Demokracia në Veprim Evidenton Parregullsi

Fotografimi i votës, prezenca e materialeve propaganduese dhe probleme me listat e votuesve janë disa nga parregullsitë që vëzhguesit dhe ekipet mobile të “Demokracisë në Veprim” kanë evidentuar në orët e para të procesit zgjedhor.

Sipas këtij rrjeti, në Prizren në afërsi të shkollave “Remzi Ademi” dhe “11 Marsi”, është raportuar se ka prezencë të materialit propagandues të subjekteve politike. Gjithashtu, raste të prezencës së materialit propagandues janë evidentuar edhe në fshatin Pleshinë të Ferizajt, në shkollën “5 dëshmorët e UÇK-së” dhe në Varosh të kësaj komune, në shkollën Visar Dodani”.

Materiale propaganduese ka edhe në Mitrovicë në shkollën “Bedri Gjina” të Sitnicës dhe atë “1 Maji”, të Shupkovcit, si dhe në Vushtrri në shkollën “Liria” të Zhilivodës.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, materialet propaganduese zgjedhore duhet të jenë në perimetrin prej 100 metrash larg qendrave të votimit.

Vëzhguesit e “Demokracisë në Veprim”, u kanë bërë thirrje institucioneve kompetente që të marrin masa ndaj 20-30 personave të cilët po qëndrojnë para dyerve të një qendreje votimi në Prizren.

“Në Prizren, në shkollën “Fadil Hisari” në lagjen Tusuz, para dyerve të kësaj qendreje të votimit ka një prezencë të 20-30 personave të cilët qëndrojnë aty në mënyrë të vazhdueshme. Ju bëjmë thirrje institucioneve kompetente që personat e tillë t’i largojë nga ajo hapësirë, në mënyrë që të mos paraqesin pengesë dhe ndikim tek votuesit”, thuhet në komunikatën e “Demokracisë në Veprim”.

Sipas këtij rrjeti në disa vendvotime janë raportuar probleme me lista të votuesve, qoftë me prezencën e personave të vdekur në lista, qoftë me vështirësitë e qytetarëve për ta gjetur emrin në listat e votuesve.

“Demokracia në Veprim” u bën thirrje gjithë votuesve që të dalin në zgjedhje për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre demokratike dhe kushtetuese.

Me 1 dhjetor po mbahen zgjedhjet lokale për raundin e dytë të votimit në 25 komuna të Kosovës, në të cilat kandidaëtt për kryetarë nuk kanë  arritur të marrin votat e duhura në zgjedhjet e 3 nëntorit.