Liria Ekonomike, Parakusht për Mirëqenie

Dëshmitë empirike tregojnë edhe një herë që liria ekonomike mbetet parakusht për mirëqenie. Sipas raportit vjetor 2014 të Institutit Fraser Liria Ekonomike e Botës, vendet në kuartalin e parë me më së shumti liri ekonomike kanë pasur të ardhura për kokë banori $39,899 në 2012. Kjo vlerë në vendet me më së paku liri ekonomike ka qenë vetëm $6,253.

Mbi të gjitha, të dhënat tregojnë që përfitimet nga liritë ekonomike nuk kanë qenë ekskluzivisht për të pasurit—siç pohojnë kritikët—por edhe për shtresat më të varfëra.

Për shembull, 10 përqind e personave më të varfër në vendet me më së paku liri ekonomike kanë pasur të ardhura mesatare $1,358 në 2012. Në anën tjetër, 10 përqind e të varfërve në vendet me më së shumti liri ekonomike kanë pasur të ardhura mesatare $11,610 apo mbi 8 herë më shumë.
Për më tepër, të ardhurat mesatare të 10%-shit më të varfër në vendet me më së shumti liri ekonomike janë pothuajse dyfishi i mesatarës së të ardhurave të përgjithshme në vendet me më së paku liri ekonomike. Në ShBA, të ardhurat e grupit që konsiderohen si të “varfër” janë më të mëdha se 60 përqind e popullatës në botë (Cachanosky, 2013).

Raporti ka dëshmuar gjithashtu që liria ekonomike e nxitë rritjen ekonomike. Në vitin 2012, vendet me më së shumti liri ekonomike kanë pasur 3.43 përqind rritje mesatare të Bruto Produktit Vendor për kokë banori në krahasim me ato të kuartalit më të ulët ku ky numër ka qenë 2.55 përqind.

Ky observim nuk e merr parasysh faktin që ekonomitë me më së paku liri kanë nevojë më të madhe të rriten se sa ekonomitë e zhvilluara.

Në kundërshtim me qëndrimet majtiste, dëshmitë kanë treguar që liria ekonomike nuk nënkupton detyrimisht rritje të pabarazisë. Në vendet me më së paku liri ekonomike, proporcioni i të ardhurave të përgjitshme që i ka takuar 10%-shit më të varfër ishte 2.48 përqind në 2012. Në vendet me më së shumti liri ekonomike kjo shifër ishte 2.78 përqind.

Koeficienti Gini, i cili përdoret shpesh për ta matur pabarazinë, del të jetë 43 në vendet me më pak liri ekonomike kurse 35 në vendet me më shumë (Cachanosky, 2013).

Dy studime tjera (Apergis et al., 2014; Bennett & Veder, 2013) kanë treguar gjithashtu që liria ekonomike në ShBA (nga shteti në shtet) shoqërohet me më pak pabarazi të të ardhurave.

Mobiliteti social është gjithashtu në veprim në përputhje me reduktimet globale të varfërisë, siç dëshmohet nga kuintali më i ulët i të ardhurave i cili është rritur më shumë se 100% kur krahasohen gjeneratat prind-fëmijë (Cachanosky, 2013).

Dëshmitë tregojnë gjithashtu që vendet me më shume liri ekonomike, falë mirëqenies së tyre, kanë gati 20 vite më shumë jetëgjatësi mesatare se sa ato që renditen të fundit (79.9 vite me 63.2), ndërsa një studim tjetër tregon që liritë politike dhe civile shoqërohen me ato ekonomike.
Ku qëndron Kosova?

Një zhvillim i çuditshëm i pasluftës ka qenë karakterizimi i sistemit ekonomik të Kosovës si “neo-liberal”.

Fjala “neo-liberal” është term derogator që i vishet përkrahësve të tregut të lirë.
Është krejtësisht e pakuptueshme se si ky term është përdorur për ta përshkruar sistemin ekonomik të Kosovës, i cili në asnjë mënyrë, masë, apo këndvështrim nuk radhitet lart në listen e lirive ekonomike.

Kosova nuk figuron në Liritë Ekonomike të Botës sepse nuk ka të dhëna por në Indeksin e Lirive Ekonomike (2014) të Fondacionit Heritage radhitet në grupin e vendeve “kryesisht jo të lira”, më keq se Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia. Në raportin e Të Bërit Biznes nga Banka Botërore, i cili gjithashtu i matë shumë aspekte të lirisë ekonomike, ajo ende radhitet e 75-ta në botë.

Kosova është larg reformave të cilat duhet t’i bëj për t’u karakterizuar si vend me liri ekonomike, ashtu siç është prapa me demokracinë, liritë politike, liritë e shtypit, etj.

Por përparësia e Kosovës si vend në zhvillim është  që mund të mësojë nga të tjerët pa pasur nevojë ta ri-zbulojë rrotën. Ajo mund t’i shmanget gabimeve duke analizuar mirë dëshmitë empirike e pastaj duke i përshtatur politikat ekonomike sipas nevojave.