Luftë e Interesave Që Nëpërkëmb Sovranin

Punë e vështirë që në këtë krizë politike të shkruhet ndonjë risi përtej mjegullës dhe propagandës që po shërbehet tashmë tre muaj. Veçanërisht është e vështirë që të parashikohet rrjedha e mëtutjeshme e ngjarjeve. 

E vetmja gjë që sot për sot mund të thuhet me siguri më të madhe në rrafshin e parashikimeve është se, në çfarëdo skenari që i përjashton zgjedhjet e reja, pra edhe në skenarin tashmë maksimalisht optimist për PDK-në – imponimin e një koalicioni të gjerë nga të huajt – Hashim Thaçi duket ta ketë të pamundur të mbetet kryeministër. 

Por derisa loja e shahut vazhdon, mbase vlen të debatohet për argumentet morale të cilat palët e përfshira në këtë betejë politike po i përdorin për t’i arsyetuar pozicionet e tyre këmbëngulëse, e të cilat po e sfidojnë rendin institucional dhe mënyrën se si sistemi ynë politik e përkthen vullnetin e sovranit në mandat qeverisës. 

Shohim se si të dyja palët – me motivin e qartë dhe legjitim të marrjes së pushtetit po e arsyetojnë veten duke thënë se çdo gjë po e bëjnë “për hir të interesave madhore të vendit”. 

Madje shpesh beteja po paketohet në terma epikë dhe shpëtimtarë që ta kujtojnë hipokrizinë e derrave te Ferma e Kafshëve e Oruellit.   

Interesat e vendit që vendosen me së larti në hierarkinë e përgjithshme të interesave, për hir të të cilave po shkelen interesat dhe parimet e tjera që vlerësohen si më pak të vlefshme, qëllojnë të jenë pikërisht ato që përputhen me interesat e ngushta të palëve të përfshira në fushëbetejë. 

Në njërën anë ndodhet kryeministri në detyrë Thaçi, i cili ka tre muaj që insiston se është fitues i zgjedhjeve – si lider, parti dhe koalicion dhe thotë se pamundësimi i pjesëmarrjes së PDK-së në qeveri do të përbënte përmbysje të vullnetit të sovranit. 

Duke e prezantuar vetën si timonier të këtij vullneti, përkundër mospasjes së numrave për të formuar qeveri, Thaçi po i përdorë të gjitha manovrat e mundshme politike (të ligjshme dhe të paligjshme) për ta sabotuar palën tjetër, duke e çuar kështu vendin në një ngërç të paparë që nga zgjedhjet e vitit 2001. 

Krejt kjo për shkak se mbrojtja e vullnetit të sovranit, ashtu siç atë e interpreton Thaçi, prezantohet si interesi më madhor i vendit. 

Në anën tjetër është blloku LVAN që i ka numrat e deputetëve për t’i krijuar institucionet dhe thotë se numrat janë ata që janë përkthimi i vërtetë i vullnetit të sovranit. 

Përkundër faktit se këta numra janë bërë bashkë për të qeverisur mbi premisa të tjera prej atyre që e kanë marrë votën, arsyetimi është se asgjë nuk është më e rëndësishme se interesi madhor që vlerësohet të jetë largimi me çdo kusht i Thaçit dhe PDK-së nga pushteti.   

Nëse i lëmë mënjanë dimensionet tjera të këtij diskutimi dhe debatin moral e zhvendosim vetëm në nivelin elementar të respektimit të sistemit demokratik, atëherë pyetja kryesore është pa dyshim kjo: interpretimi i cilës palë e reflekton më drejt vullnetin e sovranit?

Mendoj se përgjigjja nuk është aq e thjeshtë sa palët pretendojnë dhe se në të dyja rastet nuk respektohet mjaftueshëm vullneti i sovranit, edhe pse teknikisht LVAN-i është në përparësi.

Është e qartë që sovrani me 8 qershor ia ka deleguar të drejtën për të vendosur deputetëve dhe se këta me vullnetin e tyre të lirë kanë të drejtë ligjore të bëjnë çfarëdo që u lejohet brenda kornizave të kushtetutës. Për këtë arsye vështirë të kuptohet mohimi i së drejtës së LVAN-it për t’i krijuar institucionet, nëse Thaçi si mandatar i parë nuk arrin të bëjë qeveri. 

Çfarëdo pakënaqësie që votuesit e partive të LVAN-it mund ta kenë me mënyrën se si përfaqësuesit e tyre e kanë përkthyer votën në krijimin e institucioneve do të mund ta adresonin përmes strukturave partiake, rrëzimit të qeverisë, apo ndëshkimit në zgjedhjet e ardhshme. 

Por në anën tjetër argumenti i LVAN-it se nisma e tyre e reflekton qartë vullnetin e sovranit, çalon seriozisht jo vetëm për shkak se koalicioni nuk është legjitimuar me votë kështu siç është sot, por sidomos për shkak të një pike kyçe të formulës së brendshme të koalicionit që ka të bëjë me postin e kryeministrit.

Edhe pse formalisht jemi një demokraci parlamentare, boshtin e fuqisë e kemi krejtësisht të përqendruar në ekzekutiv. Veç kësaj, nuk duhet mohuar fakti se në kulturën tonë delegimi i përgjegjësisë në realitet më shumë bëhet drejt liderëve për pozitat kyçe sesa drejt deputetëve për ulëse parlamenti (të mësuar tradicionalisht me modelin e bajraktarëve, do të na shkonte për shtati më shumë një sistem presidencial, por ky është debat tjetër). 

Pra sistemin e kemi formalisht parlamentar, por mentalitetin e delegimit të përgjegjësisë e kemi realisht liderist dhe fuqinë të centralizuar në qeveri.  

Prandaj nëse na qenka e mundur që duke u thirrur në numrat e fituar në Kuvend, të argumentojmë se vullneti i sovranit është që të largohet Thaçi me çdo kusht nga institucioni më i fuqishëm që është qeveria, atëherë si mund të argumentohet se na qenkësh respektim i vullnetit të sovranit dhënia e postit më të fuqishëm në vend Haradinajt? Mbi bazën e numrave të fituar? Fuqia e tij e votave është vetëm rreth 9 për qind.

Problemi të cilin e krijon kjo situatë është se në cilindo rast–qoftë me bllokimin e mundësisë që LVAN-i të bëjë qeveri, qoftë me formimin e kësaj qeverie me formulën e propozuar po zhvlerësohet pothuajse krejtësisht vlera e votës si mjet suprem i demokracisë. 

Natyrisht, krejt kjo po ndodh për hir të “interesave më të larta”. Dhe krejt kjo në një kohë këto interesa më të larta do të mund të arriheshin edhe duke iu përafruar më shumë vullnetit të sovranit. Kjo do të mund të ndodhte, për shembull, duke e pasur për mandatar të LVAN-it Isa Mustafën, përfaqësuesin e të paktën çerekut të votuesve, apo duke e arritur ndonjë kompromis tjetër.  

Mund të diskutojmë dhe të mos pajtohemi si shoqëri për atë se cili interes është më madhor se tjetri. Por ama është e vështirë të mohohet se kjo luftë e pastër interesash po i përdhos disa vlera elementare të demokracisë që mund të kenë pasoja serioze në procesin jetik të forcimit të logjikës institucionale në shoqëri.