Win-win për Beogradin

Nisma Qytetare Serbe (srb. GIS), lista e kandidatëve të përkrahur nga Beogradi anekënd Kosovës, ka shënuar fitore në pothuajse të gjitha komunat ku ka kandiduar për postin e kryetarit të komunës. Kjo listë madje arriti ta fitojë një vend të anëtarit të kuvendit komunal të Prishtinës.

Brenda një cikli zgjedhor, Serbia arriti të heqë dorë nga Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë dhe të nxjerr biletën e vet për BE, duke fituar njëkohësisht ndikim në tërë Republikën e Kosovës.

Beogradi realisht e ndërroi një Zastavë të vjetër me një flotë të tërë të veturave Volkswagen Golf.

Nuk ishin shumë mbresëlënëse fitoret e Beogradit në veri të vendit, për shembull në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, ngase Serbia realisht ka menaxhuar këtë rajon 13 vitet e fundit. Fitoret e vërteta janë shënuar në jug të lumit Ibër, duke qenë se kryetarë komunash nga GIS së shpejti do të udhëheqin me komunat e Novobërdës, Graçanicës, Ranillugut, Parteshit dhe Kllokotit.

Vetëm në komunën e Shtërpcës, ku ndodhet edhe resorti i skijimit Brezovica, GIS nuk arriti të korrë fitore.

Këto komuna të pjesës jugore gjatë një periudhe kohore kanë qenë të integruara në Republikën e Kosovës. Sigurisht se serbët kanë të drejtë të votojnë për këdo që duan, por do të ishte naive që të shihen këto fitore të GIS vetëm si pasqyrim i preferencave votuese të tyre.

Beogradi ka zhvilluar një fushatë të egër, ndonjëherë edhe të fëlliqtë zgjedhore në këto komuna jugore, në të cilat me gjasë jetojnë më shumë serbë se sa në veri të vendit.

Ndikimi parësor do të jetë zgjimi i menjëhershëm dhe dramatik i Partisë Liberale të Pavarur (SLS), e cila është pjesë e koalicionit qeverisës me Kryeministrin Hashim Thaçi.

SLS ka luajtur rol kyç në integrimin e serbëve në jug të lumit Ibër, por edhe ka qenë përgjegjës për ngritjen e Nenad Cvetkoviqit, që tani humbi postin e kryetarit të komunës në Partesh, e i cili është i dënuar për dhunim. E ky nuk ishte skandali i vetëm i kësaj partie.

Shkatërrimi i monopolit të SLS-së në jug në shumë aspekte përbën një rifreskim, dëshmi të rikalibrimit të politikave lokale në Kosovë gjatë këtyre zgjedhjeve të fundit. Por, motivet e liderëve të rinj janë të dyshimta. Shumë prej tyre vijnë nga “institucionet paralele” të udhëhequra nga Serbia, dhe ka arsye për të besuar se do të marrin urdhra që vijnë nga Beogradi.

Nëse ky trend pasqyrohet në zgjedhjet kombëtare të vitit 2014, Beogradi shpejt mund të fusë njerëzit e vet në parlamentin e Kosovës dhe rrjedhimisht do të ketë ndikim në zgjedhjen e kryeministrit të ri të vendit. Ky veprim do të ishte dinakëri gjeniale, ngase Serbia do të arrinte të lirohej nga barra e Kosovës e në të njëjtën kohë do të dyfishonte autoritetin e vet në vend.