Naimi - Një Trashëgimi Që Nuk i Bën Punë

Naimi është një qytetar i rëndomtë i Kosovës. I rëndomtë po se po (nuk merret me politikë, nuk ka funksione publike dhe nuk është i njohur për opinionin, përveçse për rrethin e tij), por edhe qytetar model është Naimi. Paguan taksat, të gjitha detyrimet ndaj shtetit, bën pagesat për shërbimet komunale (madje nuk harron asnjëherë të paguajë edhe faturën e bërllokut), ushtron të drejtën e votës, paguan tatimin mbi pronë, etj, etj. Ka një shitore të vogël dhe është në rregull edhe me tatimet. Ndryshe nga shumë pronarë shitoresh jo vetëm që e ka vënë në përdorim ndër të parët arkën fiskale, por regjistron çdo shitje, pa fshehur e bërë hile për hatër të tatimeve. Veçmas tatimet i paguan me qejf të madh, sepse ka për kënd: I paguan për shtetin e vet!

Shitoren e vogël e ka trashëgim nga babai, prej të cilit ka trashëguar edhe urtësinë. Prej babës ka mësuar të jetë i ndershëm e të mos lakmojë atë që si takon, që nuk është e tija. Të njëjtën gjë synon që t’ia lërë trashëgim të birit: amanetin për ndershmëri…
 
Por, ka ca kohë që hesapet mbi ndershmërinë nuk po i dalin më Naimit. Diçka është pështjellë rrugës së ndërtimit të shtetit dhe ai po e sheh që ndershmëria është kthyer në asortiment të rrallë. Njerëzit e ndershëm edhe më të rrallë dhe kur i ndesh tingëllojnë arkaikë. Vetë Naimi është një ndër ata.

Nuk po e kupton më çka po ndodh rrotull e rreth tij, nuk po e kupton çfarë po i ndodh shtetit të tij, për forcimin e të cilit ai i paguan me qejf të madh taksat e tatimet…

Dinamika me të cilën po ndërtohet shteti i Kosovës e ka çoroditur e bërë të flasë me vete. Të vërë në dyshim parimet mbi të cilat e ka ndërtuar deri më tash jetën. Parime të mësuara e trashëguara nga i ati e të cilat ia ka mësuar e do ia lërë trashëgim ai vetë të birit.

Paslufta i ka pështjellë gjërat dhe Naimi s’po u bie dot në fije. Dy fqinjët e rinj (njëri në të majtë e tjetri në të djathtë të shtëpisë së tij) në vend të shtëpive të dikurshme që i blenë pas luftës nga fqinjët e vjetër të Naimit, kanë ndërtuar gradaçela. Shtëpia e Naimit e mbetur mes tyre duket si një shtëpi kukullash e futur në morsë shkatërruese.

Fqinjët e rinj thuhet se kanë dhjetëra shitore e klube, të cilat i lënë në hije shitoren e vogël të Naimit. Gojët e liga thonë se ose nuk paguajnë tatime ose i rrejnë fitimet për të ulur taksat. Ata punojnë diku në institucione të shtetit dhe padyshim që duhet ët jenë persona të rëndësishëm. Ndryshe, thotë me vete Naimi nuk do ishin shtrënguar aq keq nëpër kostume e kravata që s’u shkojnë për boje. 

Fqinjët e rinj të Naimit, madje edhe fëmijët e tyre adoleshentë vozitin makina të shtrenjta me zero km dhe këtu Naimi fillon e çoroditet krejt. I humb krejt filli i logjikës normale dhe nuk di si t’ia shpjegojë vetes pasurimin e kësisojmë të fqinjëve të rinj.

Si një njeri që e ka fituar bukën e gojës me ndershmëri ai nuk ka mundur të bëjë pasuri. Nuk do mundet të birit t’i lërë pasuri tjetër veç shitores së vogël, të trashëguar nga ati i tij. Ah po, pasuria tjetër që do i lërë trashëgim të birit është mësimi për ndershmërinë.

Mu këtu i përzihen krejt kabllot Naimit. Këtu te mësimi për ndershmërinë, i cili s’po i përputhet kurrkund me ato çka sheh rrotull e rreth tij. Dhe pamja është vërtet e shëmtuar: gjithçka shitet e blihet si në një pazar të madh: ndershmëria, dinjiteti, titujt akademikë, pronat, flamujt, shpirti… Shitet edhe Kosova… Madje, kjo e fundit shitet më lirë nga gjithë asortimentet e tjera, shitet për një copë bukë ashtu si deri më tash është shitur gjithë pasuria e saj…

Naimi ka sy e vesh dhe i sheh të tëra që po ndodhin rrotull e rreth tij, nuk i kupton ndoshta, pavarësisht sa mundohet t’i kuptojë. Një Zot e di sa mundohet t’i kuptojë.

I duket sikur po jeton në një ëndërr të makthshme e të frikshme, zgjimi prej të cilës po zgjat paparashikueshëm. Naimi e ka të vështirë që edhe si ëndërr qoftë ai, ta kuptojë realitetin e Kosovës së pasluftës. Edhe më të vështirë ta pranojë. Vetëm lutet që të zgjohet e zhgjëndrra të jetë tjetërfare. Ndryshe, thotë Naimi, mjerë ne, mjerë Kosova e mjerë…

Mjerë për atë çka të rrok syri e mendja çdo ditë…

Naimi e sheh dhe e prek çdo ditë varfërinë që e ka pllakosur vendin, ngufatjen që i është bërë nga hajnia e korrupsioni, sjellja banditeske dhe gjithçka tjetër që të përkujton perëndimin e largët e jo karakteristikat e një shteti që aspiron të jetë pjesë e BE-së. Sheh sesi e Kosovën e kanë vënë përfund me shumicë- injorantë që i kanë hipur mbrapsht kalit të pushtetit, analfabetë me grada akademike që japin mësim nëpër universitete, hajna të veshur me petkun e pushtetit që për më keq akoma luajnë rolin e Zotit, banditë që luajnë e zhonglojnë patriotin foklorik të dalë boje, rezila e të pafe që vrasin e presin me gojën plot bibël e Kuran…

Naimin të cilit i janë ngatërruar matematikat mbi ndershmërinë ka filluar ta trembë arroganca e pushtetit pa shtet. Dhe ende nuk e di në kjo frikë është për mirë apo për keq.

Ndoshta për mirë, mendon Naimi, ky qytetar i rëndomtë i Kosovës, sepse është frika nga zullumi. E kur zullumi është i madh dihet pastaj… merr përpara e shkatërron mu ata që e bën kaq të madh…