Çka dëshiron të thotë autori?

Karnavali i laritjes ndaj publikut në fakt ka kohë që ka filluar – sidomos në mediat sociale – me gjithë atë përzierjen e sharmit dhe hipokrizisë që është pjesë e pandashme e natyrës së politikës.

Cili do të jetë mesazhi i elektoratit në këto zgjedhje?  Çdo cikël zgjedhor e ka një narracion qendror, apo një mënyrë se si atë do ta shpjegojë historia nga këndvështrimi i saj objektiv. “Zgjedhjet i fitoi ky sepse…”

Për shkak se jemi shoqëri mjaft autoritare dhe në fazat e hershme të demokratizimit, deri vonë pothuajse të gjitha momentet kyçe të historisë sonë politike mund të shpjegoheshin përmes vendimeve të elitave politike, apo akteve individuale të heronjve. Qytetarët e thjeshtë më shumë e kanë luajtur rolin e spektatorëve të nënshtruar ndaj orientimeve të elitave dhe jo atë të subjekteve aktive që u imponohen zhvillimeve me vullnetin e tyre.  

PDK-ja i fitoi zgjedhjet e vitit 2007 jo për shkak se elektorati papritmas u turr drejt saj në masë – në fakt, ajo ka pasur elektorat pothuajse numerikisht statik gjatë gjithë periudhës së pasluftës (plus minus rreth 200,000 vota). Fitorja e saj erdhi për shkak se krerët e LDK-së vendosën të bëheshin kryeneçë dhe ta përçanin elektoratin besnik të partisë së tyre në dy pjesë, duke ia dhuruar kështu PDK-së automatikisht vendin e parë. Përçarja e opozitës ia dhuroi PDK-së edhe fitoren e vitit 2010.

Zgjedhjet e fundit lokale ishin të parat në historinë e Kosovës ku rol vendimtar luajti votuesi i lëkundshëm. Në këto zgjedhje ky lloj i votuesve u rrit në numër, sidomos në zonat urbane. Partitë vazhduan të llogarisnin tek elektoratet besnike për ta mbledhur numrin më të madh të votave, por dallimin mes fituesve dhe humbësve e bënë të pavarurit. Ua refuzuan partive kandidatët të cilët i vlerësuan si të dobët dhe ua shpërblyen ata që i vlerësuan si më të mirët.   

Tani ndodhemi në një moment kur vendimi i votuesve të lëkundshëm do të jetë sërish kritik për fatin e vendit, sidomos në përcaktimin e partisë/koalicionit që do ta ketë vendin e parë dhe me këtë të mandatarit për të formuar qeverinë e re.  Kjo sepse gara për primatin pritet të jetë e ngushtë. 

I ulur këtu duke i shkruar këta rreshta në një kafene e Prishtinës, unë ndoshta edhe mund të mos jem duke vërejtur gjithçka që po zien në këtë shoqëri. Por më duket se votuesi i lëkundshëm po ndihet çuditërisht shumë i hutuar. 

Them çuditërisht sepse në këto pak kilometra katrorë ku ne marrim frymë, gjatë viteve të fundit është akumuluar aq shumë mllef ndaj qeverisjes së PDK-së dhe Hashim Thaçit, si dhe është krijuar një shumicë aq e madhe që kërkon ndryshim pushteti, saqë pritja normale do të ishte që ky votues do ta priste me entuziazëm dhe qartësi ditën kur ky ndryshim do të mund të realizohej. 

Nuk ka dyshim se këtë klimë hutie e krijon para së gjithash struktura e përçarë e opozitës, e cila e ka degëzuar kërkesën për ndryshim në drejtime të ndryshme dhe të papërputhshme me njëra-tjetrën, gjë që në opinionin opozitar krijon efekt paralizues. Kjo mund të jetë e vetmja dinamikë e rëndësishme që sot shkon në favor të Thaçit, por ajo edhe mund të jetë e mjaftueshme për t’ia siguruar atij mandatin e tretë.

Problemi kryesor megjithatë mbetet fakti se kandidatët kryesorë për ta larguar Hashim Thaçin dhe PDK-në nga primati – të paktën sipas perceptimeve – mbeten Isa Mustafa dhe LDK-ja. Kam përshtypjen se te elektorati i lëkundshëm këta të fundit zgjojnë entuziazëm dhe shpresë për ndryshim përmbajtjesor, po aq sa do të mund të zgjonin entuziazëm dhe shpresë filmat e Halil Budakovës në Festivalin e Kanës.

Në rrethana normale, një parti e ndodhur në pozitën e LDK-së nuk do ta kishte të vështirë që të përfitonte nga pakënaqësitë e mëdha të elektoratit dhe të bëhej qendra gravituese e ndryshimit. Këtë do të mund ta bënte duke reflektuar sinqerisht për mangësitë e saja kadrovike dhe programore, duke ndërtuar platformë gjithëpërfshirëse, duke zgjuar shpresë përmes një fushate dinamike, e cila do të sinjalizonte energji dhe vullnet për punë, etj. 

Nëse diçka e tillë do të ndodhte, një pjesë e mirë e votuesve të lëkundshëm dhe të pakënaqur, duke e ditur se Mustafa është kandidati me gjasat më të mëdha për ta mundur Thaçin, do të turreshin drejt tij edhe nëse preferencë të parë do kishin ndonjë parti tjetër. Në studimet politike kjo njihet si votë strategjike. 

Por ja që para nesh shfaqet një kandidat për kryeministër i cili para vetes e ka një mundësi të artë – një penallti përballë golit pa portier, por i cili po bën pothuajse gjithçka që është e mundur që të mos shënojë. 

Përshtypja që të krijohet kur e sheh Isa Mustafën dhe stilin e tij të udhëheqjes – mos të flasim pastaj për listën partiake që është riciklim i po asaj strukture që ka humbur zgjedhje pas zgjedhjesh – është se ai nuk duket i interesuar që të fitojë. Nëse ky perceptim vazhdon të mbizotëroje edhe gjatë fushatës zgjedhore, atëherë votuesit edhe mund t’ia përmbushin Mustafës dëshirën.

Kam përshtypjen se rol të rëndësishëm në këto zgjedhje do të luajë edhe fakti se një pjesë e mirë e dufit të elektoratit ndaj skenës politike u amortizua, pasi që u shfry në zgjedhjet e fundit lokale. 

Nga kjo shkundje e përmasave tektonike duket se disa prej partive të tjera tani po përpiqen të nxjerrin mësime dhe të korrigjohen. 

Të paktën në imazhin e jashtëm, tani të mbërthyer me petkun e “misionit të ri”, PDK-ja po përpiqet të ikë aq sa mundet prej lëkurës së saj, e vetëdijshme për njollat gjigante që ia ka lënë qeverisja e gjashtë vjetëve të fundit. Në anën tjetër, pas suksesit të Shpend Ahmetit në Prishtinë, VV-ja po bëhet gjithnjë e më e hapur dhe gjithëpërfshirëse, duke e pozicionuar veten si alternativa e vetme përmbajtjesore dhe deri-diku edhe ideologjikisht koherente. Partitë e tjera disi nuk po arrijnë të imponohen si relevante në këtë mes.

Votuesit e lëkundur, pra ata që me gjasë do të jenë autorët e fatit të këtij vendi, në këto zgjedhje me gjasë do të duhet të vendosin mes një vargu dilemash kryesore.

A do ta shpërblejnë moralisht VV-në për shkundjen sistematike që kjo ia ka bërë skenës politike, si dhe për vullnetin e saj për të hequr dorë gradualisht nga dogmatizmi i së shkuarës, edhe nëse ky shpërblim moral apo votë e protestës mund të rezultojë me ruajtjen e primatit nga ana e PDK-së?  

A do të jenë të gatshëm që t’i përpijnë dhe harrojnë gjashtë vjetët e fundit dhe ta besojnë këtë “Thaçin e ri”, se kësaj radhe e ka seriozisht me politikat zhvillimore? 

A do ta votojnë LDK-në vetëm e vetëm për ta hequr qafe PDK-në, pa marrë parasysh se kush dhe çka vjen pas saj, edhe pse sot vështirë mund të gjendet ndonjë njeri që e vë dorën në zjarr se LDK-ja e ka seriozisht kur thotë se nuk bën koalicion me PDK-në? 

Vetëm pasi kutitë të jenë numëruar ne do të mund t’i përgjigjemi asaj pyetjes që na e parashtronin në shkollë mësuesit e gjuhës dhe letërsisë shqipe, kur na kërkonin që t’i zbërthenim kuptimet e fshehta të veprave letrare: “Çfarë dëshironte të thoshte autori?”. Autorët kësaj here jemi ne – votuesit.