Monitoruesit e BIRN-it Pengohen Në “Koloni” Të Gjakovës

Ekipi i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese në Gjakovë, ka marrë informata se në lagjen “Kolonia”, persona të paautorizuar janë duke i detyruar banorët romë dhe egjiptianë të votojnë për njërin kandidat.

Me të shkuar në këtë lagje Augustin Bushi, që nuk është banor i saj, ka penguar ekipin ta kryejnë punën e tyre. 

Ai ka filluar t’i ofendojë dhe t’i kërcënojë se duhet të kthehen nga kanë ardhur, duke mos i lënë as të prezantohen se për çfarë janë aty. 

Lokali pranë të cilit ka qëndruar Bushi, ka qenë i mbushur me posterë të kandidatit Pal Lekaj. 

Për rastin është lajmëruar edhe Policia e Kosovës, e cila Augustin Bushin pas intervestimit, e ka dërguar në mbajtje. 

Shpresa Bakija, kryeprokurore e Prokurorisë Themelore në Gjakovë i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë, se personi është dërguar në mbajtje për pengim të personave zyrtarë. 

“Personi është dërguar në mbajtje për 24 orë, ngase ka penguar personat zyrtarë të kryejnë punën e tyre”, i tha Bakija Gazetës.

Ndërkohë Qazim Mehmeti, shef i Shtabit Zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deklaroi se nuk është në dijeni për arrestimin e Augustin Bushit. 

“Ne nuk e njohim këtë person. Nuk është i AAK-së dhe as që jemi në dijeni se në Koloni po bën presion dikush. Nuk ka pas zgjedhje më të qeta se sa sot”, ka deklaruar Mehmeti.