Krimet me Kravatë

Sipas një raporti të Byrosë Federale për Investigim (FBI), në SHBA në vitin 2004 dëmi financiar nga vjedhjet ose keqpërdorimet në vendin e punës arrinte në 600 miliardë dollarë. Kjo shifër ishte dukshëm më e lartë, sesa dëmet financiare të shkaktuara nga krimet ordinere të cilat kapnin shifrën prej “vetëm” 525 milionë dollarësh! Sipas një hulumtimi të “Harris Interactive” (SHBA), 58 për qind e të anketuarve, punëtorë në zyra, kanë pranuar se së paku një herë gjatë punës kanë vjedhur pasurinë e punëdhënësit. Pas kësaj statistike, shtrohet pyetja se kush janë vjedhësit apo shkelësit më të mëdhenj të ligjeve: “jakëbardhët” apo kriminelët ordinerë dhe hajnat e xhepave?

Termi “jakëbardhë” nënkupton punonjësin i cili kryen atë lloje pune e cila nuk kërkon angazhim kryekëput fizik, si punonjësin në arsim, administratë, shëndetësi e shumë profesione tjera në sektorin publik e privat. Përkundër se Kosova është një vend i varfër dhe me papunësi të lartë, “jakëbardhët” zënë një përqindje mjaft të lartë të të punësuarve. Mbi 90 për qind e atyre të cilët punojnë në sektorin publik, ose afro 80 mijë punonjës, mund të klasifikohen në kategorinë e “jakëbardhëve”.

Sa mund të jetë dëmi buxhetor që shkaktohet nga sjelljet jo etike dhe vjedhjet në sektorin publik në Kosovë? Jo të gjithë punonjësit në sektorin publik janë keqpërdorues. Do të ishte shumë e pandershme që të “futeshin në një thes” të gjithë punonjësit në sektorin publik. Por, vendet e punës në sektorin publik janë fusha me keqpërdorimet më të mëdha. Ambienti i punës në Kosovë është shndërruar në ambient korruptues. Kjo për disa arsye: sektori publik në Kosovë është i mbingarkuar me punonjës, të cilët më shumë shkaktojnë dëm, sesa kryejnë detyrën e tyre (madje ka shumë pozita publike pa detyra të qarta të punës); punësimet më të mëdha në administratën shtetërore janë bërë në baza të familjaritetit e në vija partiake dhe jo në bazë të meritokracisë; mosndëshkimi i keqpërdoruesve nga ana e gjykatave ka krijuar një bindje kolektive se humbësi më i madh në këtë shoqëri është ai i cili jeton ndershëm; mekanizmat e mbikëqyrjes dhe kontrollit janë aq të dobëta sa probabiliteti që të zihesh duke vjedhur në administratën shtetërore është shumë më i ulët sesa vjedhjet ordinere.

Përpjekjet më të mëdha në dekadën e parë të fuqizimit të institucioneve kosovare janë zhvilluar në drejtim të forcimit të strukturave të sigurisë, detyrë e të cilave është kryesisht parandalimi dhe zbulimi i krimeve në territorin e Republikës së Kosovës. Por, përgjatë këtyre viteve, nuk është punuar sa duhet në forcimin e strukturave mbikëqyrëse, detyra e të cilave do të ishte parandalimi dhe zbulimi i krimeve dhe keqpërdorimeve në kuadër të sektorit publik. Të pakta janë rastet kur zyrtarë publikë janë pushuar nga puna apo janë dënuar nga gjykatat kompetente për shkak se kanë dëmtuar pasurinë publike. Të shumta janë rastet e keqpërdorimeve me buxhetin dhe pasurinë publike, raste të cilat gjenden të dokumentuara në çdo dokument hetimor që është ndërmarrë deri më tani, si raportet e Auditorit të Përgjithshëm, auditimet e brendshme, formularët e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, raportet e pavarura hetimore, etj.

Në raportet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) mund të hasësh dhjetëra keqpërdorime të këtyre natyrave: mosregjistrim i pasurisë publike, lëshim i cili krijon mundësinë që të përvetësohet pasuria publike, vjedhje të aseteve, mosekzistim i faturave për shpenzimet e parasë publike, mosregjistrim i rregullt i të hyrave në para të gatshme, e shumë lëshime tjera, të cilat ngrisin dyshime për keqpërdorim të pasurisë publike dhe vjedhje. Madje, ka raste të shumta të keqpërdorimit të pasurisë publike, të cilat klasifikohen si të ligjshme. Raste të tilla janë edhe blerjet e veshmbathjeve sportive për stafin e institucionit me paratë publike, falja e veturës zyrtare për familjarin e ish-kryetarit të komunës, obligimi i kompanive private të cilat fitojnë tender që të paguajnë 1 për qind të shumës së tenderit për anëtarët e komisionit vlerësues, ani pse ata marrin rrogë të rregullt, e shumë e shumë keqpërdorime tjera, të cilat janë bërë “të ligjshme” me vendime të institucioneve. Brenda një viti, së paku 550 milionë euro të Buxhetit të Kosovës shpenzohen përmes procedurave të prokurimit publik. Nëse të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do të merrnin vendim që 1 për qind e shumës së tenderëve t’i ndahej komisionit vlerësues, ashtu siç ka vendosur Komuna e Gjilanit, së paku për 5.5 milionë euro do të ngarkoheshin kompanitë private. Kurse për 5.5 milionë euro do të dëmtoheshin investimet publike.

Vetëm ZAP-i përgjatë këtyre viteve ka evidentuar me miliona euro keqpërdorime. Keqpërdorime të cilat presin shqyrtime nga gjykatat ose nuk janë duke u hetuar fare. Për shumë raste si këto faji u hidhet gjykatave. Duke parë se problemet me gjyqësor do të vazhdojnë edhe për shumë kohë, do të duhej ndryshimi i dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me auditim dhe agjencitë tjera mbikëqyrëse në kuadër të sektorit publik. Gjetjet e ZAP-it, AKK-së, Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe shumë agjencioneve tjera mbikëqyrëse, në raportet e tyre duhet të përmbajnë edhe ndëshkime. Nëse zyrtari i cili dënohet në këtë formë, mendon se i është bërë e padrejtë, ta dërgojë rastin në gjykatë dhe të presë vendimin e gjykatës. Kjo do të ishte zgjidhje më e mirë, sesa praktika aktuale ku dyshuesit për keqpërdorime vazhdojnë të punojnë me vite të tëra, deri sa të zgjohen gjykatat prej gjumit.