Fundamentalizmi si kancer dhe kokëdhimbje

Besoj e keni dëgjuar atë barsoletën për ata dy miqtë që debatojnë për një çështje përballë një miku të tretë që e merr rolin e gjykatësit. “Ti ke të drejtë…”, i drejtohet gjykatësi mikut të parë pasi ky i shpalos argumentet e tija. “Edhe ti ke të drejtë”, i thotë të dytit pasi ky përfundon fjalën e tij. 

“Si mund të kenë të dytë të drejtë kur në fakt po thonë gjëra të kundërta?”, reagon miku i katërt ndaj gjykimit relativizues të gjykatësit. “Edhe ti ke të drejtë”, përgjigjet gjykatësi.

Ndokujt edhe mund t’i duket se po e marr rolin e gjykatësit relativizues të barsoletës me këtë kontribut modest në debatin publik që nisi pas arrestimit të kosovarëve të dyshuar për lidhje me organizata terroriste në Siri dhe Irak.

Kjo sepse, në qarqet laike të shoqërisë sonë – pra, në mesin e atyre që besojnë se doktrinat fetare nuk duhet të jenë bazë e rendit shoqëror-politik – debati rreth fundamentalizmit islamik ka kohë që po trajtohet në formë binare dhe reduksioniste, duke i ndarë kështu laikët (për hesap timin pa arsye) në dy kampe kryesore. 

Dilema kryesore nuk është nëse fundamentalizmi islamik është fenomen regresiv ose jo – për natyrën e tij të tillë besoj se pajtohen të gjithë ata që vërtetë ndihen si liberalë, socialistë, nacionalistë, etj. Por ekziston një mospajtim rreth asaj se sa shqetësues është problemi, apo edhe rreth mënyrës si duhet zgjidhur. 

Në njërën anë të kampit laik është një grup – le t’i quajmë të shqetësuarit – që mendojnë se fundamentalizmi islamik përbën kërcënim urgjent që duhet adresuar menjëherë, duke përndjekur dhe ndëshkuar nxitësit e tij. Shprehur në terma mjekësor, ky grup e trajton problemin sikur ai të ishte një kancer malinj dhe rekomandon ndërhyrje kirurgjike. 

Më të zëshmit në mesin e të shqetësuarve janë një grup opinionistësh dhe aktivistësh të shoqërisë civile, kryesisht me prirje liberale ose nacionaliste, por edhe pjesëtarë të grupeve të tjera pakicë (psh. ateistët) që ndihen të kërcënuar nga fryma përjashtuese e fundamentalizmit islamik. 

Por në kampin laik është një grup tjetër, le t’i quajmë skeptikët, i përbërë kryesisht nga qarqe marksiste dhe ato të së majtës nacionaliste, të cilët e trajtojnë problemin si margjinal dhe simptomatik. Këta e shohin fundamentalizmin islamik më shumë si një kokëdhimbje, pra si simptomë beninje, shkaqet e së cilës – varfëria, kapitalizmi, imperializmi, etj – do të duhej të ishin fokusi ynë parësor. 

Skeptikët madje argumentojnë se debatit mbi ekstremizmin fetar po i japin flakë pikërisht elitat politike për të krijuar përçarje në opinion dhe për ta larguar vëmendjen nga plaçkitja e pasurive publike. Ky lloj pozicioni u artikulua më së qarti, për shembull, në reagimin zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj arrestimeve, apo edhe nga përfshirja në debat e Fatos Lubonjës.

Personalisht nuk kuptoj se përse debati për rreziqet e fundamentalizmit islamik duhet gjithmonë të përfundojë me një nga ato dikotomitë e panevojshme të intelektualëve të majtë që kanë fetish për teorizime të tepërta, të tipit: “Problem më i madh se islami radikal është kapja e shtetit nga krimi i organizuar.”   

Nëse e kemi për synim krijimin e një shteti të drejtë, të bazuar në parimet e humanizmit dhe modernitetit, përse na qenkësh kaq e vështirë për kritikën e majtë që të thotë se që të dyja – edhe radikalizmi fetar, edhe krimi i organizuar – bien ndesh me këtë synim, apo se mund dhe duhet të luftohen paralelisht? 

Në fakt, gjykatësi i barsoletës në këtë rast mund t’u thoshte të shqetësuarve dhe skeptikëve, pa qenë fare relativizues, se të dyja grupet kanë të drejtë, meqë po thonë pjesëza plotësuese të një të vërtete më të gjërë, dhe jo argumente të kundërta.  

Kjo sepse pas zhvillimeve të fundit, përfshi këtu ngarendjen e shumë shqiptarëve për t’iu bashkuar forcave të errëta mesjetare në lindjen e mesme, dhe kryerjen prej tyre të krimeve makabre ndaj civilëve, është e vështirë të thuhet se fundamentalizmi islamik është problem që mund të injorohet. 

Fanatikët si çifti i Lavdrim Muhaxherit janë pa dyshim një pakicë e vogël dhe natyra sekulare e shtetit të Kosovës nuk rrezikohet dot prej tyre. Por kush mund ta përjashtojë me bindje të plotë mundësinë që ndonjë trushpërlarë i dëshpëruar ta kryejë ndonjë sulm vetëvrasës në Kosovë? 

Kush mund të mohojë se kthimi i fashizmit islamik në “ideologjinë e të varfërve” – një rrezik real të cilin e parasheh edhe vetë Lubonja – nuk rrezikon t’i dëmtojë sidomos të varfërit, duke i kthyer në luftëtarë betejash absurde metafizike dhe kulturore, në një kohë kur ata para së gjithash kanë nevojë për mundësi dhe aftësi për t’u integruar në jetën ekonomike të vendit? 

Duke e mohuar fundamentalizmin islamik si problem aktual që meriton vëmendje, e majta jonë po e bën të njëjtin gabim që e majta e ka bërë në vende të tjera përgjatë historisë. Siç sqaroi Blerim Latifi në shkrimin e tij mbi këtë temë, janë të shumta rastet kur ajo ka treguar simpati apo ka heshtur përballë ideologjive tiranike, zakonisht për shkak se ka pasur armiq të përbashkët me to (psh. me imperializmin amerikan). 

Megjithatë, duhet pranuar se në parim qëndron ajo pjesë e kritikës së majtë që e sheh fundamentalizmin si produkt të anomalive të rendit të sotëm shoqëror. Ky fakt shpesh po injorohet nga një pjesë e të shqetësuarve që preferojnë ta shohin problemin si krejtësisht “të importuar”, apo si produkt të ca mollave të këqija në mesin e hoxhallarëve.  

Por raporti shkak-pasojë nuk është i tillë siç e përfytyron e majta në kritikën e saj skematike, ku liberalizmi dhe krimi i organizuar trajtohen pak a shumë sikur të ishin e njëjta gjë, dhe ku fundamentalizmi islamik trajtohet më pak si kërcënim real e më shumë si një gogol në funksion të pushtetit.

Kërcënimi i fundamentalizmit megjithatë është serioz, ndërsa ushqyesi kryesor i tij është abuzimi sistematik i elitës së sotme ekonomike-politike me shtetin e së drejtës për synime të pasurimit dhe fuqizimit, i cili për rrjedhojë e ka thelluar tej mase pabarazinë e mundësive. 

Në vend se të shërbente si bosht moral dhe legjitimues i rendit liberal-demokratik, sistemi ynë impotent i drejtësisë po i shtyn të pafuqishmit dhe të përjashtuarit prej kësaj shoqërie në kërkim të ideologjive alternative, qofshin ato edhe më regresivet, që ua artikulojnë nevojën e papërmbushur për drejtësi dhe kohezion shoqëror. 

Për shkak të kontekstit tonë shoqëror, këtë alternativë reaksionare ndaj rendit liberal po e ofron islami politik. Në vende të tjera atë e ofron fundamentalizmi i krishterë, apo e djathta dhe e majta ekstreme. Në thelb nuk ka fort dallim mes shpërthimit të islamit radikal në Kosovë dhe, ta zëmë, Agimit të Artë në Greqi. Të dyja janë reaksione të shfrenuara ndaj të njëjtit lloj shqetësimi.

Natyrisht, reaksioni buron edhe nga dinamika të tjera si transicioni i thellë i vlerave, teksa kodet paramoderne morale të shoqërisë sonë po fërkohen me koncepte perëndimore ku individi, madje edhe femra, është entitet i pavarur. Por fitili kryesor që e ndez flakën është indinjata e të përjashtuarve. 

Në fund të fundit, të shqetësuarit kanë të drejtë kur e trajtojnë fundamentalizmin si kancer, sepse kërcënimi në një shoqëri të brishtë si kjo e jona është i madh. 

Por vlen edhe metafora e një kokëdhimbje të shkaktuar nga dehidratimi, që kërkon prej kësaj shoqërie të pijë ujë nga lumi i drejtësisë. 

Zjarri i çfarëdo lloj fundamentalizmi do të mund të shuhet në mënyrë më të qëndrueshme vetëm nëse elitat politike ua rikthejnë të varfërve dhe të përjashtuarve besimin se në këtë vend mund të gjejnë mundësi dhe drejtësi.