Përtej Kompleksit të Inferioritetit dhe Krenarisë Idiote

Te romani i mrekullueshëm“Libri i zi”, shkrimtari më i madh turk i ditëve të sotme, Orhan Pamuk, flet për një artist të zotin nga Stambolli, një prodhues manekinësh (kukullash në forma njerëzore si ato që i shohim në dyqane rrobash), të cilit regjimi i sulltan Abdylhamidit ia kishte ndaluar ekspozimin publik të punëve. 

Arsyeja? Feja islame nuk lejonte që figurat njerëzore të imitoheshin me kaq saktësi.  

Me ardhjen e regjimit pro-perëndimor dhe modernizues të Ataturkut, prodhuesi i manekinëve shpreson se më në fund mund t’i nxjerrë punët e tija nga bodrumi. 

Shpresat i varë te dyqanet e shumta që ndërkohë kishin mbirë në Stamboll për të shitur veshmbathje perëndimore. Këto kishin hyrë në modë, sepse shehërlinjtë ndjenin nevojë për t’u dukur sa më evropianë.

Artisti megjithatë zhgënjehet shumë shpejt. Dyqanet nuk ia blejnë manekinët për shkak se ai duke qenë një studiues akademik i fytyrave dhe gjesteve të popullit të tij, kishte prodhuar figura që dukeshin“tepër turke”! 

Dyqanxhinjtë e Stambollit preferonin të importonin manekinë me fytyra evropiane. 

Ata kishin frikë se njerëzit nuk do t’i blinin rrobat perëndimore nga dyqanet e tyre nëse manekinët do t’ua përkujtonin pamjen e tyre të vërtetë fizike, atë orientale!  

Fati ironik i prodhuesit të manekinëve është alegoria më mbresëlënëse që e kam lexuar ndonjëherë për kompleksin e thellë të inferioritetit që ka mbizotëruar për më shumë se një shekull jo vetëm në Turqi, por edhe në pjesë të tjera të botës islame, e më vonë edhe në lindjen post-komuniste, ndaj një civilizimi perëndimor që ndodhej në zenitin e zhvillimit ekonomik, politik, teknologjik dhe kulturor. 

Ky kompleks inferioriteti shpesh ka arritur deri aty sa i ka shtyrë lindorët që të kërkojnë“arratisje”prej tipareve karakterizuese të identitetit të tyre, madje edhe të pamjes fizike (si manekinët e Pamukut), sepse ato përjetoheshin si pjesë e një tërësie kulturore që është në thelb inferiore dhe e pamjaftueshme në krahasim me atë perëndimore.

Në rrethet e intelektualëve të majtë ky lloj kompleksi interpretohet kryesisht si simptomë e hegjemonisë perëndimore, apo si zgjatim i dominimit ekonomik dhe politik të perëndimit në rrafshin kulturor. 

Siç argumenton për shembull Eduard Said te“Orientalizmi”, problemi me popujt e lindjes është se për shkak se janë të nënshtruar politikisht dhe ekonomikisht, përfundojnë duke e vlerësuar veten kulturalisht me parametrat e përcaktuara nga perëndimi (pra si inferiorë, si “Tjetri”). 

Kësisoj, ata veprojnë nën trysninë e “vështrimit post-kolonial”, ku i nënshtruari vazhdimisht ndjen se duhet ta fitojë respektin e nënshtruesit duke u bërë si ai, ashtu siç fëmijët ndjejnë nevojë për t’i impresionuar prindërit duke bërë gjëra që i kënaqin ata.

Por fakti të cilin e majta anti-kolonialiste shpesh e injoron është se kompleksi i inferioritetit nuk prodhon vetëm vetëmohim dhe dëshirë për “arratisje prej vetvetes”. 

Ai di ta arrijë edhe efektin e kundërt kur i nënshtruari me vetëbesim të dobët preket në sedër dhe përfundon duke e mbrojtur atë që nënshtruesi ia përçmon.

Ndjenja e krenarisë e shtyn atë që t’i mbrojë në kallëp, madje edhe t’i glorifikojë, vlerat që nënshtruesi ia konsideron si inferiore, madje edhe ato më primitivet (si psh. shtypjen e grave, ksenofobinë), thjesht sepse janë tradita të tijat dhe si të tilla e fitojnë statusin e vlerave “të natyrshme”.

Ky lloj i krenarisë anti-kolonialiste shpesh bëhet pengesë e progresit shoqëror. 

Janë të shumta rastet në histori kur popujt e kolonizuar kanë refuzuar të përqafojnë vlera përparimtare, për shkak se i kanë përjetuar si asimiluese dhe poshtëruese, e për rrjedhojë janë ngujuar edhe më thellë brenda një identiteti arkaik që konsiderohej si më i pastër dhe burimor.

Një varg komentuesish të shtypit perëndimor vlerësojnë se pikërisht kjo ndjenjë e krenarisë së lënduar sot po i ushqen reaksionet e shumta dhe regresive kundër përhapjes së vlerave liberale perëndimore në botë, që nga nacionalizmi megaloman i Rusisë autokratike të Putinit, e deri te fashizmi islamik në Lindjen e Mesme. 

Edhe në botën e ndërlikuar shqiptare – të prapambetur në shumë aspekte të zhvillimit në raport me perëndimin, sot e shohim gjithandej shpërfaqjen e simptomave të një kompleksi të thellë të inferioritetit.

Ky kompleks manifestohet diku me dëshirën histerike për arratisje prej vetvetes, e diku edhe me krenari inatçore. 

Arratisjen e shohim, për shembull, te fenomeni masiv i emërtimit të fëmijëve në Shqipëri me emra të çuditshëm dhe të pakuptimtë (Klei?) vetëm pse tingëllojnë perëndimorë, apo në përpjekjet e shtresave të ndryshme shoqërore për t’i minimizuar lidhjet historike të shqiptarëve me islamin dhe lindjen dhe për t’i potencuar më fort ato me krishterimin dhe perëndimin.

Në anën tjetër, shpërthimet e krenarisë në mbrojtje të traditave arkaike i shohim sidomos në Kosovë dhe Maqedoni, ku pasojat e kolonializmit sllavo-ortodoks i kanë bërë shqiptarët më të ndjeshëm ndaj traditave. 

Shohim se sot shumëkush po i përjeton trendet normale dhe modernizuese shoqërore, të cilat perëndimi tashmë i ka mishëruar, sepse i ka kaluar më herët – si për shembull lirinë e grave, tolerancën ndaj “të ndryshmes”, liritë individuale si ato seksuale, etj –si gjëra që perëndimi i gjithëfuqishëm po na i imponon si pjesë e një agjende imperialiste dhe jo për shkak se ato përfaqësojnë vlera superiore përballë disa praktikave tona të sotme primitive.

A mund ta gjejnë shoqëritë shqiptare, në ngarendjen legjitime drejt Evropës, forcën për të mos qenë as të kompleksuara deri në vetëmohim, as krenare me trajtat primitive të tyre? 

Apo ndoshta e kemi egon dhe vetëbesimin akoma shumë të brishtë për t’u përballur me veten, prandaj edhe përfundojmë duke reaguar si histerikë në raport me perëndimin?  

Shumica prej nesh sot po kërkojmë ngushëllime dhe zgjidhje për hallet tona prej politikanëve, ekonomistëve, hoxhallarëve, opinionistëve, etj. Por mbase sot më së shumti do të na kryenin punë ca seanca kolektive terapie te psikologu.

Kemi nevojë urgjente për ta zgjidhur këtë ndjenjën e thellë të parehatisë me veten, për të arritur eventualisht te ai që është synimi përfundimtar i një procesi terapeutik dhe që është parakusht për një jetë produktive – ta pranosh dhe ta duash vetveten ashtu siç je!