Edhe?

Mbase kryetari leXHendar i Partisë së Fortë edhe ka të drejtë kur insiston se “në Kosovë gjithçka po shkon shumë mirë.”  

Të vetmet ndryshime që pritet të ndodhin dhe që kyeministrit nuk do t’i pëlqejnë, do të jenë fitoret e LDK-së ose AAK-së në disa komuna ku sot qeverisë PDK-ja. Bëhet fjalë pikërisht për ato komuna ku kryeministrin e pamë të shkonte pothuajse përditë gjatë fushatës. Duket se do të ndryshojnë pushtetet të paktën në Gjilan, Viti, Malishevë dhe Lipjan. Ndoshta edhe në Prizren. 

Një mini-shkundje e tillë do ta përgatiste terrenin për zgjedhjet parlametare në një kontekst psikologjikisht favorizues për opozitën. PDK-ja, për herë të parë pas një kohe të gjatë, duket e brishtë. Krijimi i momentumit psikologjik pas 3 nëntorit duket të ketë qenë arsyeja kryesore pse LDK-ja zgjodhi sloganin profetik: “Sot komuna, nesër Kosova”. Arsyeja tjetër është edhe fakti se kjo parti e ngecur në kohë, nuk ka çfarë të shesë si model dhe vizion përveç pompozitetit historik.  

Ndryshimet e pakta në nivelin lokal, nuk do të ndodhin për shkak të mahnitjes së elektoratit me ofertat e opozitave lokale, ose rritjes së numrit të votave për to dhe as për shkak të dëshirës për ta ndëshkuar pushtetin lokal për mospunë. Bëhet fjalë për efekte të thjeshta matematikore, të prodhuara nga përçarjet brenda degëve të PDK-së. Kur dy zihen, fiton i treti.

Pas këtij karnavali njëmujor laritjesh për vota, shumë kryetarë komunash do ta vazhdojnë punën edhe për një mandat, edhe pse meritonin të ndëshkoheshin. Shumë kandidatë të tjerë të shkëlqyeshëm dhe të zotë, që mund të kishin shërbyer si modele ndryshimesh, do jenë lodhur kot në fushatë. Kjo, sepse u takonin partive të gabuara nëpër bastione. 

Pjesa dërrmuese e elektoratit kosovar vazhdon të ketë aversion ndaj ndryshimit të votës. Lidhjet emocionale me partitë dhe liderët, mbeten po aq të forta sa ato të besimtarëve të devotshëm me fetë. Për shumicën e votuesve, rëndësi primare vazhdojnë të kenë simbolikat dhe gjërat që kanë ndodhur para disa vjetësh, ose dekadash. Rol të rëndësishëm në motivimin e tyre pa dyshim luan edhe fakti se në këtë ekonomi me sektor të dobët privat dhe papunësi të lartë, ato të ardhura të pakta që janë, nga rrogat, kontratat, licencat, etj, mbeten të varura nga shteti dhe nga forcat politike që e kontrollojnë atë. 

Shumë votues mbase edhe realisht janë të kënaqur, ose edhe kanë pritshmëri shumë më të ulët nga pushtetarët, se ne të tjerët që ankohemi rregullisht. Ndonjëherë edhe u lakmoj. 

Njëri prej kandidatëve me gjasa të mira për ta fituar edhe një mandat për shkak të kësaj logjike të elektoratit, e të cilin çdo qytet normal do ta largonte nga pushteti pa u menduar dy herë, është i pari i Prishtinës, Isa Mustafa. Këtë vit, më shumë se kurdoherë tjetër, banorët e kryeqytetit i kanë mundësitë për të zgjedhur alternativa të respektueshme përballë një modeli qeverisës të deshmuar si të dështuar. Kandidatët e brezit të ri, Shpend Ahmeti, Korab Sejdiu, Besnik Tahiri dhe Valon Murati, meritojnë të merren seriozisht në konsideratë. Visar Arifaj edhe më seriozisht.

Por ja që logjika e bastioneve dhe kalkulimeve të nivelit qendror, e bën Mustafën sërish favorit. Ndonëse bëhet fjalë për një kryeqytet dhe në shumë vende janë pikërisht kryeqytetet ato që krijojnë modele, duke u hapur rrugë ndryshimeve dhe figurave të reja, ambiciet dhe mendësitë e elektoratit prishtinas mbeten provinciale dhe konservatore. Nëse vendosë t’ia zgjasë edhe për katër vjet LDK-së qeverisjen në kryeqytet, elektorati prishtinas pranon se është i kënaqur me katrahurën që po zhvillohet para syve tanë. 

Ka mbetur vetëm të shpresohet se gjatë kësaj fushate, në mendjet e votuesve të Prishtinës ka ngjarë ndonjë mrekulli. Në një skenar të tillë, kandidati i vetëm që realisht ka fuqi politike për ta sfiduar Isa Mustafën, është Shpend Ahmeti. Befasuese, por larg së qeni konkuruese për vendet e para, mund të jetë edhe përqindja e fenomenit më të madh dhe fituesit moral të këtyre zgjedhjeve, Visar Arifajt dhe Partisë së Fortë.

Logjika e bastioneve do të bëjë që të mos fitojnë as disa nga kandidatët e tjerë më të respektueshëm të këtij cikli elektoral në komuna të tjera, Faton Topalli në Ferizaj, Salih Salihu në Viti, Ajnishahe Halimi në Skënderaj, Gazmend Muhaxheri në Pejë, etj. Gjasat e vetme për fitore mbi baza të cilësisë, në ndonjë bastion partiak, i ka Mimoza Kusari-Lila. Por mbetet të shihet nëse votuesit e Gjakovës do ta gjejnë forcën për t’i shkundur besnikëritë partiake dhe sa shtabi zgjedhor i Kusari-Lilës do të jetë i aftë për ta mbrojtur votën. 

Nëse edhe pas këtyre zgjedhjeve lokale nuk e shohim asnjë përmbysje të logjikës së bastioneve, vështirë se mund të presim përmirësim qenësor të qeverisjes lokale. Çfarë shtyse kanë kryetarët e komunave për të punuar mirë kur e dinë se suksesi në punë nuk do të jetë baza mbi të cilën ata do të vlerësohen pas katër vitesh? Qeverisja e Prishtinës është shembull i asaj që ndodhë kur vota merret si e mirëqenë. 

Mungesa e përmbysjeve dhe modeleve të reja do t’i zbehte edhe më shumë shpresat se në këtë vend alternativat e bazuara mbi ide dhe meritokraci profesionale mund të depërtojnë drejt fuqisë. Nëse as edhe një model i tillë nuk fiton, përgjigja më e përshtatshme që mbase mund t’i jepej pyetjes së Hashim Thaçit (“Edhe?”) do të ishte ai mallkimi gjysëm-satirik i Isa Mustafës: zoti na marroftë!