Dalje e Gjerë në Partesh e Pasjan

Nga 596 votues të regjistruar në Partesh, 250 prej tyre kanë votuar para orës 13, thotë Nebojsha Saviq, kryesuesi i qendrës së vetme të votimit në këtë qytezë.

Po ashtu edhe në Pasjan fshat i komunës së Parteshit para orës 13 kanë votuar 199 qytetarë  nga 469 votues sa janë të regjistruar.

Këtë e ka konfirmuar  Zvonko Janciq, kryesues i qendrës së votimit 3633D në Pasjan.

Votohet Qetësisht në Kllokot

Në komunën e Kllokotit zgjedhjet janë duke u zhvilluar qetësisht, nëpër shtatë qendrat e votimit të kësaj komune. Sipas të dhënave të KQZ-së deri në orën 11.00, dalja në zgjedhje ishte 15.97 për qind.

Në Shkollën “Sveti Sava”, një qendër votimi me dy vendvotime, nga 998 votues të regjistruar, deri në orën 11.00 votuan 254 persona.

Këto të dhëna i deklaroi përgjegjësi i qendrës Milivoje Spasiq.

Edhe në çerdhen e Kllokotit që po shërben si njëra nga qendrat e votimit, me një vendvotim, deri në orën 11.00 votuan 21 nga 88 personat me të drejtë vote.

Këtë e tha për Gazetën Jeta në Kosovë Vllasta Djoziq, kryesues i qendrës 3708 d/0,1 d.

Votimi në Kllokot po zhvillohet pa probleme, ndërsa nuk është raportuar për ndonjë incident.