Mos Kërkoni Fajin tek Ligjet

Kur zbatimi i Ligjit për Duhanin po haste në vështirësi, dhe pasi që pas tre viteve nga hyrja në fuqi institucionet nuk po arrinin të zbatonin, u mor vendim që të ndryshohej ligji i cili nuk po zbatohej. Andaj, në fund të 2009 u bë plotësimi i Ligjit për duhanin, ku ndryshimi kryesor në ligj ishte ai i hyrjes në fuqi: tani ligji i ri i duhanit do të hynte në fuqi nga 1 janari 2010.

Por, as ligji i ri nuk po zbatohej. Inspektorati shëndetësor nuk ishte i gatshëm që të zbatonte një ligj të tillë. Në pamundësi për të zbatuar këtë ligj, më 2013 u aprovua një ligj i ri për kontrollin e duhanit, me shpresën se kjo do të jetë e treta e vërteta. Pas majit të 2013 dhe pas dy ndryshimeve në ligj, më në fund filloi së zbatuari pjesërisht Ligji për kontrollin e duhanit, i cili ndër të tjera ndalon pirjen e duhanit të hapësira të mbyllura. 

Ligji për duhanin e ilustron më së miri qasjen e institucioneve ndaj problemit të mos zbatimit të ligjeve. Në rast se një ligj apo akt nënligjor nuk gjen zbatim, atëherë ndryshoje atë dhe fillo zbatueshmërinë nga fillimi. Sipas një hulumtimi të GAP, mesatarja e jetëgjatësisë së ligjeve në Kosovës është 2.8 vite. Këto ndryshime ligjore janë shumë të shpeshta, çfarë nënkupton se ligjet hartohen e aprovohen pa debat të gjerë publik, pa studime adekuate për ambientin ku do të zbatohen dhe pa u siguruar për mekanizmat zbatues. Sa për krahasim, mesatarja e ndryshimit të ligjeve në Maqedoni është 4.9 vite, në Qipro 6 vite, Austri 17 vite, Gjermani 21 vite.

Dy javë më parë, në një diskutim publik për ndotjen e ambientit nga veturat në qarkullim, ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor deklaroi se ministria e tij është duke ndryshuar Udhëzimin administrativ për kontrollin e gazrave që emetohen nga automjeteve, për shkak se nuk ka gjetur zbatim që kur ka hyrë në fuqi më 2011.

Në ditën kur Zyra e Kryeministrit e humbi gjyqin ndaj BIRN, ku kësaj të fundit kishte refuzuar t’i jap qasje në një dokument publik, kjo Zyrë filloi procedurat për të ndryshuar ligjin. Ligji për Qasje në Dokumente Publike është në fuqi nga fundi i vitit 2011 dhe në përmbajtje është një nga ligjet më të mira të kësaj fushe. Por edhe ky ligj është i pazbatueshëm. E pazbatueshmëria e tij nuk ka të bëj me përmbajtjen, por me pavullnetin e institucioneve publike për të respektuar obligimet që dalin nga ky ligj. Nëse ndryshohet, ky do të jetë ligji i tretë pas atij të 2007.

Si me Ligjin për duhanin, ashtu edhe me Ligjin për qasje në dokumente publike e me shumë ligje të tjera që nuk gjejnë zbatim, problemi nuk qëndron tek përmbajtja e tyre, apo tek mos dëgjueshmëria e qytetarëve, por problemi është në mesin e institucioneve publike. Ata që i hartojnë këto ligje, janë shkelësit më të mëdhenj të tyre. Nuk mjafton të kemi ligjet me standarde evropiane, kur administrata përgjegjëse për zbatimin e tyre nuk është në këtë nivel të këtyre standardeve. Përveç mungesës së profesionalizmit dhe vullnetit për të zbatuar ligjet, në shumicën e rasteve ligjet aprovohen edhe pa pasur mbulueshmëri buxhetore. Secili ligj ka kosto financiare, të cilat Qeveria nuk i kalkulon si duhet. Shembulli më i freskët për këtë është Ligji për Sigurimet Shëndetësore, i cili do të duhej të ishte në fuqi nga janari 2015, por në mungesë të buxhetit ka mbete vetëm ligj në letër. Nuk është çudi që pas një kohe, në pamundësi të zbatohet, të ndryshohet edhe ky ligj.

Andaj, para se të ndryshohen ligjet ende pa filluar zbatimi i tyre, të ndryshohet qasje e vetë institucioneve ndaj zbatimit të tyre. Të ngriten kapacitet institucionale për zbatimin e ligjeve, sidomos inspektorateve. Gjatë hartimit të ligjeve, të ofrohen siguri se është parapa buxhet i mjaftueshëm për zbatimin e ligjit. Por më e rëndësishmja, te këtë vullnet politik për zbatimin e ligjeve.