Hapet Rast Ndaj Nënkryetarit të Lipjanit

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Brahim Sadriu ka bërë të ditur për Gazetën Jeta në Kosovë se është duke u hetuar konflikti i raportuar mes nënkryetarit të Lipjanit Florent Hoxha, i cili është nga radhët e subjektit PDK dhe simpatizantëve të LDK-së në këtë fshatin Vrellë të Lipjanit. 

Incidenti dyshohet se ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23 në Vrellë të Lipjanit.

“Është raportuar se një grup i qytetarëve e kanë penguar qarkullimin e nënkryetarit në fshatin Vrellë, pasi që banorët e kanë akuzuar atë dhe personat e tjerë që ndodheshin në veturë se kanë dalë për blerje votash”, ka deklaruar Sadriu.

“Të dy palët e kanë paraqit rastin dhe janë shoqëruar në polici, ku janë marrë në pyetje” tha Sadriu.

Prokurori Imer Beka ka thënë se është njoftuar lidhur me këtë ngjarje dhe se është hapur si rast.

“Janë marrë në pyetje të dy palët, është rast i hapur, por ende nuk është konstatu që ka pasur tentim për blerje votash”, tha Beka. 

I kontaktuar nga gazeta, Florent Hoxha nënkryetari i Lipjanit ka mohuar akuzat e LDK-së se gjoja ai ka shkuar në çdo shtëpi të fshatit Vrellë duke kërkuar votën. 

Hoxha i ka quajtur shpifje deklaratat e LDK-së, pasi siç thotë ai, ka qenë duke shkuar për kafe në fshatin Vrellë, e jo për të kërkuar vota.

“Nuk kam shkuar në asnjë shtëpi të vetme, krejt janë shpifje, unë mund të dëshmoj këtë, kurdo që të më kërkohet. Kam qenë duke shkuar për të pi kafe me shokun tim në një restorant aty dikund rreth orës 22 të mbrëmjes “, tha Hoxha për Gazetën Jeta në Kosovë.

Hoxha tha se është penguar qarkullimi i tij nga përkrahësit e LDK-së në këtë fshat dhe se për këtë ka lajmëruar policinë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Lipjan, përmes një njoftimi për media ka thënë se në fshatin Vrellë nënkryetari Florent Hoxha me veturë zyrtare të Kuvendit Komunal dhe disa militantë të partisë së PDK-së, kanë vizituar derë me derë shtëpi për shtëpi qytetarët e fshatrave Leletiq, Vërshevc, Magurë, Qylagë, Vrellë etj.

“Qytetarët e Vrellës kanë tentuar ta ndalojnë këtë automjet për t’u informuar çfarë po kërkohet në fshatrat e tyre, prandaj në këtë rast nënkryetari Florent Hoxha ka tentuar ta godasë me automjet një qytetar të Vrellës, sepse i lartpërmenduri ka tentuar blerjen e votës dhe shantazhimin e qytetarëve të këtyre lokaliteteve”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Ndërkohë në garë për të parin e Lipjanit janë Shukri Buja nga Partia Demokratike e Kosovës me 35,88 për qind të votave, të fituara nga raundi i parë, ndërsa Imri Ahmeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 35.33 për qind të votave të qytetarëve të Lipjanit, në të njëjtin raund.