Përqindja e Daljes Po i afrohet Asaj Të 3 Nëntorit

Deri në orën 15, dalja në votime për raundin e balotazhit është për rreth 5 për qind më e ulët krahasuar me daljen në të njëjtën kohë për raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtura më 3 nëntor.

Sipas të dhënave të KQZ-së, 7,73 për qind e qytetarëve me të drejtë votë për garën e balotazhit kanë votuar deri në orën 11, kurse për të njëjtën kohë në rundin e parë të zgjedhjeve  të mbajtur më 3 nëntor, përqindja e daljes ishte 12,62 për qind.

Edhe në orën 15:00 dalja më 1 dhjetor ka mbetur më e ulët, krahasuar me raundin e parë.  Më 3 nëntor, deri në orën 15:00, 32,97% e qytetarëve kishin shfrytëzuar të drejtën e votës, deri sa në raundin e dytë përqindja e daljes në zgjedhje është 27,89 për qind.

Deri në orën 15:00, më 3 nëntor dalja në votime në Prishtinë ishte 34,10%, kurse më 1 dhjetor kjo dalje deri në këtë kohë është 27,09 për qind; më 3 nëntor në Prizren dalja ishte 21,76% kurse më 1 dhjetor dalja është 29,33 për qind; në Pejë më 3 nëntor të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 28,98 për qind, kurse më 1 dhjetor kanë dalë 27,91 për qind e qytetarëve për të votuar.

Në Ferizaj më 3 nëntor deri në orën 15:00 votuan 32,44 për qind kurse deri në këtë kohë më 1 dhjetor kanë votuar 30,05 për qind; në Gjilan më 3 nëntor kishin dalë 37,16% e qytetarëve në votime deri në orën 15:00, kurse më 1 nëntor dalja është 32,05%; në Mitrovicën e Jugut më 3 nëntor deri në orën 15:00 kanë dalë 30,10% e qytetarëve kurse më 1 dhjetor dalja është 22,43 për qind.

Në disa nga komunat me shumicë serbe, dalja në votime për balotazh deri në orën 15:00 nuk është shumë ndryshe nga dalja e po të njëjtës kohë më 3 nëntor.  Në Partesh më 3 nëntor dalja ishte 50,44%, kurse më 1 dhjetor është 51,52 për qind, kurse në Ranillug më 3 nëntor dalja ishte 40,91 për qind, kurse më 1 dhjetor është 40,53 për qind.

Në Gracanicë më 3 nëntor dalja ishte 39,65 për qind, kurse më 1 dhjetor deri në orën 15:00 është 33,50 për qind; në Kllokot deri në orën 15:00 dalja ishte 52,74%, kurse më 1 dhjetor deri në këtë kohë dalja është 42,15 për qind.

Deri në orën 11:00, dalja në zgjedhje sipas KQZ-së ishte më e ulët për më shumë se 100 mijë persona, në raport me të njëjtën periudhë matëse të 3 nëntorit.

Në konferencën e mbajtur në këtë kohë, kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor Valdete Daka, kishte lënë fajtor motin e keq për pjesëmarrjen më të ulët në zgjedhje.