Politikë, Laknuer & Art*

Thoshin këtyneherë “mos me t’fol goja, t’flet shpina”. Kur po bëhesha gati t’shkruaja krejt diçka tjetër (për ngordhjen e ca peshqve diku në detin Egje), në mediat tona nisën të nxjerrin krye do “margaritarë kulture” që gati ma ndalën frymën.

E që ta dish, i dashur lexues, ky shkrim është shkruar me dorë të majtë, se, e djathta nuk bindej se nuk bindej. Nuk bindej pasi besonte se ajo për çka po shkruaja, s’ishte e denjë për të. Gabimet eventuale, prandaj, falen.

Ditë më parë, një grup artistësh kosovarë, si në një kope delesh, iu turrën njërës parti politike. Ishin mbi 60. Kështu u tha. Artistët e buzëqeshur u panë madje edhe në një foto të përbashkët. Të buzëqeshur, të gëzuar. Të gëzuar sepse, duke “i përzier këmbët me politikën”, ata me siguri kujtojnë që do t’u thonë lamtumirë halleve e brengave, do t’i thonë lamtumirë “byrekut” me të cilin e kanë ngopur barkun deri atëherë. Ja, kështu besojnë, ata djem e goca të reja, që, zemrën në dorë, si thotë populli, nuk janë as të parët e as që do të jenë të mbramët.

E një fotografi tjetër në mediat tona, ditë më vonë, paraqiste artistin tonë sharmant, Enver Petrovcin, duke iu “bashkangjitur” një partie tjetër politike. Por, Petrovci nuk është bash – bash i kollajshëm si e mendojnë shumë njerëz. Ai, hiç më larg se të nesërmen e lajmit “spektakolar”, doli dhe tha: “burra, avash, s’shkon kaq me ngut kjo punë”. Kështu disi tha. Por m’u bë qejfi që reagoi. Së paku, sa për t’u treguar këtyre të politikës që: po, por jo. Me Petrovcin tashmë jemi mësuar dhe disi atij edhe i kanë hije krejt këto “akrobaci” që i bën herë mbas here.

“E kur agimi me ata gishtërinjtë prej trëndafili”, thotë Homerite Iliada… E pra, kur në një mëngjes bleva gazetën, u trishtova kur e lexova një deklaratë të regjisorit Fadil Hysaj, në të cilën ai shkretonte diçka, për të cilën unë pyeta veten: Zot, pse duron kaq shumë kjo letër? Por letra duron shumë. Sidomos letrat e sotme. Shkrimi në gazetë po përshkruante ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore në teatër. Bukuri. Fadil Hysaj ishte njëri nga të shpërblyerit. Ai kishte marrë çmimin për regjinë më të mirë të vitit. Bukuri. Por, kur Ministria kish dhënë çmimin, Hysaj, i ekzaltuar, paska pas folë ca fjalë për “kopshtin tonë të mrekullueshëm kulturor” në të cilin na ka përplasur fati i mirë të jetojmë. Që t’i bie shkurt: duke iu referuar artistëve të cilëve, sipas nobelistit Dario Fo, nuk u ka mbetur vend n’faqe të dheut, Fadil Hysaj, në ndërlidhje me këtë, paska pas thënë në ceremoni në teatër më 28 mars: “Kosova do të jetë oaza e tyre ku do të gjejnë tolerancën më të madhe, ku artistët kanë lirinë më të madhe të krijimit, ku askush nuk i censuron në atë që bëjnë, përkundrazi shpërblehen”.

Nejse, nuk po e zgjas më shumë. Sepse, si thonë, “ngreh një kashtë, dalin gjashtë”. Fadil Hysajt edhe i falet kjo gjë. Madje, ia falin edhe aktorët e Teatrit të Gjakovës, të cilës, në ditën kur Ministri i Kulturës po shpërndante çmime vjetore për teatër, ishin ndaluar të hynin në teatrin e tyre. Po i ndalonte një burokrat i vocërr i politikës që, partia ia kishte lënë në dorë çelësat e Shtëpisë së Kulturës në Gjakovë.

Dhe teksa po bëja tutje, për të sjellë një “margaritarë” të mbramë, edhe dora e majtë u drodh pak dhe pastaj ndaloi. Refuzonte të shkruante. Dreq o punë, të djathtën edhe e kuptoja, por jo edhe të majtën. Medeomos, kjo për të cilën doja të shkruaja ishte aq e vështirë, saqë, as dora e majtë (imagjinoni, as e majta), nuk dëshironte të bashkëpunonte. I ndodhur para kësaj sfide të radhës, futa lapsin mes gishtërinjve të këmbës së majtë dhe përshkëlliva diçka, ashtu, si thonë në Kubë – “Illortash’.

Kjo që do të lexoni më poshtë, është shkruar e thënë në Kosovë, tash, para disa ditësh. I është kushtuar, me dashuri, një burokrati të vocërr të politikës. Pra, në Kosovë, jo në Kubë apo në Venezuele apo Kinë. Lexojeni:

“Është ky Memli Krasniqi, i pari i kulturës kosovare, i cili mban në duar trajektoren kulturore në një moshë domethënëse. Imazh i tij prej një politikani të pjekur, maturia e tij, qëndrimi dhe besnikëria ndaj kostumit që bart, mbi të gjitha, guximi i tij në raport me dëshirën për të lënë këmbën e mbarë në kulturën vendore do ta veçojnë personalitetin e tij në histori”.

Gojëmarrja (kur t’merret goja /// shën. i përkthyesit) e artikullshkruesit është epike. Heroit të gjallë, luftëtarit të kauzës tonë kulturore, Memli Krasniqit, i është bërë vendi në histori. Një vend i veçuar.

Tani bëni pak pauzë.

Merrni frymë thellë.

E kuptoj, jeni të tendosur, nuk mund ta besoni atë që lexuat më lartë.

Tani nxirreni frymën jashtë dhe mendoni për lulet, për valët e detit, për kallinjtë e grurit…

Po ndiheni më mirë? Natyrisht! Buzëqeshni dhe kujtojeni atë historinë e re me atë pllakën me atë mbishkrimin “nga Prijësi, me dashuri…” (kështu disi), që kohë më parë qe vënë në hyrje të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Tani, keni durim dhe vazhdoni ta lexoni edhe pjesën përmbyllëse të këtij shkrimi. Oh, mos u dorëzoni, ju mundeni…

Shembuj kur artistët qasen në politikë ka shumë. Disi, edhe mund t’i kuptoj ata artistë të cilët në politikë hyjnë me qëllime fisnike. Ka të tillë. Ka në Kosovë, por edhe tjerakah. Kurrgjë e jashtëzakonshme. Por, janë një grup tjetër artistësh që hyjnë në politikë për të përfituar personalisht. Politikën e shohin si poligon prej të cilit mund të përfitojnë financiarisht, por edhe artistikisht. E përfitime nga ta nxjerrë edhe politika, natyrisht. Këta janë kategoria, për mua, më e pshtirë e artistëve. Këta janë “zvarranikët të cilët, duke qenë se bëjnë këso lloj kompromisesh, janë të rrezikshëm, për vetë politikën, për komunitetin artistik dhe për publikun”. E të këtillë kemi plot në Kosovë. E po shtohen dita ditësh. Eh, sa elozhet këta artistë ua kanë thurur “prijësve” e politikanëve, sa pallamutjet janë thurur e sa “lot” artistikë janë derdhur për politikanët. Shumë, vërtet shumë. Aq sa, kur mendon, më kjo që shkrova më lartë nuk tingëllon fare komike, por tragjike. Tingëllon e dhimbshme. Tingëllon e trishtueshme. Vërtet, sepse kjo në fakt tregon sesa e pamëshirshme ka qenë politika me artistët e Kosovës. Shumë e pamëshirshme…

(Titull i inspiruar nga filmi dokumentar i Edon Rizvanollit & Ylber Mehmedaliut)