Çmimi i paarsyeshëm

Si do të reagonit në rast se sot do ju ndodhte një rast si ky:

Herët në mëngjes, ende pa filluar punën, në ditën e parë të javës, e cila ka qëlluar të jetë edhe dita e parë e muajit shtator, uleni në lokalin tuaj të preferuar dhe porositni si gjithnjë një makiato. Së bashku me makiaton, kamerieri ju sjell edhe kuponin fiskal. Rastësisht ju shkojnë sytë te fatura dhe vëreni se çmimi i makiatos këtë të hënë në mëngjes është për 5.18% më i shtrenjtë. 

Dy muaj më parë kur çmimi i makiatos u rrit për 4%, ju nuk e bëtë fort të madhe, por pas dy muajsh një rritje e re e çmimit për 5.18% ju bën të mos rrini rahat dhe e pyetni kamerierin se për çfarë arsye çmimi i makiatos është rritur për 5.18%?! 

Kamerieri fillon të ju shpjegojë arsyen prapa vendimit të pronarit se përse është ngritur sërish çmimi i makiatos. Sipas tij, “aparati i makiatos ka pasur një prishje dhe me qëllim të sanimit të prishjes, pronari i lokalit ka vendosur të rrisë çmimin e makiatos me qëllim që të mbulojë shpenzimet shtesë të paplanifikuara”. “Po ashtu”, vazhdon arsyetimin kamerieri, “pas presionit të punonjësve, pronari ka vendosur që nga muaji prill, të gjithë punonjësve t’ua rrisë pagat për 120 euro”. Dhe çmimi i kësaj rritjeje të pagave po ashtu ka kontribuuar në rritjen e çmimit për 4% para dy muajve dhe tani 5.18%.

Ju e dinit se edhe më herët çmimi i makiatos që e keni paguar nuk ka qenë i arsyeshëm për faktin se ju keni paguar më shumë sesa kostoja reale e makiatos. Ju keni paguar dhe vazhdoni të paguani edhe për qumështin që derdhet nga pakujdesia e punonjësve dhe këtë humbje të qumështit që nuk gjendet në makiaton tuaj ju e mbuloni në faturë. Si dhe për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të kamerierëve, të cilët arrijnë të vjedhin kafe nga pronari, pronari ju obligon juve si konsumator i rregullt që ta paguani këtë humbje të tij.

Nëse do ju ndodhte diçka e tillë ju me siguri se do të irritoheshit dhe nuk do shkonit të pinit makiaton asnjëherë më në atë lokal. Nuk është e drejtë që të paguani një çmim të paarsyeshëm. Për fat të mirë, ekzistojnë me qindra lokale tjera, të cilat përgatisin makiato.

Pothuajse situatë e njëjtë me këtë ilustrim më sipër është rasti i faturës që e paguajmë për energji elektrike. Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) mban në fuqi një metodologji të përllogaritjes së të hyrave maksimale të lejuara, e cila neve si konsumatorë na detyron të paguajmë edhe për energjinë që nuk e konsumojmë. Sipas kësaj metodologjie, konsumatorët paguajnë edhe për humbjet teknike që ndodhin në rrjetin e energjisë, si dhe për humbjet komerciale, të cilat shkaktohen nga vjedhja e rrymës nga personat e papërgjegjshëm. Së bashku humbjet teknike dhe komerciale arrijnë në 31%.

Përveç kësaj për çdo investim që KEDS-i dhe KEK-u ndërmarrin në infrastrukturën e tyre, ZRrE-ja është e detyruar që të ngrejë çmimin e energjisë. Këto investime i mbulojmë ne si konsumatorë. Sipas metodologjisë së ZRrE-së nuk ka dallim nëse investimi bëhet në rrjet me qëllim të zvogëlimit të humbjeve të energjisë, apo nëse e njëjta shumë shpenzohet në automjete të reja të KEDS-it apo rritje të pagave për punonjësit e KEK-ut.

Ju kujtohet premtimi i Kryeministrit në detyrë se do të rriten pagat për 120 euro për të gjithë punonjësit e KEK-ut? Nëse nuk ju kujtohet, do të duhej që këtë t’ua kujtojë fatura e energjisë elektrike që nga muaji korrik e këndej.

Për dallim nga rasti i imagjinuar me makiaton, kur ju si konsumatorë keni zgjidhje të tjera, në rastin e energjisë elektrike nuk keni zgjidhje tjetër se prej nga të blini energjinë. Andaj jeni të dënuar që të paguani çfarëdo çmimi që ju servohet. 

Për këtë arsye, veprimi i parë që do të duhej të bëjë Kuvendi i ri i Kosovës do të ishte ndërrimi i anëtarësisë së Bordit të ZRrE-së. Bordi i ri i ZRrE-së duhej të ndryshojë mënyrën e përllogaritjes së të hyrave maksimale të lejuara për operatorët e energjisë si dhe Kuvendi duhet të monitorojë për së afërmi planin e investimeve të KEDS-it në rrjetin e energjisë, me qëllim të eliminimit të humbjeve teknike dhe komerciale.

Veprimet e papërgjegjshme të Qeverisë në detyrë, siç janë shitja e KEDS-it, presioni politik mbi ZRrE-në, vendosja e tantiemës së qymyrit, mbajtja e TVSh-së për energji elektrike, po sjellin një situatë ku çmimet e energjisë janë të papërballueshme.