Zhvlerësimi i Monedhës dhe Eksportet

Rritja e eksporteve kosovare ka qenë së paku pjesërisht motivi prapa thirrjeve që Kosova ta adoptojë monedhën e vetë e pastaj ta zhvlerësojë atë. Si me çdo ide të pranuar gjerësisht edhe këtu ka një të vërtetë të vogël, por një analizë më e thellë tregon që zhvlerësimi i monedhës nuk sjellë rezultate pozitive për ekonominë. 

Për ta krijuar mundësinë e zhvlerësimit, le të themi që Kosova e përdor dardanin si monedhë në vend të euros. Le të themi gjithashtu që një produkt X kushton 1 dardan në Kosovë kurse në tregun e monedhave dardani ka paritet me euron—pra 1 dardan është i barabartë me 1 euro. Nga kjo e shohim që importuesve të huaj i duhen vetëm 1 euro për ta blerë produktin X. Nëse të huajt importojnë 10 produkte X nga Kosova, eksporti i saj do të jetë në vlerë të 10 eurove apo 10 dardanëve.

Tani le ta zhvlerësojmë dardanin e Kosovës, për shembull për 50%, dhe të shohim se çka ndodhë. Meqë dardani është zhvlerësuar, ndryshimi i vlerës në mes dardanit dhe euros duhet të pasojë gjithashtu. Si rezultat i zhvlerësimit 50%, 1 euro nuk do të këmbehet më për 1 dardan por për 2.

Çka është arritur me zhvlerësimin e dardanit? Është e vërtetë që mbajtësit e euros tani me 1 euro mund t’i blejnë 2 dardanë, kurse më parë kanë mundur ta blejnë vetëm një. E me qenë se mund t’i blejnë dy dardanë, është gjithashtu e vërtetë që mund t’i blejnë dy produkte X sepse çmimi i secilit produkt është 1 dardan. 

E shohim, pra, që për mbajtësit e euros kundrejt dardanit, blerja e produktit X është bërë përgjysmë më e lirë. Ligji i Kërkesës thotë që për çmim më të vogël, një sasi më e madhe do të blihet, dhe si rezultat volumi i eksporteve do të rritet. Me këtë çmim më të vogël, 20 produkte X në vend të 10 do të blihen. Vlera totale e eksporteve do të jetë 10 euro apo 20 dardanë.

Por, a do të thotë që rritja në volumin dhe vlerën e eksporteve e ka bërë Kosovën më të pasur? Aspak. E tëra çka zhvlerësimi i dardanit ka sjellë është dhënia falas e një produkti. Për çdo 1 euro, Kosova tani jep dy produkte X në vend të një. Kjo nuk e ka bërë atë më të pasur. Përkundrazi, i ka bërë më të pasur mbajtësit e euros të cilët tani si rezultat i forcimit të monedhës së tyre (apo zhvlerësimit të dardanit) mund të marrin dyfish më shumë produkte X se sa më parë.

Madje, edhe ky iluzion i përfitimit zhduket shumë shpejtë sepse zhvlerësimi 50% i dardanit duhet të pasohet me rritjen e çmimeve—gjithashtu rreth 50%—të cilat do ta bëjnë produktin X të kushtojë 2 në vend të 1 dardan. Me çmimin e ri të produktit X kthehet situata origjinale ku 1 euro e ka blerë vetëm 1 produkt X (sepse 1 euro = 2 dardanë = 1 produkt X). Si rezultat, zvogëlohet edhe kërkesa nga 20 produkte X në numrin e mëparshëm 10, kurse vlera totale e eksporteve mbetet prapë 20 dardanë por ato kanë përgjysmë vlerë (aq sa 10 dardan “të vjetra”).

Zhvlerësimi i parasë sjell vetëm varfërim ekonomik sepse nënkupton dhënien falas të mallrave, përderisa e zvogëlon fuqinë blerëse të mbajtësve të dardanit në Kosovë për të cilët çmimet pothuajse dyfishohen. Imagjinojeni aplikimin e një politike të tillë mu tani kur një pjesë e konsiderueshme e popullësisë në vend përballet me kosto të lartë të jetesës. Politika e favorizimit të eksportuesve në kurrizin e konsumatorëve është politikë e interesave të veçanta, e cila nuk i shërben zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.

Për ta qartësuar më mirë, mund ta marrim edhe shembullin e kundërt të vlerësimit të dardanit për 50%. Në rast të tillë, në tregun e monedhave 1 dardan do të blinte 2 euro dhe me qenë se çmimi i produktit X është 1 dardan, do të duheshin 2 euro për ta blerë një. 

Kjo do ta bënte produktin X dyfish më të shtrenjtë për të huajt dhe do ta zvogëlonte volumin e eksporteve. Por në anën tjetër kosovarët do të gëzonin fuqi blerëse dyfish më të madhe se sa mbajtësit e euros dhe kështu do të mund të blinin më shumë mallra nga ta. Mallrat dhe shërbimet—e jo vlera nominale e monedhës—përbëjnë standardin e jetesës. Meqenëse dardani është vlerësuar për 50%, edhe çmimet ulen përafërsisht aq. Produkti X kushton vetëm 0.5 dardanë si dhe kthehet gjendja ku volumi i eksporteve ishte si më parë.

Por as vlerësimi artificial i parasë—i cila ka pasoja tjera ekonomike—nuk është patjetër i mirëseardhur përkundër faktit që i bën kosovarët së paku përkohësisht më të pasur. Zhvlerësimet edhe vlerësimet janë vetëm ndryshime të përkohshme derisa tregu vetë-korrigjohet nëpërmes ndryshimit të çmimeve.

Vlera e ulët e eksporteve të Kosovës është simptomatike e mos-konkurrueshmërisë së ekonomisë së saj në krahasim me vendet tjera. Njëri prej elementeve më të rëndësishme të konkurrueshmërisë ekonomike është stabiliteti i monedhës, jo zhvlerësimi i saj. Se cili është sistemi ideal monetar nuk i përket këtij diskutimi, por mjafton të thuhet që ideja e përhapur që zhvlerësimi i monedhës i rritë eksportet dhe si rezultat e zhvillon ekonominë, nuk ka bazë të fuqishme.