Qeverisje me “Ritëm Breshke”

A mund të besohet se koalicioni qeverisës ka nëntë muaj në pushtet? Dy partitë më të mëdha kosovare, në një koalicion të pa natyrshëm, filluan mandatin qeverisës pas një fushate zgjedhore me premtime të mëdha. Premtimi kryesorë i këtyre dy partive ishte krijimi i 120 mijë deri 200 mijë vende të reja të punës.

Në një prononcim të para disa ditësh, Kryeministri u shpreh se nuk mund të krijoj këto vende të punës brenda muajve, apo brenda një viti. Por, nuk e tha as atë nëse do arrij ti krijoj brenda katër viteve?

Deri më tani, koalicioni qeverisës i dy partive më të mëdha ka qenë koalicion i premtimeve të mëdha, e punëve të vogla e të ngadalshme.

Askush nuk ka besuar, as atëherë kur vetë anëtarët e partive në fushatë zgjedhore dukeshin se po u besonin premtimeve të tyre, se do të krijohen 120 mijë vende të punës brenda një viti. Por, disa gjëra edhe do të mund të kryheshin shumë më shpejt, si:

Trepça

Në janar u tha se brenda pesë muajve do të procedohet Ligji për Trepçën. Tani jemi në muajin e shtatë që nga koha kur është dhënë ky zotim. Duhet përmendur se më 2010, Qeveria e Kosovës kishte aprovuar planin për investimet strategjike në Trepçë dhe ministritë e linjës ishin ngarkuar me përgjegjësinë e përgatitjes së draftit të Ligjit për Trepçën. Kanë kaluar pesë vite nga ky vendim dhe nëntë muaj nga koalicioni i ri qeverisës dhe edhe më tutje nuk dihet se “si do ti lidhet kryet Trepçës”.

Falja e Borxheve

Më shumë se gjashtë muaj më parë Qeveria filloi procesin e faljes së borxheve. U themelua komisioni ekzekutiv dhe projektligji u dërgua në Kuvend, ku edhe u aprovua nga deputetët. Por, edhe më tej, Qeveria nuk ka një listë finale të borxheve. Një detajizim i borxhit parashihet të ndodh brenda një muaji nga hyrja e ligjit në fuqi. Ky proces i filluar pas presionit të emigrimit ilegal, doli të jetë shumë më i komplikuar se sa mendohej në fillim. Institucionet publike nuk kanë mbajtur me rregull evidencat e borxhit dhe ky proces po u merr kohë.

Strategjia Kombëtare për Zhvillim Ekonomik

Pas 100 ditëve të para të qeverisjes, Qeveria doli me plan qeverisës. Me rastin e publikimit të planit, u tha se brenda gjashtë muajve do të aprovohet Strategjia Kombëtare e Zhvillimit Ekonomik. Afati prej gjashtë muajsh ka kaluar tani e dy muaj dhe ende nuk kemi një draft të kësaj strategjie.

Ndërmarrjet publike

Në janar të këtij viti u shpall konkursi për kandidat për bordet e ndërmarrjeve publike. Kanë kaluar shtatë muaj edhe ende nuk është bërë intervistomi i kandidatëve. Kush është ai kandidat i cili aplikon për një vend të punës dhe pret shtatë muaj për ta ftuar në intervistë? Ai që është partiak dhe nuk ka mundësi të gjej një punë tjetër. E një i tillë nuk mund të jetë profesional.

Shumica e anëtareve të bordeve janë të emëruar që nga koalicioni qeverisës PDK-LDK, kur në fund të 2008 Qeveria emëroi anëtarët e të gjitha bordeve. Emërimet ishin aq politike, sa u deshtë që për herë të parë të intervenoj edhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar. Që nga 2008, shumica e anëtarëve të bordeve të NP kanë mandat të vazhduar me vendim të Qeverisë. Performanca e ndërmarrjes asnjëherë nuk ka qenë kriter për vazhdimin ose jo të mandatit të bordeve. Në fund të muajit janar të këtij viti, në një konferencë të Institutit GAP, ministri i MZHE deklaroi se synim i Qeverisë do të jetë përzgjedhja e anëtarëve profesional dhe jo partiak. Disa ditë pas kësaj deklarate, një anëtar i PDK u zgjodh si drejtor menaxhues në PTK.

Fondi Zhvillimor

Gjatë fushatës zgjedhore, LDK premtoi krijimin e Fondit për Investime, kurse PDK premtoi Fondin për Punësim. Halli? Në mars të këtij viti Qeveria mori vendim për të themeluar grupin punues për hartimin e koncept dokumentit për Fondin për Investim dhe Punësim. Pesë muaj më pas, ende nuk kemi një dokument publik për këtë fond.

Agjencionet e pavarura

Njësoj sikurse me bordet e ndërmarrjeve publike, nuk ka progres as në emërimin e anëtarëve të bordeve dhe drejtorët menaxhues të agjencioneve të pavarura. Për kundër asaj se ka më shumë se një vit që Zyra e Auditorit të Përgjithshëm është pa udhëheqës, partitë e koalicionit nuk e patë të arsyeshme që të votojnë kandidatin për Kryeauditorë të propozuar nga presidentja. Arsyeja: nuk ishte pjesë e partive të tyre.

Njësoj është gjendja edhe me bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Autoritetit Kosovar të Konkurrencës e borde tjera të rëndësishme për ekonominë e vendit.

Reforma në administratën publike

Se Qeveria e re nuk do të zvogëloj numrin e posteve ministrore, u pa që në momentin kur u nënshkrua marrëveshja e koalicionit e cila parashihte 21 ministra dhe 44 poste zëvendësministrash. Por, në fillim të muajit shkurt u aprovua Katalogu i vendeve të punës në shërbimin civil. Me vendim qeveria ngarkoi Ministrinë e Administratës Publike që të filloj zbatimin e katalogut. Gjashtë muaj më pas, zbatimi i këtij katalogu nuk vërehet askund. Sipas zyrtarëve të MAP, katalogu bie ndesh me pozitat aktuale të shërbimit civil dhe si i tillë është vështirë i aplikueshëm

Reduktimi i automjeteve zyrtare

Po në muajin shkurt u mor vendim për reduktimin e automjeteve zyrtare. As pas gjashtë muajsh nga marrja e këtij vendimi nuk është shpallur ankandi për automjete. Sipas një përgjigje të dërguar në adresë të Institutit GAP, në fillim të gushtit të 2015, janë 965 vetura zyrtare në 19 ministri, Zyre të Kryeministrit dhe Dogana. Në 506 prej tyre janë të instaluar GPS, kurse 157 vetura pritet të dalin në ankand. Një vit më parë, në shkurt të 2014, MAP kishte dërguar të njëjtën përgjigje: se ekzistojnë 965 vetura në përdorim, 506 prej tyre kanë të instaluar GPS. Progresi për një vit? Zero.

Programi legjislativ

Programi legjislativ për 2015 përmban 122 projektligje, ku 58% e tyre janë plotësim-ndryshim i ligjeve në fuqi. Sipas programit, në periudhën janar-korrik 2015 do të duhej që Qeveria të aprovonte 84 projektligje. Deri në fund të korrikut janë aprovuar 44 prej tyre.

Këto dhe shumë raste të tjera dëshmojnë për inercionin në qeverisjen tonë. Ditët e para të çdo qeverisje të re janë zakonisht ditët më aktive dhe më të suksesshme. Qeveria arsyetohet se ndryshimet marrin kohë. Mirëpo, për të ndodhur ato ndryshime, së pari duhet të vendosim politikat. E deri më tani, Qeveria e re ka hapur shumë fronte, por asnjë nuk e ka mbyllur me sukses.