Shqipëri - Zgjedhjet Mes Arrogancës dhe

Tirana dhe bashkë me të gjithë Shqipëria është përfshirë nga ethet elektorale. Fushata nisi edhe zyrtarisht, ndonëse kishte nisur si e tillë që pothuaj në janar.

Koalicionet janë bërë, listat e deputetëve janë shpallur, analistët sa nuk po flenë nëpër studiot e shumta televizive të Tiranës (këtu emetohen shumë më tepër televizione sa ka mundësi që të ndiqen në Prishtinë) duke operuar me shifra e duke bërë analiza e prognoza për fituesit dhe humbësit e mundshëm. Pavarësisht se botërisht dihet se në Shqipëri është shumë vështirë që t’ ja qëllosh prognozave politike, pasi ato nuk dalin pothuaj asnjëherë, nuk është i vështirë të dihet rezultati. Falë ligjit elektoral dy janë fituesit e mundshëm: ose Partia Demokratike ose Partia Socialiste. Si njëra si tjetra, pavarësisht konsumimit eventual nga pushteti  tetëvjeçar apo ëndrrës së flaktë opozitare për pushtet nuk kanë pothuaj asnjë gjasë që të fitojnë bindshëm zgjedhjet pa pasur nevojën e përforcimeve nga një parti e tretë, qoftë kjo Lëvizja Socialiste për Integrim e cila bashkëqeverisi deri vonë me PD-në, qoftë Fryma e re Demokratike e Bamir Topit, e cila është shkëputur nga PD-ja dhe presupozohet që të marrë votat e të djathtëve të zhgënjyer. Nga zhvillimet e fundit, po del se Aleanca Kuqe Zi e Kreshnik Spahisë nuk para ka gjasa që të bëhet balancuesja e pushtetit apo partia e cila do të vendosë se nga do të shkojë kandari i pushtetit: djathtas apo majtas. Kjo parti që nisi si një lëvizje qartësisht nacionaliste dhe po aq qartësisht antiBerishë duket se në prag të fushatës elektorale u shfry si tullumbace…Megjithatë gjithçka mund të ndodhë në skenën politike të Shqipërisë, pasi e thamë se prognozat politike vështirë se dalin.

Sali Berisha dhe Edi Rama, kryeministri aktual që aspiron një mandat të tretë qeveritar dhe kreu i opozitës aspirant për kryeministër, kanë personalizuar si zakonisht fushatat, me dorë të hekurt kanë përpiluar dhe hartuar listat e kandidatëve për deputetë, duke bërë edhe të pakënaqur nga partitë e tyre. Ata kanë nisur luftën elektorale duke marrë mbi vete edhe koston e fitores, edhe atë të dështimit. Listat mbajnë vulën e tyre dhe ato mund tua sjellin ose fitoren ose humbjen. Berisha duket se ka bërë një listë më gjithëpërfshirëse duke pasur cak të parë e të mbramë fitoren, ndërsa Rama ka bërë një listë nga e cila ka përjashtuar figura qendrore të partisë, duke pasur si cak mbajtjen e pushtetit.

Lista e Ramës është shumë më arrogante: duke i besuar një perceptimi të përgjithshëm të rrotacionit të pushtetit, kryetari i PS-së e konsideron punë të kryer fitoren. Lista e deputetëve është ndërtuar në mënyrë të tillë që të jetë balancuese për mbajtjen e pushtetit. Me këtë logjikë, Rama la jashtë listës së kandidatëve për deputetë figura të tilla si ish-ministri i Financave Arben Malaj, i cili edhe iu kundërvu flakë më flakë duke kandiduar si i pavarur në vendlindjen e tij, qarkun e Vlorës, i cili mbahet si bastioni i socialistëve. Ai është zëvendësuar me një nga biznesmenët më të mëdhenj të vendit, botuesin e gazetës “Shekulli”, Koço Kokëdhimën. Kokëdhima i njohur edhe si eminenca gri e deritashme e kryesocialistit Rama, nuk është i vetmi biznesmen i përfshirë në listat e PS-së. Rama, po ashtu ka lënë jashtë listës aleatët e shumtë, përfshi këtu edhe Ilir Metën.

Nga ana tjetër, lista e Berishës duket shumë më tolerante. Së pari, më zemërgjerë Berisha ka përfshirë në listë, në vendet lart, duke iu dhuruar nga një mandat të sigurt, pothuaj të gjithë krerët e partive aleate. Surpriza e listës së Berishës, nëse do të mund të quhet kështu, është  përfshirja në listat e PD-së e tre ish-deputetëve socialistë të cilët e ndihmuan që pas daljes nga koalicioni të LSI-së të mos rrëzohet qeveria. Duket se për shumë demokratë, veçmas ata që mbahen si shtyllë e PD-së, ish- studentët e dhjetorit, kandidimi i Kastriot Islamit është një kafshatë vështirë e kapërdishme, duke pasur parasysh qëndrimin e tij gjatë kohës së lëvizjes studentore. Zgjedhjet janë në prag dhe më 23 qershor do duket nëse inati ndaj Kaç Islamit i ish-dhjetoristëve do të jetë aq i madh sa t’i bëjë ata që për herë të parë të mos e votojnë partinë, të cilën e themeluan vetë.  Nga ana tjetër, edhe në listën e Berishës janë lënë jashtë deputetë shumë aktivë të legjislacionit të sapopërfunduar, një prej tyre ish- dhjetoristi  Mark Marku. Ashtu si Rama, edhe Berisha nuk i ka toleruar zërat ndryshe në parti. Tani pritet që të bëhet e ditur nëse përjashtime të tilla do tu hakmerren ose jo të dy palëve.

Pavarësisht se cilën nga dy partitë do të ndëshkojë vota më 23 qershor, listat e këtyre zgjedhjeve e përshfaqën edhe më haptas imoralitetin politik, i cili prej kohesh e ka kapluar skenën politike shqiptare.

Për hir të interesave që kanë të bëjnë me marrjen apo mbajtjen e pushtetit, dy partitë e mëdha i kanë nakatosur ideologjitë duke shkuar sa majtas sa djathtas pavarësisht orientimit të tyre ideologjik.  E majta dhe e djathta në Shqipëri nuk dallojnë nga njëra tjetrën ashtu si dallojnë në gjithë botën: ato si ndan baza sociale. Të majtët kanë në gjirin e tyre njerëzit më të pasur të vendit, ndërsa të djathtët,  çuditërisht sot e kësaj dite vazhdojnë të përkrahen më shumë nga klasa punëtore.

Prandaj dhe nuk është çudi që në listat e PS-së të përfshihet një kapitalist i tipit të Koço Kokëdhimës, ndërsa nga listat e PD-së të përjashtohet një ish- dhjetorist për tu zëvendësuar nga njeriu që urdhëroi mbylljen e Universitetit gjatë kohës së grevës së dhjetorit…

Llogaritë janë të qarta: ato janë gatuar në selitë e dy partive të mëdha, mu aty ku u gatua edhe ky ligj elektoral, i cili edhe pse i dëmshëm për demokracinë e vendit, nuk u ndryshua që nuk u ndryshua.

Më 23 qershor shqiptarët pa ndonjë alternativë do tu drejtohen kutive të votimit. Nëse Shqipëria do të ishte një demokraci e konsoliduar, do të ishte e natyrshme të ndodhte rrotacioni politik i cili do ta nxirrte në pension Berishën. Tetë vjet janë mëse të mjaftueshme për të bërë ndryshimin e premtuar në dy fushata elektorale, për më tepër janë më se të mjaftueshëm për ta konsumuar pushtetin.

Por, Shqipëria nuk ka një demokraci të konsoliduar. Alternativa nuk është asfare më e mirë. Është vetëm më e etur për pushtet e për para. Korrupsioni vetëm do ndërrojë duar e xhirollogari bankare. Asgjë tjetër. Këtë e dinë edhe shqiptarët, një pjesë e të cilëve shpreson fitoren e opozitës për të siguruar një vend pune, ndërsa pjesa tjetër shpreson fitoren e partisë në pushtet për ta mbajtur vendin e punës. Sepse dihet, e para që e pëson nga ndryshim i i pushtetit është administrata publike.  Asnjë ish- pushtetar nuk e pëson, asnjë nuk burgoset pavarësisht se gjatë kohës kur pushtetarët e rinj ishin në opozitë i kishin bërë male akuzat ndaj tyre… Kjo se paku ka ndodhur në këta 22 vjet të tranzicionit të tejzgjatur të shqiptarëve. Pushtetarët e rinj të pas 90-tës të cilët erdhën në pushtet në emër të demokracisë nuk patën fuqi të burgosin madje as ata që bënë krime monstruoze dhe urdhëruan këto krime gjatë komunizmit.

Në thelb, dy blloqet e mëdha politike në Shqipëri, pavarësish se njëri prej tyre e ka trashëgiminë e qartë ish- komuniste dhe tjetri u materializua si bllok antikomunist, në thelb shumë pak ndryshojnë nga njëri- tjetri. Për votuesin shqiptar, ngre peshë vetëm se me cilën nga këto dy ideologji është më i lidhur dhe ka ndjeshmëri më të madhe. Asgjë më shumë.

Prandaj edhe rrotacioni nuk ka ndonjë kuptim të madh.

Është e njohur ajo barsoleta sipas të cilës rrugët në Shqipëri nuk maten me kilometra, por me orë. E njëjta ndodh edhe me rrotacionin. Nuk matet me parametrat normal, sepse ende asgjë nuk është normale në sjelljen e partive politike në Shqipëri.  Janë të majta vetëm nga trashëgimia e botëkuptimi e janë të djathta po ashtu nga simbolika e themelimit të tyre.

Në mes tyre, qytetari që s’di nga t’ia mbajë, sepse për të nuk ka më kuptim as e majta, as e djathta e as rrotacioni…