Shoku, i kam disa informata të rëndësishme

Për ju që nuk e keni parë këtë film, në të shtjellohet tregimi i një hipiku të papunësuar e në moshë, Shokut, i cili gjen veten në një vorbull të intrigave kriminale, e tëra si rezultat i faktit se dikush ka urinuar në qilimin e tij. E Shoku kërkon drejtësi – kompensim për qilimin.

Wendorf, prokurori finlandez i cili heton pretendimet e korrupsionit brenda EULEX-it, mund të ketë rënë në një grackë të njëjtë si Shoku kur ia dërgoi letrën Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjagës, javën e kaluar.
 
Kjo letër pa shumë përmbajtje dhe e shkruar si në nguti, duket se sugjeron që ka pretendime që lidhin kryeprokurorin e ri Aleksandër Lumezin me disa krime serioze. Në letër thuhet: “Gjatë hetimeve tona kemi rënë në informata [sic] lidhur me kandidatin z. Lumezi, lidhur me përgatitjen e vrasjes/korrupsionit.”

Në letër këto informata nuk elaborohen më tej, por sugjerohet që Jahjaga të mos e emërojë Lumezin deri në kryerjen e hetimeve të mëtejme. Kjo i ngjan një skene nga “Lebowski” kur Shoku jep një teori lidhur me një kidnapim të pretenduar.

Duke mbajtur në dorë një koktej ai thotë: “Shoku, i kam disa informata të rëndësishme, OK? Janë disa gjëra që kanë dalë sheshit… a e di si, marrë parasysh natyrën e kësaj katrahure, a e di si, unë… kjo mund të jetë shumë më, uh, uh, uh, uh, uh, uh, uh komplekse; mendoj, nuk është, apo më mirë të them mund të mos jetë aq e thjeshtë puna… a e di si?”

Momentalisht nuk dimë se në çfarë informata kanë rënë Wendorfi dhe ekipi i tij. Por, duhet fare e qartë se ai vërtet e ka bërë punën si mos më keq.

Momenti aktual dhe beteja që u zhvillua për tetë muaj me radhë lidhur me emërimin e Lumezit do duhej të ketë qenë indikacion i mjaftueshëm për prokurorin finlandez, i cili është dashur të veprojë më me kujdes. Ka arsye të mjaftueshme për të dyshuar se kjo përpjekje e Wendorfit për ta shtyrë emërimin e Lumezit bazohet në pretendime dhe/ose dëshmi të pabesueshme.

Edhe nëse këto pretendime mund të kenë ndonjëfarë baze, nuk jam i sigurt nëse dikush do t’i trajtojë ato seriozisht. Ndërkohë, e vetmja gjë që Wendorfi ka arritur me këtë punë është që t’i tregojë publikut se është prokuror me kompetencë të dyshimtë i cili nuk respekton zinxhirin komandues.

Shoku dikur arrin ta sqarojë situatën dhe zbulon se është manipuluar nga disa palë të cilave nuk iu bën fare për drejtësinë që ai kërkon ta vë në vend. Unë besoj se në të ardhmen e afërt Wendorfi do të ketë mjaft kohë të lirë. Do të bënte mirë ta shikonte “Lebowskin”. Do të mund të mësonte diçka nga ky film.