Shqiptarët në Perëndim: Punëtorë dhe Gangsterë (2)

Ali Shabani, një emigrant shqiptar në Gjermani, thotë se për 40 vjet të jetës dhe punës së tij në Gjermani, kurrë nuk ka pirë një kafe me një gjerman! Kjo që për shumëkë mund të duket e pakuptueshme, për vetë Ali Shabanin dhe për një pjesë të madhe emigrantësh të atij brezi besoj se është diçka e thjeshtë që s’do shumë shpjegim. Ai brez emigrantësh kosovarë i viteve të 70-ta duket sikur ka funksionuar si në një garnizon ushtarak, me rregulla të cilat ata i kanë zbatuar me përpikëri. Ndëshkimi për moszbatimin e këtyre rregullave për ta ka qenë “gjermanizimi” dhe humbja e identitetit.

Dhe, nëse më lejohet të improvizoj, do të thosha që disa prej atyre rregullave strikte për emigrantët e asaj gjenerate do të mund të jenë dukur kështu disi:

1) Puno me ndershmëri dhe fitimet kthej në shtëpinë tënde, në Kosovë;

2) Ti je përkohësisht në Gjermani, këtë mos e harro kurrë. Ti një ditë do të kthehesh në Kosovë, atje prej nga ke ardhur, atje ku është familja jote, atje ku është gjaku yt, atdheu, aty ku je rritur;

3) Buka e kurbetit është e hidhur, kurrë mos e harro bukën e Kosovës;

4) Mos e harro gjuhën tënde, mos e harro kulturën tënde, mos i harro traditat tua;

5) Gjerman kurrë nuk mund të bëhesh. Ti je dhe do të vdesësh shqiptar;

6) Fëmijët tu lindin shqiptarë. Eduko ata të jetojnë dhe veprojnë si shqiptarë;

7) Shoqërohu me shqiptarë. Vetëm me ta ti e ndien se ekziston;

8) Gjermanët kurrë nuk do të munden t’i kuptojnë dhimbjet tua;

9) Vizitoje Kosovën, së paku dy herë në vit;

10) Dërgo në Kosovë sa më shumë para, sa më shumë të mira materiale, se kështu e dëshmon lojalitetin tënd ndaj familjes e ndaj Atdheut tënd;

11) Mos lejo që fëmijët tu të martohen me jo-shqiptarë;

12) Mos vidh. E huaja kurrë nuk mund të bëhet e jotja;

13) Puno me ndershmëri, sepse je shqiptar.

Dhe kështu, lista e “mos” dhe “bëj” vjen duke u zgjeruar. Tani, le ta imagjinojmë një gjeneratë tjetër emigrantësh kosovarë, atë të viteve të 90-ta, e cila në Europë vije me një “listë rregullash” tjera, ose pa një listë fare. Ose me një listë ku, ta zëmë, rregullat do të shpërfaqeshin ndryshe:
   
1) Nuk ka punë në Gjermani. Bëja qaren vetes;
   
2) Ti nuk je në Gjermani përkohësisht. Lufto dhe përpiqu të jetosh atje përgjithmonë. Kosova nuk ka vend më për ty;

3) Ndoshta kurrë më nuk do të mund ta vizitosh Kosovën;

4) Nuk ke si të dërgosh para në Kosovë, sepse nuk ke;
 
5) Vidh, sepse po të trajtojnë keq. Mbijeto;

6) Këtu nuk je shqiptar. Këtu je “i huaj”. Këtu nuk ka ndershmëri;

7) Martohu me një gjerman/gjermane dhe sigurohu që një ditë nuk do të të dërgojnë në Kosovë, lidhur, si qenin.

Por t’i kthehem sërish Ali Shabanit. Disa gjurmët të influencës “gjermane” te ai dhe te ajo gjeneratë e hershme e emigrantëve kosovarë janë evidente. Ai i ka kaluar ato trishtimet e mëdha që i ka sjellë frika nga, ta zëmë, fakti që ndonjëri nga fëmijët e tij mund të martohet me një jo-shqiptar/e. Dhe natyrisht, kur i ka fituar këto beteja, ai ka bërë disa “kompromise” më pak të dhimbshme. Ndër ato “kompromise” është edhe fakti që ai ka vendosur të blejë një shtëpi për familjen e tij në Gjermani. Fëmijët e tij vizitojnë disko-klubet shqiptare e gjermane (diçka që ai vetë nuk e ka bërë kurrë). Kur ata vonohen, ai i pret zgjuar. Por kjo është frika e secilit prind, ma thotë mendja, ndoshta, në rastin e tij, pak më e ekzagjeruar.

Por, në anën tjetër, unë njoh shumë emigrantë shqiptarë të cilët vazhdojnë të jetojnë të traumatizuar, ngaqë djali apo vajza e tyre është martuar me një jo-shqiptar/e. Për ta “humbja përgjithmonë” i të birit/bijës të tyre është kulmi i turpërimit. Ëndrrat e tyre që një ditë do të bëhen gjyshër të nipave dhe mbesave që do t’i kenë përreth për t’u shfaqur dashuri, për t’u treguar përralla, me një martesë të këtillë të fëmijës së tyre, shkatërrohen krejtësisht.  Sepse ata nipër dhe ato mbesa ndoshta nuk do të flasin shqip; me ta ai kurrë nuk do të mund të vejë relacione normale gjysh-nip/mbesë; ata kurrë nuk do të duan të kthehen dhe jetojnë në Kosovë; ndoshta do të kenë një fe tjetër nga ajo e tij e kështu me radhë. Për këtë kastë emigrantësh, këto janë arsye të mjaftueshme për t’i lëshuar vend traumës të cilën ata do ta mbartin si kryq mbi supe deri në vdekje.

Shumë emigrantë tjerë ndërsa ndjehen rehat në Gjermani dhe i çmojnë të mirat që u ofron jeta atje. Kjo besoj nuk do diskutim. Por lidhja e tyre me Kosovën mbetet, dhe ajo është më tepër sesa një lidhje e zakonshme emocionale. Jo njëherë më ka ndodhur të jem ulur afër në aeroplan me njerëz të cilët, sapo është shfaqur syprina e tokës së Kosovës, ia kanë plasur vajit nga mallëngjimi. Ky natyrisht nuk është mallëgjim për tokën si “materie”, por për tokën me të cilën ata i kanë të lidhura shumë kujtime, për tokën në të cilën ata nuk ndjehen të huaj, për tokën në të cilën ata kanë varret e të afërmve, për tokën në të cilën nuk e ndjejnë përbuzjen e ‘të qenit i huaj’ etj. Sa shumë të rinj emigrantë kanë lënë luksin në Gjermani dhe kanë ardhur të luftojnë në Kosovë. Shumë prej tyre edhe mund t’i kenë pasur krejt familjen atje në Gjermani. Përse e kanë bërë një gjë të tillë? Këtë pyetje nuk e shtron askush, sepse përgjigjja është e vetëkuptueshme.

Gjatë viteve të 90-ta, deri në fillim të luftës në Kosovë, në vitin 1998, në kohën e atyre “ngjarjeve të mëdha”, njerëzit në Kosovë ia dolën të mbijetojnë falë emigrantëve kosovarë në Evropë, veçanërisht atyre në Gjermani e Zvicër. Ajo që për emigrantët deri më atëherë kishte qenë si lidhje emocionale me “vendin” dhe “familjen”, u shndërrua edhe në lidhje “solidare”. Emigrantët dërgonin kursimet e fundit tek familjet e tyre të ngushta dhe të gjera në Kosovë. Mund të kuptohet simbolikisht por edhe praktikisht: por Kosova ka shpëtuar falë emigrantëve të saj. Ajo edhe luftën e ka fituar me ndihmën e emigrantëve.

Secili emigrant është botë në vete dhe ai mund të jetë përjashtim për shumë kallëpe që mund t’i krijojmë ne për ta. Ka edhe të tjerë emigrantë kosovarë që me siguri s’qajnë kokën për Kosovën, që s’duan t’ia dinë për kulturën e traditat kosovare, sepse thjesht, ndihen rehat në kulturën dhe traditat e vendit ku jetojnë.

Por për mua është fascionues fakti që Ali Shabani, për këto mbi dyzet vjet të jetës në Gjermani, nuk ka pirë kurrë një kafe me një gjerman. Ali Shabani ekziston. Ai akoma jeton në Gjermani. Dhe për sa më përket mua: që ai nuk ka pirë asnjë kafe me një gjerman flet për të, por flet edhe për shoqërinë gjermane. Sepse, unë besoj që, nëse një gjerman do ta kish ftuar për kafe, Ali Shabani mbase edhe do të kish pranuar ta pinte atë.