Në Novobërdë Ditën e Zgjedhjeve Shpërndahet Material Ndërtimor (TV)

Dy kamionë të kompanisë “Al Trade”, kompani e kontraktuar nga Ministria për Kthim dhe Komunitete,  janë parë të dielën, ditën e zgjedhjeve duke shpërndarë material ndërtimor në Novobërdë.

Rastin e shpërndarjes së materialit ndërtimor në ditën e zgjedhjeve, e ka denoncuar kryetari i tashëm  i Novobërdës Bajrush Ymeri që vjen nga LDK-ja, e i cili është në balotazh me Svetisllav Ivanoviqin nga Iniciativa Qytetare Srpska.

Ymeri thotë se nuk është kundër shpërndarjes së materialit ndërtimor për banorët e Novobërdës, por që kjo të bëhet ditën e zgjedhjeve është e papranueshme, ndërkohë që pretendon se kjo është bërë për t’i dëmtuar gjasat e tij për t’u rizgjedhur kryetar i Novobërdës.

Shukri Aliu, komandant i stacionit policor në Novobërdë, pohoi se janë ndaluar dy kamionë me material ndërtimor, me urdhër të prokurorit.

“Përfaqësuesit e kompanisë pronare të kamionëve kanë thënë se janë duke shpërndarë materialet me pëlqim të Ministrisë së Kthimit”, tha Aliu.

Sipas tij, përfaqësuesit e kompanisë i kanë thënë policisë se Ministria e ka paraparë që prej 27 nëntorit të shpërndahet ky material, por që sipas tyre për shkak të motit të lig nuk është shpërndarë deri tash.

Përafërsisht, të njëjtën gjë e thotë edhe Bajram Gashani, drejtor i kompanisë ndërtimore “Al Trade”.

Ai i tha Gazetës Jeta në Kosovë se shpërndarja e materialit ndërtimor derivon nga kontrata të cilën e kanë lidhur me Ministrinë për Kthim dhe Komunitete.

“Shpërndarja ka qenë e paraparë të bëhet gjatë datave 27, 28 dhe 29 nëntor. Megjithatë meqë 28 Nëntori ishte festë shtetërore, ne nuk punuam, andaj shpërndarja vazhdoi edhe në ditët në vijim”, tha Gashani.

Gashani shtoi se shpërndarja e materialit ndërtimor në ditën e zgjedhjeve, është një koincidencë dhe arsyeja pse punëtorët e kompanisë punojnë sot, është sepse moti është relativisht i mirë, ndërsa frikësohen se ditën e nesërme do bjerë borë, gjë që do pengojë punën.

Ministri për Kthim dhe Komunitete Dalibor Jevtiq që vjen nga partia SLS, thotë se nuk është në dijeni për këtë rast.

“Personalisht unë nuk merrem me këto çështje, sepse janë administrative, por mendoj që kjo nuk është dashur të ndodhë në ditën e zgjedhjeve. Unë do të verifikoj njerëzit që janë duke e bërë këtë punë në terren, kështu që kjo të mos ndodhë sot”.


Foto: Lum Ademi