Shtabet Zgjedhore: Zgjedhjet Po Ecin Mirë

Blerand Stavileci, zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se deri më tani nuk janë informuar për ndonjë parregullsi gjatë votimit në Prishtinë.

Vjosa Osmani, Shefe e Shtabit Zgjedhor të LDK-së në Prishtinë i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë, se procesi po shkon sipas rregullave, por komisionet e LDK-së, kanë vërejtur disa parregullsi nëpër qendrat e votimit në Kosovë.

“Në një rast komisionarët e LDK-së, kanë vërejtur se janë nxjerrë dy fletëvotime jashtë dhe në një rast është vërejtur që disa zyrtarë të partive politike kanë bërë presion te qytetarët për kënd me votu”, tha Osmani.

Jetlir Zyberaj, drejtues i Shtabit Zgjedhor të AKR-së, i ka thënë gazetës se kanë parë persona zyrtarë jashtë qendrave të votimit duke bërë presion te qytetarët.

“Visar Ymeri, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, ka bërë presion te qytetarët për të votuar”, tha Zyberaj.

Erzen Vraniqi, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, i ka thënë gazetës se procesi i zgjedhjeve është duke shkuar mirë.

Vraniqi, thotë se akuza që është bërë ndaj Visar Ymerit, është shpifje.

“Ai ka votuar në shkollën Faik Konica dhe nuk është e vërtetë që ka bërë presion te qytetarët”, tha Vraniqi.

Ernest Luma, zëdhënësi i AAK-së, i tha Gazetës se procesi është duke shkuar në rregull dhe nuk kanë vërejtur ndonjë parregullsi deri më tash.

Petrit Reçica Shef i Shtabit Zgjedhor, në Partinë e Fortë ka thënë se po ruhet vota prishtinase ku të gjithë të gjallë dhe të vdekur po ushtrojnë të drejtën e votës . 

“Më rritet zemra teksa shoh këtë numër të madh të rinjsh që jo vetëm me maturi po e ruajnë votën prishtinase, por po kujdesen që të gjithë qytetarët, të gjallë e të vdekur, të ushtrojnë të drejtat e tyre qytetare në mënyrë të barabartë në këtë ditë vendimtare për kryeqytetin”, tha Petrit Reçica.

Edhe policia ka konfirmuar një proces zgjedhor të deritashëm, pa incidente që do të mund ta dëmtonin këtë proces. 

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk është raportuar për ndonjë incident që kur policia ka nisur të zbatojë planin për zgjedhje.

“Që nga ora 3 e mëngjesit kur dhe ka nisur zbatimi i planit operativ për zgjedhje, do të thotë, sigurimi i procesit të bartjes së materialit sensitiv nëpër qendra të votimit, e deri më tani, nuk është shënuar ndonjë incident”, tha ai.

Policia ka angazhuar 5 mijë e 500 pjesëtarë të saj, për garantimin e sigurisë në zgjedhje.

Edhe Demokracia në Veprim nuk ka vërejtur shumë parregullsi deri tash.

Sipas organizatës që monitoron zgjedhjet, janë hapur të gjitha qendrat e votimit, përveç qendrës 1908e në Prishtinë, e cila është hapur me 1 orë vonesë. Edhe në disa qendra vëzhguesit e Demokracisë… kanë vërejtur vonesë të hapjes prej 10 deri 20 minutash.

Në qendrën 1907e 02/d vëzhguesit e DnV-së kanë parë një person të ketë votuar dy herë. Në po qendër janë raportuar probleme me llambën ultravjollcë.