Shaban Dragaj

Komandanti i papunë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës,betejën për Mitrovicën ka vendosur t’ia besojë Shaban Dragajt, një ushtaraku të ish-armatës jugosllave, më pas të luftës për liri të Kroacisë dhe Kosovës.

Dragaj, dëshirën për rend dhe qetësi që i karakterizon ushtarakët e shprehu haptas në debatin e Mitrovicës të Emisionit Jeta në Komunë, kur kërkoi përballje të qytetëruar me kundërkandidatët, mes zhurmës së madhe të publikut.

Dragaj aktualisht thotë se është i papunë, ndërsa deri në vitin 2002 ka qenë punëtor i kompanisë “Dragaj & co”, të cilën e drejton djali i tij.

Ai si të ardhura ka përmendur vetëm pagën e gruas që punon si infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare të Mitrovicës dhe ndonjë të ardhur tjetër nga puna e përkohshme e djemve të tij.

Dragaj, nëse zgjidhet në krye të Mitrovicës, garantoi se do t’u ofrojë qytetarëve ndershmëri, siguri dhe profesionalizëm, tri gjëra që sipas tij garantojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Ai premtoi ngritje të nivelit të vendimmarrjes së qytetarëve dhe zbutje të papunësisë, edhe pse vetë u takon të papunëve.

Dragaj iu bashkua UÇK-së në fillim të vitit 1998, duke vepruar në tri zona ku luftimet ishin nga më të ashprat. Në fillim në zonën e Dukagjinit, pastaj në të Pashtrikut dhe në fund në të Drenicës.

Ai ishte zëvendëskomandant në Brigadën 121 që drejtohej nga Fatmir Limaj.

Edhe pas luftës, kreu detyra ushtarake, duke qenë epror i gardës në vitin 2000, ndërsa gjatë dy vjetëve vijues u angazhua për formimin e Departamentit të mbrojtjes, pasi punonte në Mbrojtjen Civile dhe Gatishmërinë Emergjente.

Dragaj në shtator dhe tetor të vitit 2002 ishte kryetar i degës së PDK-së në Mitrovicë. Në vitin 2004, një parti të themeluar nga njerëzit e UÇK-së, e ndërroi me partinë tjetër të krijuar prej tyre- AAK-në.

Në akademinë e kryer në Beograd, Dragaj studioi në shërbimin financiar të ushtrisë, prandaj edhe premtoi mirëqenie për mitrovicasit.

Dragaj thotë se jeton në pronë familjare të trashëguar në fshatin Shipol, përkatësisht në shtëpinë e vëllezërve të tij.

Ai tregon se ka dhënë kontribut edhe në sportin mitrovicas, duke u ndihmuar klubeve të futbollit dhe atletikës në këtë qytet. Dragaj në vitin 2003 ka vozitur makinën e tipit BMW 240, ndërsa tash e ka një Pezho 405.

Ai nuk pranoi që t’i intervistohen familjarët nga gazetarët e Emisionit Jeta në Komunë, pasi me fjalë të mësuara në ushtri, tha se nganjëherë duhet të bëhet përjashtim nga rregullat.