Mes imazhit dhe përmbajtjes

Tani që na ndajnë pak orë prej fundit të karnavalit zgjedhor, trendi në mesin e analistëve të shtypit dhe atyre të kafeneve është vënia e basteve dhe parashikimi i saktë i rezultatit. Kështu secilit i jepet rasti të demonstrojë shkathtësinë për analiza politike, shpeshherë duke projektuar dëshira si interpretime objektive. 

Ajo që mbase mund ta bëjmë me siguri më të plotë, tani që perdet e shfaqjes teatrale po bien, është një rekapitullim dhe interpretim i fushatës dhe i strategjive që partitë ndoqën për ta rritur numrin e kokrrave. 

Përmes fushatës mbase më profesionale në aspektin e komunikimit publik, pamë se PDK-ja ndërmori një operacion masiv për të ikur prej lëkurës së saj dhe për t’u mbështjellë me ambalazhin e misionit të ri, duke e krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për një parti të re. Të njëjtën strategji e përdori PS-ja në Shqipëri kur bëri rebranding si Rilindje. 

PDK-ja i përsëriti pafundësisht në çdo paraqitje idetë për fondin e punësimit prej 1.5 miliardë eurosh dhe atë numrin absurd të 200,000 vendeve të reja të punës. Kjo bëri që ato të mbaheshin në mend, gjë që tregon për një strategji efektive të komunikimit. 

Fushata e PDK-së ishte e natyrës presidenciale. Ishim dëshmitar të një spektakli të kultit të personalitetit të Hashim Thaçit, tashmë të kthyer në një supermen shpëtimtar i cili diku në oborr e mban një fabrikë për prodhimin e parave. 

Kësaj here e pamë për herë të parë edhe një anë të tijën personale – si tregues batutash, blerës çokollatash dhe bashkëbisedues nëpër çajtore. Pa marrë parasysh se sa nga kjo ishte thjesht PR dhe sa shpërfaqje e një karizme të natyrshme personale, filmi që pamë ishte i nivelit hollivudian. Duke e zgjedhur këtë lloj fushate, Thaçi i ktheu këto zgjedhje në një referendum personal pro ose kundër tij. 

Fushata u përqendrua te Thaçi edhe për shkak se ai mbetet aseti më i madh i PDK-së në opinion publik. Të qenët për pesëmbëdhjetë vite pjesë e skenës politike, gjashtë prej të cilave si kryeministër, pa dyshim se ia ka konsumuar edhe atij figurën. Por ndërkohë Thaçi ka fituar diçka që liderët e tjerë nuk e kanë – imazhin e burrështetasit dhe të figurës historike të cilën ky popull i etur për figura “baballarësh” me kohë mësohet ta shohë si prijës të natyrshëm, ashtu si dikur Rugovën. 

Largimi i Limajt dhe Krasniqit u synua të kompensohej në terren me aderime taktike të personave që i kanë votuesit e tyre personal (Ramiz Kelmendi, Muharrem Shabani, etj) si dhe me koalicione me parti të vogla me elektorat besnik (PD, PSHDK, LB). Mbetet të shihet nëse kjo strategji do të funksionojë dhe nëse përfshirja e aleatëve në lista do të ketë kundërefekt duke shkaktuar pakënaqësi tek strukturat partiake.   

LDK-ja zhgënjeu sërish me një fushatë të zbehtë dhe larg nivelit që kërkohej prej një partie që pretendon përmbysje në primat. Tregues i mungesës së profesionalizmit ishte ndryshimi i tre sloganeve brenda dy javëve – nga “Kthesa”, në “Vetëm ne mundemi”, në “Vetëm ne mundemi: së bashku”. Pastaj pamë tubime, tubime, tubime dhe fjalime pa ndonjë mesazh përmbledhës i cili do na e tregonte arsyen përse LDK-ja përfaqësonte ndryshim. Mesazhi në nëntekst dukej se ishte: “Hajt se tash na ka ardhë rendi neve!”    

Ka diçka në ritualin e tubimeve të LDK-së që edhe fjalën monotoni e bën të tingëllojë si kompliment. 

Skena standarde është ajo e gardës së vjetër (dhe të vetme) të partisë që rri ulur dhe duartroket në radhë të parë, me seriozitetin solemn të një aristokracie të indinjuar me faktin se i duhet të dalë në fushatë, sepse pushteti i takon në bazë të ligjeve të natyrës.

LDK-ja nuk i hapi dyert për brezin e ri dhe nuk bëri koalicione taktike për ta siguruar vendin e parë. Se çka mendoi se do të fitonte duke mos bërë koalicion parazgjedhor me AKR-në, por duke negociuar me të gjatë fushatës për koalicion paszgjedhor, ky mbetet një mister i pashpjegueshëm.    

Fushata e Vetëvendosjes në anën tjetër u duk përgjithësisht solide. VV-ja asnjëherë nuk ka pasur problem me komunikimin publik sepse ka qëndrime dhe pikëpamje ideologjikisht koherente, si dhe brigadën më të madhe të individëve të shkathët për t’i transmetuar ato me elokuencë nëpër tubime dhe debate. Votuesi nuk e ka problem të kuptojë se cilat janë qëndrimet e VV-së, tjetër është nëse pajtohet me to ose jo.  

Fushata e VV-së u mundua t’i adresonte dy problemet kyçe të imazhit të saj: agresivitetin që ia fuste njerëzve frikën në palcë, si dhe imazhin e Kurtit si njeri i drejtë dhe i aftë, por të cilit i mungon ai serioziteti dhe solemniteti të cilin kosovarët e kërkojnë prej një lideri – maturia, pozitiviteti, veshja serioze, etj. 

Problemi i parë u adresua përmes mesazheve pozitive dhe shpresëdhënëse (fushata negative u kufizua në billboard-a dhe në media sociale). Problemi i dytë u adresua duke e kthyer Kurtin në një politikan standard që viziton biznese dhe buzëqesh. Freskia më e madhe e fushatës ishte ky Albin që nuk e rrezatonte më atë vrerin dhe impulsin hakmarrës të revolucionarit, por pjekurinë dhe maturinë e denjë për lider shteti.

Në javën e fundit u formësua dhe u përsërit vazhdimisht edhe mesazhi taktik/politik ku VV-ja portretizohej si alternativa e vetme përmbajtjesore e pushtetit të tanishëm – “PDK-ja është problemi, por LDK nuk është zgjidhja”. VV-ja reflektoi nga zgjedhjet lokale dhe u hap për figura të reja. U vërsul taktikisht për vota kryesisht në qytete si Prizreni dhe Gjakova, ku me gjasë edhe do të shënojë rritje.

Fushatat e AAK-së dhe të AKR-së ishin më të zbehta, por relativisht efektive për aq sa këto parti synojnë të arrijnë dhe për aq sa ato patën hapësirë për t’u imponuar në debat. AAK-ja u tregua e matur, e përqendruar në programin e saj ekonomik dhe nuk hapi fronte të ashpra konfrontimi. Ajo më shumë dukej e fokusuar në mobilizimin e votuesve të saj tradicional dhe në pritjen e ditës pas zgjedhjeve, kur Ramush Haradinaj ka gjasa të bëhet faktor vendimtar për formimin e qeverisë. 

AKR-ja në anën tjetër e përforcoi imazhin e saj si skuadër e teknokratëve liberal të cilët politikën e trajtojnë me mendësinë dhe efektivitetin e sektorit privat. Se përse zgjodhi të mos hyjë në koalicion parazgjedhor, por ta rrezikojë pragun, edhe ky mbetet një mister i madh.

Ndryshe kësaj here u paraqit edhe Partia e Fortë, kjo alter ego e sinqertë e partive simotra. Ironia dhe thumbimet e saja kësaj here nuk u fokusuan te fortësia dhe te pompoziteti i premtimeve, por u ndoq trendi i modestisë dhe i afrisë me qytetarin e rëndomtë. Dekonstruksioni që PF i bën skenës politike mbeti dush freskie, sado që irritoi partitë dhe militantët duke ua uzurpuar një pjesë të hapësirës promovuese.    

Aktivizmi subversiv i Partisë së Fortë në fakt synon ta bëjë atë që edhe votuesit do të duhej ta bënin me 8 qershor – ta ndajnë imazhin e fabrikuar prej përmbajtjes. Por ky mbetet një mision i vështirë, jo sepse votuesi është irracional dhe i paaftë për ta bërë këtë gjë, por edhe për shkak se imazhi në fund të fundit nuk është i tëri fabrikim, por tregon diçka edhe për përmbajtjen. Apo siç do të thoshte i mprehti Mark Tuejn: “Ne jemi ata që shtiremi se jemi.”