenomenin e njëjtë por të kundërt. Si viktima të krimeve të luftës ata nuk ndjejnë faj kolektiv por nevojën e fuqishme për të qenë kolektivisht falenderues ndaj ShBA-ve dhe vendeve tjera që ndërhyen për ta ndalur spastrimin etnik. Shqiptarët,ashtu si gjermanët, vazhdimisht i kanë trajtuar kërkesate faktorit ndërkombëtar, veçanërisht ato të amerikanëve, me një durim të pashterrur, tolerancë dhe korrektësi politike deri në humbjen e arsyes.

Për 15 vite, shqiptarët duruan statusin e të qenurit më të varfërit në Evropë, papunësinë shumë shifrore si dhe mungesën e zhvillimit ekonomik. Ata ishin të gatshëm të presin 9 vite për një pavarsi që në fund doli të jetë çdogjë përveç pavarsi. Ata duruan krimin dhe korrupsionin e çdo qeverije si dhe mos-ndjekjen dhe mos-ndëshkimin e kriminelëve të luftës, mos-kompenzimin e dëmeve të luftës, dhe mos-gjetjen e të dashurëve të tyre të zhdukur.

Të gjitha këto të këqija u anashkaluan nga ndërkombëtarët, të cilët duke dashur të ecin drejt së ardhmes ishin të gatshëm ta harrojnë atë që kishte ndodhur në të kaluarën dhe mbetëntolerantëe zemërgjerë ndaj një agresori të papenduar që la pas shkatërrimin në katër vende të Ballkanit.

Gjykata Speciale është vetëm njëra ndër padrejtësitë e shumta që u kërkua nga shqiptarët ta pranojnë. Së pari, është e qartë që kjo Gjykatë nuk ka të bëj asgjë me drejtësi sepse vjen në kontekstin e normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Ajo është thjesht një krijesë politike, një koncesion ndaj serbëve, ashtu si formimi i Asociacionit të Komunave Serbe (autonomisë serbe), për të cilën ndërkombëtarët janë pajtuar t’ua japin serbëve në këmbim të koncesioneve që i presin nga ta.

Serbët në anën tjetër duhet ta pranojnë pavarsinë e Kosovës de fakto duke mos e kundërshtuar shtetndërtimin (përveç kufizimeve që dalin nga marrëveshjet) dhe duke e lënë të lirë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, ngjashëm siç bëri Gjermania Perëndimore me Lindoren kur e ndryshoi kursin nga Doktrina e Hallstein-it në normalizimin e marrëdhënieve.

Së dyti, Gjykata s’ka se si të jetë e drejtë sepse shkelë parimet themelore të drejtësisë. Duke qenë “speciale”, ajo që në thelb paragjykon për fajësinë e të dyshuarve. Çdo gjykatë e cila e shkelë parimin e neutralitetit nuk është gjykatë e drejtë.

Gjykata Speciale nuk merret me individë por me kombësi, thuajse të qenurit shqiptar i bënë njerëzit automatikisht dhe kolektivisht të dyshimtë për krime lufte. Ajo e kthen mbi kokë të gjithë konceptin e drejtësisë sepse nuk merret me krimet e luftës në mënyrë të përgjithshme por në mënyrë tendencioze e përqëndron fajësinë tek një kombësi ende pa filluar gjykimi.

Fakti që përkrahësit e saj kanë kërkuar që ajo të votohet “si kërkesë e miqëve ndërkombëtarë” flet më së miri për mungesën e argumenteve për themelimine saj. Siç tha Ilir Deda me mprehtësi: “Nëse na kërkojnë miqtë, a do të heqim dorë nga pavarsia?”

Natyrisht, po të ishin ndërkombëtarët serioz për hetimin e krimeve, do të kishin filluar menjëhërë me përfundimin e luftës, ashtu siç ndodhi me gjyqet e Nuremberg-ut, themelimin e një gjykate të paanshme e cila nuk e paragjykon përkatësinë etnike e fetare të agresorit e as të viktimës. Mos-përkushtimi ndaj drejtësisë, që u theksua tutje me skandalet në EULEX, tani po tentohet të sanohet me projekte politike të cilat më së paku e kanë nën konsideratë drejtësinë.

Kjo padrejtësi është duke e rrezikuar seriozisht këputjen e durimit shqiptar me faktorin ndërkombëtar. Aq më shumë kur merret parasysh që administratat amerikane për të cilat shqiptarët duhet të jenë falenderues janë ajo e Clinton-it (për çlirim) dhe e Bush-it (për pavarsi), por jo ajo e Obamës e cila i mundësoi agresorit të Ballkanit ta arrijë në paqe atë që synoi por nuk e arriti me luftë.