“Arratisja” në Paris

Arben Bajraktaraj njihet edhe në Kosovë. Publiku te ne e ka parë në filmin “Taken” dhe, eventualisht, në filmat e tjerë, si “Elle s’appelait Sarah”,“Liberté”, “Whoman who brushed off her tears”, “Harry Potter” (në dy episode), e filma të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë. 

Ai së voni ka luajtur edhe në filmat kosovarë “Heroi” (film ky që nuk po i bëhet për së mbari ta shoh dritën) dhe, me një rol të vogël, në filmin e shkurtër “Ballkoni”. Te “Heroi” ai qe angazhuar pas dilemave të pafunda nëse vërtet ia vlente të angazhohej në një produksion flmi kosovar. Megjithatë, përtej pikëpyetjeve të shumta, ai “xiglimi kombëtar” si duket qe për të më tundues. Erdhi dhe luajti në film, por qe, fatkeqësisht, dilemat e tij të fillimit rezultuan të sakta: filmi vazhdon të mbetet i papërfunduar dhe ende jo i gatshëm të shfaqet për publikun.

Në vitin 2002, Arbenin e patëm ftuar të luante në një shfaqje teatri që realizohej në Kosovë. “Udhëtimi në UNMIKISTAN” ishte një projekt i përbashkët kosovaro-shqiptaro-francez dhe në të qenë angazhuar, veç Arbenit, edhe shumë aktorë të tjerë nga Kosova, Shqipëria e Franca. Asokohe, Arbeni ishte më pak i njohur për botën shqiptare, sado që, edhe atëherë ai kishte arritur mjaft suksese në Paris, ku po jetonte dhe vepronte.

Mbas mbi dhjetë vitesh nga ajo kohë, tash para pak ditësh, Arbenin pata fatin ta shoh sërish në skenë. Kësaj radhe në Paris, me rol kryesor në shfaqjen “La Fuite” (Arratisja), të nobelistit kinez Gao Xingjian. Shfaqja, me regji tëAndréa Bruqsque, u dha në teatrin e njohur parisien Theatre des Deux Rives dhe u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku. Mbas dy ditësh nga premiera, shfaqjen do të vinte ta shihte edhe autori Gao Xingjian. A s’ishte fat i madh për ekipin e shfaqjes? Novelisti, kritiku dhe dramaturgu kinez Xingjian ka emigruar në Francë, ku edhe i është dhënë nënshtetësia franceze. Në vitin 2000 ai ka qenë fitues i çmimit Nobel për Letërsi. 

Fatkeqësisht frëngjishtja e ime është super e varfër dhe qasja që kisha në përmbajtjen e dramës së Xingjian ishte e limituar. Por besoj që ky hendikep gjuhësor kishte do avantazhe tjera. Para së gjithash, në observimin më të relaksuar të aspekteve tjera të shfaqjes – lojës së aktorëve, dritave, muzikës dhe elementeve tjera në skenë. Arbeni ishte fascionues. Në atë atmosferë frike dhe ankthi, në një peizazh mbytës që krijonte ndriçimi i shkëlqyeshëm dhe zhurmat e tingëllimat e atij ambienti “të braktisur”, loja e mrekullueshme e Arbenit ishte dominuese. S’kisha se si t’mos ndihesha krenar për të. 

Të nesërmen e shfaqjes në të cilën luante Arbeni, shkoj të shoh dy shfaqje nga Vaclav Havel, të punuara nga Nikson Pitaqaj, edhe ky shqiptar nga Kosova. Niksoni, para disa vitesh, bashkë me vëllain e tij, Simonin (aktor e regjisor), patën organizuar disa edicione të “Javës së kulturës shqiptare në Paris”. 

Vendi ku shkoj ta shoh shfaqjen e Niksonit është vërtet prej atyre vendeve përrallore teatrore. Kuarti i vogël, i quajtur Cartoucherieishte, themeluar para shumë vitesh nga regjisorja franceze me famë botërore Ariane Mnouchkine. Nga baraka për përpunim të municionit dikur, ajo në vitet e 60-ta kishte arritur të krijonte hapësira teatrore. Me kohë, Cartoucherie ishte populluar nga artistët dhe ishte shndërruar në atraksion për publikun jo vetëm parisien. Cartoucherie sot është padyshim një prej vendeve më të famshme teatrore në botë, falë,natyrisht, edhe punës së Arian Mushkin dhe teatrit të saj legjendar Théâtre du Soleil, që është i vendosur aty, brenda kuartit. 

Maxhepsem nga Cartoucherie, si Odiseu nga sirenat.

Në njërën prej atyre hapësirave të Cartoucherie është i vendosur edhe Théâtre de l’Epée de Bois, që tash e disa muaj ishte shndërruar si vend rezident për kompaninë Libre d’Esprit të cilën e kishte themeluar Niksoni, disa vjet më herët. Dy shfaqjet e Niksonit, me titull integral “Cycle Václav Havel” ishin të punuara nga dy dramat e shkurtra të Havel “Vernissage” dhe “Pétition”. Befasohem për të mirë nga puna e Niksonit. Cycle Václav Havel, përfshinte edhe dramën “Audience” (por e cila do të jepej vetëm të nesërmen). “Audiencën” kemi pasur rastin ta shohim në Kosovë shumë vite më përpara. E pat realizuar shkëlqyeshëm Fatos Berisha, me aktorët Shkumbin Istrefi e Armond Morina. 

Në Paris ka edhe shumë artistë të tjerë teatri nga Kosova të cilët kanë krijuar karrierë të shkëlqyer. Disa prej tyre i njohim, e të tjerë, akoma jo. Ndër ata që i njohim është edhe Imer Kutllovci. Imeri, për disa vjet ka qenë aktor në teatrin e famshëm Comédie- Française. Ai tani është aktiv në projekte të ndryshme teatrore (tash së voni në një projekt bashkë me aktorin Ridvan Mjaku). Mjaft aktiv është edhe Simon Pitaqaj. Ai me shumë ngulm vazhdon të eksplorojë edhe tema të vështira, si ajo për “Betejën e Kosovës”, projekt në të cilin ishte i përfshirë aktualisht.

Puna e Arbenit, Imerit, Niksonit, Simonit e plot të tjerëve, që akoma s’kam pasur rastin t’i njoh në Paris, është vërtetë për t’u çmuar. Ata krijojnë në një vend të mundësive, por në të njëjtën kohë, edhe të “mundësive të humbura”. Sepse, mundësitë që ofron Parisi, shkrihen në dhjetëra mijëra grimca që pastaj humben nëpër margjina të parëndësishme të atij qyteti të madh arti. Vetëm më të mirët nga ata qindra e mijëra artistë të mirë mbijetojnë.