Sjellja Prindërore e Jacobson

Ambasadorja Jacobson foli hapur. Me atë gjuhën e drejtpërdrejtë që është e nevojshme për ta përçuar një mesazh të qartë, por edhe me qasjen e vetme që fatkeqësisht kryen punë te elita jonë politike – atë të prindit autoritar që e disiplinon fëmijën e papërgjegjshëm me qortim.

Meqëgjatë studimeve post-diplomike më ka rënë ta studioj çështjen e zhvillimit psikologjik të njeriut gjatë moshës kritike 0-6 vjet (kohë kur formësohet mes tjerash edhe baza jonë psiko-sociale), duke bërë madje edhe punë praktikë në një kopsht në SHBA, e di se ekzistojnëdy qasje pedagogjike se si fëmijës tentohet t’i mësohet përgjegjësia personale.

Sipas qasjes tradicionale, gjithnjë e më të rrallë në praktikën perëndimore, por të zbatuar gjerësisht në familjet dhe shkollat tona, fëmija trajtohet sikur të ishte një budalla të cilit përgjegjësia i duhet mësuar në mënyrë autoritare, duke e orientuar drejt sjelljeve të duhura dhe duke i bërtitur, apo në raste ekstreme edhe duke e rrahur, kur gabon.

Problemi me këtë qasje është se njeriu bëhet i varur ndaj figurës së jashtme të autoritetit për kontrollin ndaj sjelljeve të tija. Në mungesë të kësaj figure, ai/ajo pret që dikush t’i thotë se çfarë të bëjë dhe e kupton se e ka tepruar vetëm po erdhi dikush që ta qortojë dhe t’i bërtasë

Në anën tjetër, qasja bashkëkohore pedagogjike është ajo ku fëmijëve u jepen udhëzime por u lejohet qëtë gabojnë, sepse mësojnë nga pasojat e gabimeve të tyre.

Për shembull, në kopshtin ku unë bëja praktikë, edukatoret nuk ua lanin fëmijëve enët pas shujtës dhe as nuk ngulmonin që fëmijët vetë ta kryenin këtë detyre. Ua linin pjatën qëllimisht të përlyer në tavolinë, në mënyrë që ata ta gjenin në gjendje të tillë ditën e nesërme. Nuk ua shërbenin ushqimin, derisa kjo punë të kryhej.

Kjo qasje prodhon njerëz me mekanizma të brendëm kontrolli. Këta nuk kanë nevojë që dikush t’u thotëse cili është kursi i përgjegjshëm i veprimit. E dinë instinktivishtse gabimet sjellin pasoja.

Përvojat e arsimimit autoritarnë familje dhe shkollë, por edhe të jetesës në regjime autoritare politike, kanë lënë pasoja të thella në shoqërinë tonë. Kjo është edhe një prej arsyeve përse ne jemi kaq të papërgjegjshëm dhe abuzues në raport me institucionet tona shtetërore të epokës demokratike.

Shteti nuk ka aq autoritet dhe forcë për të na detyruar qët’i kryejmë detyrimet tona ndaj shoqërisë – të paguajmë taksa, të mos ndërtojmë pa leje, etj. Ndërkohë ne nuk i kemi përbrëndësuar këto përgjegjësi si detyrime, sepse familja, shkolla dhe shteti na kanë mësuar që disiplinën ta presim prej jashtë.

Nga ky problem i mungesës së mekanizmave të brendshme të përgjegjësisë vuan edhe elita jonë politike. Ngërçi është simptomë e tij. 

Që disa muaj dihej se LVAN-i nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të tërhiqej nga kërkesa për postin e kryeparlamentarit, sepse ky ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Por u desh që të dilte një autoritet i jashtëm i fortë si Jacobson për ta dërguar një selam të ashpër që kjo punë të kryhej. “Mos e prek! Kaka!”, bërtiti nana amerikane dhe LVAN-i menjëherë i hoqi gishtat nga priza.

Tani e shohim PDK-në duke i futur gishtat mu te kjo prizë, duke refuzuar ta thërrasë seancën themeluese të Kuvendit, e cila do i jepte procesit kufij të qartë kohor dhe do e detyronte arritjen e ndonjë marrëveshjeje ose, në mungesë të saj, shpalljen e zgjedhjeve të reja.

A duhet gjithsesi ta çojmë punën deri te qortimi i radhës?

Ambasadat perëndimore luajtën rol korrekt gjatë muajve të fundit. Me gjasë e kanë parë se sjelljet e tyre të së kaluarës kanë krijuar varësi patologjike duke i dëmtuar mekanizmat tona të përgjegjësisë. Prandaj edhe nuk u përzien aktivisht, por u mjaftuan me caktimin e ca kornizave që janë jo vetëm në interesin e tyre, por edhe tonin, sidomos vazhdimi i dialogut me Serbinë.

Na i hoqën rrotat e vogla dhe ndihmëse-anësore nga biçikleta për të parë se çfarë po ndodh, por ne morëm hyxhym për t’u marrë me çiklizëm malor.

Ndoshta edhe do të bënin mirë sikur të na lejonin që të rrëzoheshim nga biçikleta dhe të mësonim diçka prej kësaj pune. Siç thoshte i madhi Niçe: “Çfarëdo që nuk të vret, të bën më të fortë”.

Por ka edhe rrëzime që të lënë me pasoja të pakthyeshme. Me sfidat që po na presin nuk e kemi fort luksin e eksperimenteve. Me fjalë të tjera: “Nuk bën me e dhi!” Prandaj ndërhyrjet si këto të Jacobsonit janë po aq të mirëseardhura sa janë edhe tragjike.