Një Urim për Heronjtë e Heshtur

Por besoj se keni dëgjuar dhe do të vazhdoni të dëgjoni për filan matrapazin, filan vrasësin apo për skandalin e radhës në ndonjë institucion publik. Keni dëgjuar për këto ngjarje sepse janë abnormale – të paktën ligjërisht, nëse jo edhe moralisht për ata që pajtohen me akte të tilla – dhe sepse për to publiku ka kurreshtje më të madhe. Keni dëgjuar pa dyshim dhe për deklaratat “skandaloze” të ndonjë intelektuali, politikani apo hoxhe, fjalët e të cilëve po depërtojnë si plumba nëpër të çarat e shumta të shoqërisë sonë.

Në një ekonomi të tregut, një pjesë të madhe të përgjegjësisë për përmbajtjen e mediave e mbajnë ne, konsumatorët e tyre. Meqë i ndjekin vazhdimisht shitjet apo klikimet që ua sigurojnë mbijetesën, një pjesë e mirë e mediave private detyrohen ta luajnë rolin e atij DJ-it që i përshtatet shijes së publikut për ta mbajtur lokalin të mbushur.

Problemi është se një situatë e tillë krijon pasoja, shpesherë të rënda, për shoqërinë. Efekti është qarkor: ne i bëjmë mediat të jenë kështu siç janë dhe po këto media më pas ndikojnë në botëkuptimet tona. Shumë media largohen prej misionit të tyre emancipues dhe bien në nivelin e paragjykimeve dhe impulseve më të ulëta të konsumatorëve të tyre, duke ia legjitimuar kështu publikut të gjërë këto paragjykime dhe impulse si fakte apo vlera.   

Pa dashur që t’ia ulë vlerat dhe meritat gazëtarisë së mirëfilitë hulumtuese, apo të pretendoj se Kosova është një fushë me lule, më duket se imazhi i shoqërisë sonë për vetëveten, i prodhuar nga mania gjithnjë e më e madhe e mediave për skandale dhe negativitet, po bëhet gjithnjë e më i zymtë se vetë realiteti, dhe se e gjithë kjo po prodhon e po riprodhon vetëm fatalizëm dhe pesimizëm jo-produktiv.  

Mekanizmat psikologjik përmes të cilëve ky shpërfytyrim i realitetit ndodhë në kokën e konsumatorit të medias janë të shumtë. Një prej kryesoreve është ajo që njihet si “heuristika e disponueshmërisë”, e cila, mes tjerash, bën që njerëzit të gjykojnë mbi probabilitetin e gjërave varësisht nga lehtësia me të cilën u kujtohen rastet konkrete.

Për shembull, sa më shumë që në media lexoni për zyrtarë të pashpirtë institucionesh që rrjepin arkat e shtetit dhe që nuk e kryejnë asnjë punë, aq më shumë do të krijoni bindjen se të gjihë zyrtarët e institucioneve janë të tillë, edhe nëse shumica në realitet nuk janë, apo nuk janë të një niveli aq të paskrupullt. Por realiteti me gjithë nuansat e tija komplekse nuk arrin të përçohet përmes mediave sepse, ashtu sikurse në rastin e atij “filan punëtorit që e kreu punën siç duhet”, aktet normale nuk përbëjnë lajm. Në mendje i kemi disproporcionalisht më të “disponueshme” rastet negative.

Asgjë nuk mund ta mohojë faktin se jetojmë në një vend me shumë probleme ku kriminelët janë të fuqishëm dhe ku pjesa më e madhe e shoqërisë është, nëse jo fajtore, atëherë të paktën bashkëfajtore për mungesën e sundmit të ligjit apo për problemet e tjera të thella prej të cilave lëngojmë. Por përkundër kësaj, si dhe përkundër paralajmërimeve të vazhdueshme të qaramanëve dhe fatalistëve të shtypit tonë, Kosova mbetet në këmbë dhe po e vazhdon rrugën e saj të ngadaltë dhe të vështirë drejt normalizimit. Vota e fundit e protestës ishte një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.  

Arsyeja përse Kosova mbetetet në këmbë dhe po vazhdon të ecën përpara është fakti se, përkundër përshtypjes që të krijohet nga mbulueshmëria e mediave, shumica e njerëzve në këtë vend megjithatë i ngjajnë më tepër atij “filan punëtorit që e kreu punën si duhet” sesa atij matrapazit që e shkaktoi skandalin e radhës.

Përtej personave publik të angazhuar në mbrojtje të interesave publike, apo atyre që dinë t’i reklamojnë të bëmat e tyre të mira, heronjtë e tjerë të vërtetë të Kosovës janë ata modestët për të cilët dëgjohët pak apo aspak sepse çdo ditë të lume bëjnë gjëra të thjeshta dhe krejtësisht normale për të cilat pak kush merr vesh.

Njoh personalisht, apo më ka rënë që të takoj, drejtues institucionesh të cilët kanë lënë rroga të larta dhe po jetojnë nga kursimet vetëm për t’i shërbyer interesit publik; shumë njerëz që angazhohen seriozisht në projekte të rëndësishme për të nxjerrë diçka në dritë për këtë vend; shumë gazetarë të guximshëm dhe me integritet që s’kanë agjenda personale dhe politike; shumë profesorë të aftë që punojnë me nder dhe me integritet në institucione publike; me dhjetëra policë që më ndaluan me makinë dhe kurrë s’ma kërkuan ndonjë cent; shumë prindër që sakrifikojnë gjithçka në mënyrë që fëmijët e tyre të zhvillohen normalisht në një vend të vështirë.

Po jetojmë në një periudhë të brishtë tranzicioni dhe krize ekonomike ku sistemet nuk funksionojnë dhe shtyerja me bërryla dhe shpesherë është e vetmja mënyrë për të çarë përpara. Prandaj sot heronj të vërtetë më duken ata të cilët, përkundër kaosit të vlerave, refuzojnë të zhvishen nga njerëzillëku, dinjiteti dhe përgjegjësia qytetare, edhe nëse me raste bëjnë kompromise për të mbijetuar, apo për t’i ndjekur ambiciet e tyre legjitime personale. Të tillë besoj se janë një shumicë e madhe e kosovarëve dhe të tillëve do t’ua uroja përzemërsisht vitin e ri, duke ua dëshiruar vazhdimin e aktiviteteve të tyre heroike dhe njëkohësisht krejt normale, në një vend akoma jo fort normal.