Avni Kastrati

Gjakovari i pensionuar

Kryetari Avni Kastrati jeton në një lagje pranë komunës që jozyrtarisht konsiderohet më e qeta e Mitrovicës, ndërsa ka epitetin e lagjes së intelektualëve.

Me prejardhje nga Gjakova, njeriu që në ditën e nisjes së fushatës për zgjedhjet e tre nëntorit, mbushi 65 vjet dhe moshën e pensionimit (i lindur më 3 tetor 1948), ende nuk konsiderohet i Mitrovicës, pasi e quajnë Avni gjakovari.

Në emisionin Jeta në Komunë, të premten e 11 tetorit, Kastrati më së shumti u kap me fjalë me Nexhmedin Spahiun, kandidatin e të Pavarurve të Mitrovicës. Kastrati e Spahiu kanë një histori të vështirë ndërpersonale.

Spahiu gjatë debatit akuzoi rëndë Kastratin dhe partinë e tij, ndërsa kryetari i Mitrovicës ia ktheu atij se “duhet shikuar kush flet, e jo çfarë flet”.

Kastrati është në një beteje gjyqësore për ca lokale që shfrytëzon Spahiu, por e ka mposhtur atë në balotazhin për zgjedhjet lokale të vitit 2009, edhe pse Spahiu thotë se e ndjen veten kryetar legjitim- ngase atij në një qendër votimi në vendin e quajtur Tuneli i Parë në Mitrovicës- “i janë vjedhur votat”. Ndërsa për këtë rrethanë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë është duke bërë hetimet dhe pritet që të fillojë procesi gjyqësor.

Kastrati, më pas kur konsolidoi pushtetin, në vitin vijues pas balotazhit, gjatë 2010-ës, i ofroi bashkëqeverisje partisë së njeriut që mundi në balotazh, duke i dhënë AKR-së tri drejtori: atë të Administratës, të Bujqësisë dhe Drejtorinë e Mbrojtjes së Ambientit.

Kastrati, para se të bëhej kryetar i Mitrovicës, njihej më tepër si biznesmen. Ai zotëronte dy kompani Eko-Kosovën për prodhimin e konstruksioneve metalike dhe Oil-Trade-n për tregti me karburante dhe lëndë djegëse të gazta e të lëngëta, pronësinë ndaj të cilave nuk e kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, me pretekstin se ka shuar aktivitetin afarist, ndërsa kompanitë me emrin e tij figuronin në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve.

Kastrati i tha në maj të vitit të kaluar Gazetës Jeta në Kosovë se bizneset në emër të tij nuk ishin çregjistruar për shkak të neglizhencës së ARBK-së. Ai ka deklaruar detyrime financiare (kredi) në shumën prej 54 mijë eurove në dy banka kosovare, 30 mijë në TEB dhe 24 mijë në Bankën Ekonomike.

Edhe gruaja e tij Afërdita, kur foli për bashkëshortin e saj në Emisionin Jeta në Komunë të premten e 11 tetorit, deklaroi se përpara, kur Kastrati nuk ishte i pari i Mitrovicës, jetonin më mirë.

Inxhinieri i makinerisë në Universitetin e Prishtinës, që u dha ndër të parët mësim në gjuhën shqipe nxënësve të shkollave profesionale të Mitrovicës, pasi braktisi arsimin në vitin 1976, gjithmonë mbajti poste udhëheqëse.

Kaloi nëntë vjet punë në periudha të ndryshme kohore, nëpër pjesë të ndryshme prodhuese të Kompleksit Trepça, ndërsa në vitet 1992-1999 drejtoi ndërmarrjen “Noring” në Mitrovicë.

Kastrati ka një shtëpi prej 400 metrash katrorë, të cilën vetë e ka vlerësuar në vlerën e 350 mijë eurove.Ai vozit Citroen C3.

Avniu dëshiron të mbahet mend për ato që ka bërë si kryetar i Mitrovicës, tha gruaja e tij Afërdita për Jetën në Komunë.