Realiteti Që Të Kapë Për Fyti

Dy të moshuarit, ndërsa gjerbnin dalëngadalë gllënjkat e kafesë, bashkë me to mundoheshin të përtypnin edhe realitetin që i kishte kapur keqazi për fyti, ashtu si gjithë kosovarët e tjerë. Edhe po të donin, nuk mund të arratiseshin më prej tij. S’ishin as të rinj, as idealistë, e as poetë. Ishin vetëm dy të moshuar, të cilët edhe pse kishin mbërritur realizimin e ëndrrës më të madhe të tyre: lirisë- sërish nuk po mundnin ta shijonin atë.

Liria si realitet nuk ishte e njëjtë me Lirinë si ëndërr! Ishin aq të vjetër, sa për ta ditur se ëndrra dhe zhgjëndrra ndryshojnë shumë, as për së largëti nuk janë të njëjta. E megjithatë zemra ua kishte dashtë që lirinë ta shijonin njëjtë si në ëndërr si në zhgjëndërr. Sepse Liria tash e më shumë se një dekadë nuk është më ëndërr…  

“Eh more Zot, atij i qofshim falë, si shkun edhe këto punë kështu…,- po i thoshte shokut njëri prej tyre.Tjetri, ia priti me një ofshamë miratuese që fliste më shumë se qindra fjalë. Pasi mori miratimin e shokut,  pari vijoi duke e elabouar edhe më tej mendimin:- eh more shoq, si e morën udhën kësisoj punët tona. Paj s’kemi qenë edhe aq të vjetër para 14 vjetësh. A e mban mend gëzimin e kthimit në Kosovë, elanin për me jetu pas luftës?.. Entuziazmin e madh të lirisë?!.. Shihe tash, qysh na ka plakë e keqavë liria… Ma zi se shteti jemi ba, mezi ku po mbahemi në kambë…”.  

Biseda e dy të moshuarve po më tërhiqte çuditërisht shumë. Jo se gjërat që ata thonin e konstatonin, ishin të reja. Konstatime e opinione të tilla me shumicë enden e tirren kafeneve, të cilat janë shndërruar në cak të artikulimit të pakënaqësive për gjendjen dhe realitetin tonë.  

Ai realitet, që të gjithëve na ka zënë prej fyti duke tentuar që të miqësohemi me të. Dhe ne, me gjasë jemi miqësuar. Në mos qofshim miqësuar tamam, më së paku jemi mësuar me të, jemi përshtatur ashtu si me çdo lloj tjetër realiteti….  

Në vend të përpjekjes për ta ndryshuar, kemi zgjedhur rrugën më të lehtë: atë të përshtatjes, të cilën me gjasë si shqiptarë e kemi refleks historik. Për më tepër e kemi mjet mbijetese: përmes përshtatjes kemi mbijetuar…  

E teksa unë endesha në labirintin e mendimeve të mia të ngatërruara, dy të moshuarit, në tavolinën ngjitur me mua vijonin bisedën pa drojë e qeder. Paj me e shfry mllefin dhe pakënaqësinë në kafe s’mundet t’ua ndalojë kush.  

“Krizë e madhe shoq. Krizë e gjithçkaje: ekonomisë, vlerave, dinjitetit, moralit… A mundet me i ra kush në fije çka na ka gjetë e kaplue kaq keq si shoqni që s’po mundim me ec përpara?- në bisedë e sipër njëri prej të moshuarve e pyeti tjetrin, i cili këtë herë përpos ofshamës miratuese e pa të udhës që miratimin ta shprehte edhe me fjalë: – paj as dreqi s’mundet me i ra në fije shoq. As dreqi… Edhe dreqin e ka kapë kriza, e s’po e len me na ra në fije”…  

Pasi porositën kafetë e dyta me një shishe ujë që e ndanë përgjysëm, dy të moshuarit vijuan bisedën e tyre duke u thelluar edhe më tej në vargun e pakënaqësive të tyre për realitetin. Atë realitet që i kishte kapur fort për gryke, aq fort sikur donte tua merrte frymën. Atë frymë që dikur nuk u kishte mjaftuar për t’u arratisur nga realiteti…  

E tash për ta ishte vonë. Tepër vonë…  

Ishin mishëruar me realitetin, ishin bërë pjesë e tij. E mbi të gjitha ishin tepër të vjetër për ta ndryshuar. E ndoshta edhe tepër të vjetër për ta përballur…  

Realiteti në pikëshikimin e tyre kishte fytyrën e dreqit: krizë ekonomike, politike, shoqërore, morale, papunësi, shprishje morale, hajni e plaçkitje të shtetit, maskarallëk e përçudnim shoqëror, stërkeqje e gjithkujt dhe e gjithçkaje.  

Kjo sipas tyre ishte tabloja e Lirisë, e lirisë reale, e jo asaj lirisë së idealizuar në ëndrrat shekullore. E lirisë që ata përjetojnë që 14 vjet dhe jo e lirisë idilike të vizatuar poetikisht nga poetët.  

Në muzgun e jetës, dy pleqtë vetmitarë i ngrysin ditët duke ndarë mes shokësh hallet dhe dertet e veta dhe të shoqërisë. Në habi totale për atë çka po ndodh rreth e rrotull tyre. Të pazotë për të kuptuar se çka i ka ndodhur Lirisë kur u shndërrua në realitet dhe duke u lutur që punët të shkojnë si duhet. Liria të ketë aromën e ëndrrës dhe shteti t’i ngjajë shtetit…
 
Tërë sy e vesh mundohem të mos lë të më kalojë asnjë fjalë e bisedës së tyre. Më duket fisnik ky preokupimi i tyre dhe shqetësimi i sinqertë për atë që po ndodh në shoqërinë tonë. Të zhytur kokë e këmbë në realitetin që po përjetojmë të gjithë, ata ndoshta nuk e dinë se realiteti i ka kapur fort për fyti.  

Më vjen të futem në bisedë me ta dhe t’ua recitoj vargjet e Boskes: “Unë doja të arratisesha nga realiteti, por fryma s’më mjaftoi. Realiteti më kapi dhe ne u bëmë miq”. T’u them se pavarësisht nëse e njohin ose jo Boskenë, kanë dëgjuar apo jo ndonjëherë për të, ato vargje duket sikur janë shkruar për ta dhe për krejt shoqërinë tonë…