48 orë ndalim për komisionerin e PDK-së

(E plotësuar) Prokuroi kujdestar në Viti, Isak Ademi, konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se ka vendosur që i dyshuari Agim Bajrami të mbahet 48 orë në ndalim. 

Ai po dyshohet për ndikim në votues.

15: 18 Komisioneri i PDK-së Dyshohet Për Ndikim në Votues 

Agim Bajrami, komisioner i Partisë Demokratike të Kosovës në fshatin Tërpezë të Komunës së Vitisë, është shoqëruar në polici, nën dyshimin për keqpërdorim të votës. 

Ai është komisioner në shkollën fillore “7 shtatori”, të këtij fshati.

Prokuroria dhe policia kanë konfirmuar ndalimin e Bajramit.

“Është ndalu prej policisë për shkak të keqpërdorimit të votës. Rasti ka kaluar në prokurori”, deklaroi Ismet Hashani zëdhënës i Policisë Rajonale të Gjilanit.

Prokuroi kujdestar në Viti, Isak Ademi, deklaroi se Bajrami po intervistohet nën dyshimin për keqpërdorim të votës.

“Bëhet fjalë për vepër penale e që është keqpërdorimi i votës”, deklaroi Ademi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Rasti është paraqitur nga dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Viti.

LDK-ja e Vitisë e ka paraqitur rastin duke lajmëruar në KKZ

“Vëzhguesit e kanë parë Bajramin duke ndikuar tek një i moshuar që të votojë për PDK-në”, ka deklaruar Hasan Alia, shef i Shtabit Zgjedhor të LDK-së në Viti.

Ndërkohë Avdyl Bajrami, shef i Shtabit Zgjedhor të Nexhmendin Arifit kandidatit të PDK-së , konfirmoi se  Agim Bajrami është komisioner i PDK-së në Tërpezë.

“Shpresojmë që  nuk ka me pas arsye që ai të mbahet në ndalim apo në polici më gjatë”, deklaroi Bajrami.