Shenja Normaliteti në Ballkan

Shkaqet e këtyre shkundjeve janë të ndryshme sepse dallojnë shumë kontekstet e vendeve në fjalë. Por ato i kanë edhe disa gjëra të përbashkëtëa që na mundësojnë të flasim të paktën për “një frymë rajonale”.

Në Stamboll, një protestë e nisur në muajin maj për mbrojtjën e parkut Gezi, më vonë u kthye në një lëvizje të përgjithshme popullore, të mbështetur nga një spektër i gjërë grupesh shoqërore, kundër natyrës gjithnjë e më autoritare të pushtetit të Erdoganit.

Në Sofje ka disa muaj që po vazhdon një lëvizje qytetare protestuese (kryesisht studentore) kundër qeverisë socialiste dhe elitës politiko-ekonomike që e ka kapur këtë shtet që nga rënia e komunizmit . Sheshet e kryeqytetit bullgar filluan të mbusheshin në qershor si reagim ndaj emërimit të një manjati mediash, të përfolur për lidhje me mafian, si shef të shërbimit informativ. Ndonëse protestat e arritën synimin fillestar qysh në qershor, ato po vazhdojnë edhe sot, me numër më të vogël pjesëmarrësish, por me taktika më agresive si bllokime të parlamentit. 

Në Tiranë sapo ndodhi diçka që s’është parë që nga rënia e komunizmit dhe nga ndarja e shoqërisë me thikë në kampe partiake – njerëzit u bënë bashkë përtej vijave partiake për kauzën e armëve kimike, duke e detyruar kështu Kryeministrin Rama që të tërhiqej prej një nisme delikate të sponsorisuar nga SHBA.

Prishtina e nisi vitin me një lëvizje kundër rritjes së çmimeve të energjisë dhe hajnisë në institucionet publike, dhe e përfundoi atë duke e prodhuar protestën më kreative që e ka parë ky rajon ndonjëherë përmes “infiltrimit” të Partisë së Fortë në procesin zgjedhor. Se edhe në kokat e kryeqytetasve tanë po gjallon një frymë progresive e protestës, këtë e konfirmoi edhe vota e hedhur me 3 nëntor, e cila brenda një bastioni partiak e krijoi mundësinë reale për ndryshim pushtetesh.

Kur sheshet e ndonjë qyteti mbushen me protestues dhe satira e turbullon një fushatë zgjedhore, përshtypja e parë që të krijohet mbi situatën në vendin në fjalë ka ngjyrim paksa negativ. Kjo sepse shumica e analizave dhe komenteve përqendrohen tek problemet dhe shkaqet që i nxisin reagimet e tilla, duke potencuar se diçka nuk është në rregull me rendin ekzistues. Për më tepër, në rajonin tonë protestat e kanë njëfarë asociimi me mungesën e stabilitetit dhe automatikisht prodhojnë frikë, sepse jo rrallë u kanë paraprirë shembjeve dhe katrahurave të mëdha.

Por nëse i vendosim syzet e atij që gotën e sheh si gjysmë të mbushur, dhe i kombinojmë me ato të një studiuesi që i sheh gjërat në një dimension më të gjërë, gjërat nuk duken fare keq. Madje, protestat e këtij viti dhe natyra e kërkesave të tyre më shumë duhen parë si shenjë shpresëdhënëse se në rajon gjërat po ecin krejtësisht në drejtimin e duhur. Zhvillimet që po i shohim janë veçse shkelmat dhe shuplakat e ballkanasve, të cilat dikur dhe dikush duhej t’i jepte, kundër tranzicioneve të papërfunduara politike dhe elitave politike që i mbajnë ato gjallë.

E përbashkëta e këtyre protestave dhe lëvizjeve është se në shumicën e rasteve atyre po u prijnë, përveç grupeve të zakonshme si studentët dhe artistët, edhe ato që në kuptim të gjërë mund të quhen si klasat e mesme – njerëz që janë ekonomikisht më të pavarur nga strukturat politike dhe janë gjithnjë e më shumë politikisht të emancipuar. Duket se këto shtresa shoqërore kanë filluar ta humbasin durimin me paaftësinë e shteteve të tyre për ta bërë atë kërcimin cilësor nga të qenit demokraci formale, ku roli i qytetarëve kufizohet vetëm në zgjedhje pushtetesh çdo katër vite, në demokraci të vërteta liberale, ku sistemi politik dhe institucional siguron sundim të ligjit dhe përfillje të interesave publike gjatë gjithë kohës.

Një periudhë relativisht e gjatë stabiliteti politik dhe zhvillimi ekonomik (ku më pak e ku më shumë) ka bërë që në rajonin tonë të rritet një brez i ri progresiv për të cilin togfjalëshat si “integrime europiane” dhe “zhvillim demokratik” nuk përfaqësojnë aspirata simbolike apo zhargone burokratike takimesh në Bruksel, por sisteme vlerash që duhen përbrendësuar në shoqëri sepse janë superiore. Është një gjeneratë për të cilën gjuha e politikës së tranzicionit, e mbushur me fraza boshe që s’përkojnë fare me realitetin në terren, e ka humbur krejtësisht kuptimin, ashtu siç dikur e patën humbur kuptimin sloganet utopike komuniste për njerëzit që prisnin në radhë për bukë.

Mbi të gjtha, është një gjeneratë e cila e ka filluar ta kuptojë rolin e vet në proceset politike, duke vendosur që të mos e presë pafundësisht Godonë e tranzicioneve, por të bëhet vetë lokomotivë shtytëse e fatit të saj. Një gjeneratë që e ka kuptuar se gjithë ato të mira që zakonisht i mvishen fjalëve si “Europë” nuk duhen parë vetëm si caqe, por para së gjithash si procese të brendshme të vëndosjes së njëpasnjëshme të tullave. Kjo sepse edhe vetë Europën, me të cilën rajoni ynë e ka gojën plot, drejt nivelit të saj të sotëm të zhvillimit e kanë shtyrë pikërisht lëvizje qytetare si këto që i pamë sivjet tek shpërthenin në rajonin tonë.

Rrugët e mbushura të kryeqendrave ballkanike dhe natyra e kërkesave të protestuesve dhanë shenjë se rajoni ynë e ka nisur rrugën drejt normalizimit. Gjithçka tjetër do të ishte vazhdim i çmendisë dhe skizofrenisë.