Elita politike mund të zgjedhë se si do të mbahet në mend

Historia politike moderne na mëson se elitat politike kleptokratike të cilat tregohen mospërfillëse ndaj nevojave dhe interesave të qytetarëve, herët ose vonë e humbasin legjitimitetin, fillimisht moral e dikur edhe ligjor. 

Varësisht nga natyra e sistemit politik, këto elita përfundojnë në rastin më të mirë duke i humbur zgjedhjet dhe në rastin më të keq duke u larguar prej pushtetit me dhunë.

Askush nuk është më i vetëdijshëm për këtë fakt këto ditë sesa autokrati ukrainas Janukoviq dhe rrethi i oligarkëve të tij, të cilët deri dje ishin zotër absolut të vendit të tyre, kurse sot po ikin fshehurazi drejt Rusisë.

Gjatë dekadave të fundit ky lloj i elitave kleptokratike që zakonisht zhvillohen në shoqëri me kulturë kolektiviste ku figurat e autoritetit nuk sfidohen, ka parë pushtete të shumta të sojit të vet duke humbur zgjedhje, ose duke u shkatërruar nga kryengritje qytetare. 

Njerëzit që janë në krye të pushteteve të tilla, zakonisht nuk janë budallenj dhe nga përvojat e shteteve të tjera ata e kanë kuptuar se ekziston një pikë deri në të cilën ata mund ta shtyjnë “lezetin” e gjendjes ekzistuese, pa e humbur të gjithë fuqinë dhe paranë që e kanë akumuluar.

Dhe reagimet e tyre ndaj këtij “problemi” janë kryesisht të dy llojeve. Në skenarin më të mirë për vetë elitat, por edhe për interesin e përgjithshëm, elitat përpiqen t’i përmirësojnë gabimet, t’i vënë rrënjët e një zhvillimi më të qëndrueshëm dhe të mos rrëshqasin drejt autokracisë dhe dhunës, edhe nëse kjo i krijon kushtet për largimin e tyre nga pushteti (kështu për shembull të paktën mund të mos vriten, ose të mos u humbasë pasuria).

Kjo është ajo që pak a shumë ndodhi në Burma pas valës së pranverës arabe. Regjimi i atjeshëm diktatorial vendosi që si masë parandaluese për revolucionin e mundshëm, ta niste vullnetarisht vendin drejt demokratizimit. 

Kjo ndodhi edhe në shumë shtete të Evropës Lindore gjatë revolucioneve antikomuniste, ku elitat lëshuan pe për ta siguruar amnistinë për vetveten, ose për t’iu rikthyer pushtetit më vonë me votë. 

Imazhi i Mubarakut të arrestuar, ose Çausheskut së pushkatuar, është tmerrues për shumëkënd.

Ndërsa në skenarin më të keq ndiqet rruga e sojit të Janukoviqit, të cilët i hedhin paratë në ndonjë bankë ndërkombëtare, përpiqen ta mbajnë pushtetin deri në fund, qoftë edhe me dhunë, vrasje dhe shpartallim të shtetit dhe nuk e kanë problem që t’i hipin avionit për të ikur nëse e humbasin kontrollin mbi situatën. 

Ky është ai soji i elitës krejtësisht mospërfillëse dhe jopatriotike që rëndom prodhon shtete të dështuara.

Përkundër pretendimeve të disa kritikëve hiperbolizues dhe shpeshherë të pasinqertë ndaj pushtetit në Kosovë, ne nuk jetojmë në një regjim i cili mund të quhet diktatorial, por në një demokraci të brishtë semiautoritare ku përkundër kontrollit të konsiderueshëm të parasë mbi pushtetin dhe i këtyre të dyjave mbi institucionet, megjithatë gjallon një pluralizëm i konsiderueshëm aktorësh, mediash dhe mendimesh, si dhe një liri për t’u shprehur, vepruar dhe votuar.

Mbi të gjitha – dhe e këtë e harrojnë më së shpeshti ata që gojën e kanë të mbushur me demokraci dhe që bëjnë thirrje për shembje revolucionare, ekziston një shumicë votuesish e cila i legjitimon, edhe moralisht edhe ligjërisht, elitat e sotme politike me gjithë të metat e tyre, duke i votuar ato zgjedhje pas zgjedhjesh. 

Në një kontekst të tillë, thirrja për revolucion është e barabartë me thirrje për luftë civile dhe vetëshkatërrim.

Sidoqoftë, ajo që është e dukshme viteve të fundit është se elita politike dhe ekonomike e ndërtuar në periudhën e pasluftës – e përbërë kryesisht nga trinomi PDK, LDK, AAK dhe nga bizneset e mëdha me të cilat ato janë të lidhura ka filluar ta humbasë me të madhe legjitimitetin moral te një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë. 

Këtë legjitimitetet ajo ka filluar ta humbasë sidomos te ato shtresa ndaj të cilave është treguar më së shumti mospërfillëse – te të rinjtë që janë rreth 60% të papunë dhe te të varfërit që janë të margjinalizuar prej kësaj shoqërie në çdo aspekt.

Si e tillë kjo elitë e sotme ndodhet në një udhëkryq kritik i cili do të jetë vendimtar jo vetëm për të ardhmen e vendit, por edhe për të vendin e saj në analet e historisë. 

Nuk mund të mohohet se mjaft punë janë bërë gjatë viteve të fundit – arkitektura institucionale e shtetit është ndërtuar dhe infrastruktura fizike është përmirësuar dukshëm. 

Por vazhdimi i qasjes mospërfillëse ndaj problemeve të mëdha sociale, shtetit ligjor dhe politikave të mirëfillta zhvillimore rrezikon të na çojë të gjithëve drejt trajektoreve të paparashikueshme të radikalizmit.

Disa prej këtyre trajektoreve seriozisht mund ta çorodisin orientimin afatgjatë për krijimin e një demokracie të mirëfilltë liberale dhe të një ekonomie të tregut. 

Arsimimi i dobët dhe varfëria mendore e shkaktuar nga varfëria e xhepit po bëjnë që reaksioni ndaj bankrotit moral të elitës politike të jetë i një natyre regresive dhe jo përparimtare. 

Siç e ilustroi edhe rasti i popullaritetit të një kënge skandaloze të reperit Gold AG, shpërthimet e pakënaqësisë po shpërfaqen në atë formën më të poshtër dhe më të rrezikshme të fashizmit, ksenofobisë dhe racizmit.

Nuk është e vogël edhe ndjenja e schadenfreude në mesin e popullistëve të së majtës antiglobaliste, të cilët duke kapitalizuar prej bankrotit moral të elitave dhe zbatimit të keq të tranzicionit ekonomik, po i kontestojnë tërësisht edhe meritat e modelit të synuar ekonomik liberal. 

Kjo, natyrisht, me synimin për t’iu rikthyer pikërisht atyre modeleve iluzore dhe të dështuara prej të cilave u desh të bëhej një tranzicion në radhë të parë.

Tranzicioni ekonomik nëpër të cilin jemi duke kaluar është një proces i domosdoshëm por jashtëzakonisht i vështirë. 

Ristrukturimi i ekonomisë detyrimisht krijohen shumë humbës. Meqë jemi të vonuar në këtë proces dhe përballemi me barrën shtesë të shtetndërtimit, fryteve të ristrukturimit ekonomik u duhet kohë e gjatë për t’u materializuar.

Por ajo që është më se e sigurt është se ky materializim nuk do të ndodhë nëse kjo klasë politike dhe ekonomike,  e përbërë nga shumë njerëz që dikur ishin patriotë të vërtetë, nuk i heq duart nga fyti i ekonomisë dhe nuk i përvjelë mëngët për të ndërmarrë reforma serioze dhe të mëdha.

Në të kundërtën, heronjtë e së djeshmes nuk duhet të habiten nëse e nesërmja i gjen në kapitujt më të errët të historisë.