Nëse do e kishin seriozisht...

Qeveria, Kuvendi, komunat, gjykatat e institucione tjera, e kanë gojën plot me deklarata për luftim korrupsioni e llogaridhënie.

Por, për çdo ditë bëjnë diçka e cila vetëm sa e rritë papërgjegjshmërinë dhe aktet korruptuese. Një veprim korruptues nuk është vetëm vjedhja e parasë pubklike, por edhe instalimi i praktikave të këqija qeverisëse të cilat shfrytëzojnë kot kohën dhe resurset zyrtare.

Nëse do e kishin seriozisht, Qeveria e Kosovës do të kërkonte nga Gjykata Kushtetuese mendim për shkarkimin e Kryetarit të Komunës së Prizrenit, ashtu siç ja jep të drejtën neni 64 i Ligjit për vetëqeverisje lokale.

Kryetari i Komunës së Prizrenit vetëm se është gjendur fajtor nga gjykata e shkallës së parë dhe nuk do të duhej të ishte fare në atë pozitë. 

Nëse do e kishin seriozisht, mbi bazën e njëjtë ligjore, Qeveria do të duhej të kërkonte edhe shkarkimin e Kryetarit të Komunës së Skenderajt, i cili është zgjedhur kryetar komuna gjatë kohës së tij në paraburgim dhe tani e një vit nuk ka dalur asnjë ditë në zyre. Nuk besoj të rast në botë kur një kryetar qeveris me komunën për mbi 400 ditë.

Nëse do e kishin seriozisht, Qeveria e Kuvendi do të inicionin procedurën për shkarkimin e Kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Përderisa OSHP është përgjegjëse për të vendosur drejtësinë në ndarjen e tenderëve, Kryetari i saj është i akuzuar pikërisht për ndarjen e padrejtësisë në detyrën që e ushtron.

Nëse do e kishin seriozisht, Qeveria do të shkarkonte Bordin e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Bordi i kryesuar nga personi i njëjtë që nga 2008 vlerësohet negativisht në të gjitha raportet e performancës dhe sërish rizgjedhet në pozitën e njëjtë nga Qeveria.

E njëjta Qeveri e kritikon për performancë, e njëjta Qeveri e rizgjedh. Emërimet e kryeshefëve politik dhe rënia e performancës financiare janë pasojë e vendimeve të gabuara dhe partiake të Qeverisë, të cilat së pari kanë politizuar bordin e pastaj tërë ndërmarrjen.

Nëse do e kishin seriozisht, Qeveria do të pajiste ne GPS të gjithë automjetet zyrtare dhe do të bënte publik personat zyrtar përgjegjës për vozitjen e automjeteve zyrtare dhe numrin e tabelave. Kjo do të mundësonte që qytetarët përveç që të identifikojnë shkeljet me automjetet zyrtare që mbajnë tabela me “Z”, të identifikojnë edhe përgjegjësin për këto shkelje.

Qytetarët vazhdojnë të raportojnë në media sa herë shohin se një automjet zyrtar po keqpërdoret, se si automjetet me “Z” i prijnë karvanëve të krushqve nëpër dasma, se si këto automjete mbushen me mall nëpër supermarkete, se si më automjete zyrtare shkohet në bregdet, se si madje me automjete zyrtare shëtitën edhe kafshët shtëpiake. Por, përkundër këtyre raportimeve, askush, asnjëherë nuk ka marr masa.

Nëse do e kishin seriozisht, Qeveria nuk do të emëronte mbi 50 zëvendësministre. E aq më tepër nuk do të emëronte ata në mënyrë të fshehur, e sidomos nuk do të emëronte zëvendësministra të cilët janë akuzuar e akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Nëse do e kishin seriozisht, Qeveria e Kuvendi do të publikonin të dhënat për çdo cent të shpenzuar, sidomos nga anëtarët e Qeverisë dhe Kuvendit.

Për çdo vit, miliona euro keqpërdoren për dreka zyrtare në restorantet e Kosovës e jashtë vendit, bileta udhëtimi e mëditje, karburant për vetura e telefon, e deri edhe përdorimi i kredit kartelave të Qeverisë në supermarketet e Kosovës.

Nëse do e kishin seriozisht, Qeveria do të ndryshonte Ligjin për Prokurimin Publik për të vënë rregull në ato gjysmë miliardi euro që shpenzohen për çdo vit përmes prokurimit publik. Për çdo vit në raportet e progresit kritikohet qasja e Qeverisë ndaj prokurimit publik dhe asnjëherë nuk adresohen kjo çështje. Por kur kërkohet themelimi i Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi Bërthamor, aty ku do të punësohen disa militantë të Qeverisë, këtë rekomandim Qeveria e merr parasysh menjëherë.

Nëse do e kishin seriozisht, Qeveria do të shkarkonte të gjithë anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike dhe në vend të tyre të zgjedh anëtar jo partiak dhe ekspert, të cilët do të menaxhonin me përgjegjësi më të lartë dhe do të rrisnin efiqiencën në ndërmarrjet publike.

Nëse do e kishin seriozisht, gjykatat nuk do të lejonin që të parashkruhen lëndët që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare, ashtu siç po ndodh gjithnjë e më shpesh.

Nëse do e kishin seriozisht, do e ndryshonin legjislacionit në mënyrë që prodhuesit të favorizohen më shumë se sa importuesit, një hap i cili do të ngushtonte deficitin tregtar i cili ka arritur mbi 2.2 miliard euro, do të mbante paranë në qarkullim brenda dhe do të krijoheshin vende pune për të cilat aq shumë kemi nevojë. Sot, shumë më lehtë është të i hysh biznesit e të importosh diçka, se sa të prodhosh, edhe nëse i ke të gjitha mundësitë dhe shkathtësitë për të bërë një gjë të tillë.

Nëse do e kishin seriozisht, do i ndërmerrnin këto së bashku me dhjetëra vendime tjera të cilat do të lehtësonin monitorimin e jashtëm, do të rrisnin përgjegjësinë dhe do të ulnin korrupsionin. Por nuk e kanë seriozisht. Për asgjë.

Ky vend ditë e më shumë po i ngjan një vendi anarkie. Ku askush nuk jep llogari për asgjë. Ku askush nuk ka kontroll për asgjë. Ku pushteti përdoret vetëm për përfitim personal. E ku publikja është vetëm mundësi për të plaçkit gjithnjë e më shumë.