Daka Fajëson Motin Për Më Pak Votues

Në konferencën e dytë për media, kryetarja e KQZ-se Valdete Daka njoftoi se deri më tani nuk ka pasur parregullsi, ose ngjarje të cilat do të mund të prishnin imazhin e zgjedhjeve. Ajo bëri të ditur se për parregullsi të tilla, do të informojë Prokuroria e Shtetit në daljet e saj para medieve.

Daka tregoi se dalja në votime deri në orën 11 është 7,67 për qind. Sipas saj, votën e tyre e kanë dhënë 102 mijë e 5 qytetarë. Dalja në rrethin e parë më 3 nëntor deri në këtë kohë ishte 12.03 për qind.

Në zgjedhjet e tre nëntorit reri në orën 11 në tërë Kosovën patën votuar 214 mijë e 29 votues, ose 12.03 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve, sipas kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor Valdete Daka.

Daka, gjatë konferencës, e fajësoi motin e keq për dalje më të ulët të qytetarëve me të drejtë vote.

Dalja në komunat me shumicë serbe,në bazë të shifrave të KQZ-së është më e lartë se në vendbanimet tjera të Kosovës.

Në komunën e Shtërpcës të drejtën e votës deri në orën 11 e kanë shfrytëzuar 11,51 për qind e qytetarëve, në Graçanicë 10,68%, në Ranillug 14,05%, në Partesh 15,95%, dhe në Kllokot 13,86%.

Më pak votues dolën në Mitrovicën Veriore (4.65) dhe Zveçan (8.90). Zëdhënësi i OSBE-së Nikola Gaon, tha se gjithçka po shkon si duhet atje.

Në komunat tjera të Kosovës, dalje më të theksuar pati në Gjakovë, ku deri në orën 11:00 votuan 11.47 për qind të qytetarëve me të drejtë vote. Në qytetet tjera të mëdha, dalja është nën dhjetë për qind.

Zgjedhjet e balotazhit janë duke u mbajtur në 25 komuna. Sipas KQZ-së, 1 milion e 371 mijë e 524 qytetarë me të drejtë vote do t’u drejtohen 594 qendrave të votimit, për të zgjedhur kandidatët që garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për vitin 2013.