A e Mbajti Obama Premtimin Për Qeveri Të Hapur?

“Është një kuti e përzier”, thotë Patrice McDermott, drejtoreshë ekzekutive e OpenTheGovernment.org, një konsorcium i grupeve të së drejtës për të ditur. “Mendoj se ka pasur progres, megjithatë ende shumë mbetet për tu bërë”.

Administrata e Obamës e pati rritur pragun e pritjeve. Në fjalimin e tij të parë inaugurues, Obama thoshte se “ne që menaxhojmë dollarin publik” do ta “kryejmë punën tonë në dritën e ditës, sepse vetëm atëherë mund ta rivendosim besimin vendimtar mes popullit dhe qeverisë së tij”.

Të nesërmen, presidenti nxori dy memorandume. Në njërin prej tyre, aktin për qasje në dokumente publike (FOIA), ai shkroi se ai “duhet të administrohet me një qëllim të qartë: Aty ku ka dyshim, hapja ngadhënjen”.

“Ne që menaxhojmë dollarin publik do të kryejmë punën tonë në dritën e ditës, sepse vetëm atëherë mund të rivendosim besimin vendimtar mes popullit dhe qeverisë së tij” Barac Obama

Memorandumi i dytë merrej me transparencën: “Administrata ime është e përkushtuar që të krijojë një hapje të paprecedent deri më tash të transparencës qeveritare”. Dhe se “hapja do të forcojë demokracinë tonë dhe do të promovojë efikasitetin dhe rezultatet në qeveri”.

Mirëpo se ç’nënkuptohej me transparencë nuk ishte definuar në detaje, thotë Steven Aftergood, drejtor i Projektit mbi Fshehtësitë e Qeverisë në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë (FAS). “Njerëzit u lanë të besojnë atë që deshën nga përmbajtja e këtyre deklaratave. Në mënyrë të pashmangshme, zhgënjimi erdhi shpejt”.

Më vonë pasuan të tjera direktiva dhe memorandume, përfshirë një memorandum nga Prokurori i Përgjithshëm, Eric Holder, i cili inkurajonte agjencitë federale të japin informacion të pakufizuar dhe një direktivë e Shtëpisë së Bardhë që përshkruan një listë të veprimeve që agjencitë duhet të ndërmarrin për qeverisje të hapur.

Ndër detyrat e caktuara ishin këto:

 •  Vënia në dispozicion e të dhënave online

 •  Krijimi i një web-faqeje për qeverisje të hapur

 •  Emërimi i një personi përgjegjës për qasje në dokumente publike brenda agjencisë

 •  Hartimi i një plani për bërjen e agjencisë më transparente 

Në fillim të vitit 2010, ProPublica gjurmoi se si e kishin zbatuar këtë vendim agjencitë federale. Disa agjenci kishin dështuar t’i arrinin afatet e caktuara. Të tjerat nuk kishin përfunduar të gjitha detyrat.

Dy muaj më parë, Arkiva e Sigurisë Kombëtare ka gjetur se “66 prej 99 agjencive federale” nuk i kishin përditësuar kurrë rregullat edhe pse Holderi i kishte urdhëruar ata t’i bënin këto ndryshime përmes një memorandumi të 19 marsit 2009.

“Duhet që dikush vazhdimisht t’ia kujtojë këtë zyrtarit kryesor për qasje në dokumente publike dhe kreut të agjencisë për tu siguruar se mesazhi është bërë i qartë për të tërë agjencinë”, tha McDermott. “Mirëpo askush nuk e ka bërë këtë”.

Por jo gjithçka ka qenë e errët dhe vrenjtur. Velloja e sekretit ka filluar të bie në disa zona.

Vitin e kaluar, Shtëpia e Bardhë bëri publike listën e vizitorëve të saj, ndërsa Obama nënshkroi legjislacion që u ofronte më shumë mbrojtje atyre që raportojnë raste nga qeveria (ang. whistleblowers).

Qytetarët mund të marrin më shumë informata lidhur me shpenzimet qeveritare se më parë dhe këtë mund ta bëjnë përmes ueb faqeve si recovery.gov dhe USASpending.gov.

Administrata gjithashtu ka krijuar edhe një ueb faqe tjetër, Data.gov si një depo e të dhënave federale. Një memorandum i Shtëpisë së Bardhë i dhjetorit 2009, drejtuar agjencive, u kërkonte atyre t’i vënë në dispozicion të dhënat “me rëndësi të lartë” në këtë ueb faqe. Edhe pse Data.gov u kritikua për vështirësinë e përdorimit dhe përzgjedhjen e të dhënave, ajo tani ka më shumë se 350.000 sete të dhënash nga të gjitha agjencitë.

Qytetarët mund të marrin më shumë informata lidhur me shpenzimet qeveritare se më parë përmes ueb faqeve si recovery.gov dhe USASpending.gov.

Një tjetër ueb faqe, FOIA.gov, gjurmon se si agjencitë janë duke iu përgjigjur kërkesave për qasje në dokumente publike dhe ofron mjete për të ndihmuar qytetarët të hartojnë kërkesa dhe gjurmojnë informacione.

“Sot dimë më shumë se kurrë më parë në lidhje me shpenzimet e shërbimit të fshehtë”, thotë Aftergood, duke përmendur pikat e mira. “Sot dimë më shumë se kurrë rreth madhësisë së arsenalit amerikan të armëve bërthamore”. (Vlerësimet flasin se SHBA ka pak më shumë se 5.000 rezerva bërthamore në vitin 2012, sipas një raporti të FAS).

Disa gjëra bazike kanë ndryshuar gjithashtu. Shumë agjenci përdorin praktika të thjeshta por të dobishme të tilla si komunikimi me kërkuesit për qasje në dokumente publike duke ua bërë të mundshme të shohin statusin e kërkesave të tyre. Disa agjenci kanë postuar në ueb faqet e tyre kontakt informatat lidhur me zyrtarët për qasje në dokumente publike dhe personelit tjetër.

Megjithatë, shumë nga kërkuesit thonë se vazhdojnë të përballen me vonesa dhe tarifa të kushtueshme të procedimit të kërkesave. Edhe pse të dhënat e qeverisë tregojnë se numri i kërkesave të grumbulluara dërguar nëpër agjenci për qasje në dokumente publike është dukshëm më i ulët se në vitin 2008, shifrat e vitit 2011 tregojnë se ka një rritje krahasuar me dy vitet e mëparshme. 

Një analizë e Bloomberg News vjeshtën e kaluar zbuloi se 19 nga 20 kabinetet të agjencive të nivelit të kabinetit kanë dështuar të përmbushin siç duhet kërkesat për qasje në dokumente publike.

“Fushat tjera janë si këmbët e patës që lëvizin në sipërfaqen e ujit”, tha McDermott. “Nuk mund t’i shohim por megjithatë ato lëvizin”.

Në vitin fiskal 2011, agjencitë proceduan 8 për qind më shumë kërkesa për qasje në dokumente publike edhe pse numri i kërkesave kishte shënuar rritje. Ndërsa tani, pas më shumë se 40 vitesh që nga miratimi i aktit për qasje në dokumente publike  punonjësit qeveritarë të cilët përpunojnë kërkesa të tilla kanë një titull zyrtar të punës – “Specialistë për informata qeveritare”.

Fjalimi i dytë inaugurues i Obamës nuk përmendi transparencën, ndërsa nuk ka pasur as memorandume ose direktiva të reja që bëjnë thirrje për një qeveri më të hapur. Kjo ka bërë disa të mendojnë nëse angazhimi për transparencën vazhdon.

Sipas zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, Eric Schultz, ky angazhim mbetet. “Krijimi i një qeverie më të hapur kërkon angazhim të vazhdueshëm”, tha ai, “përpjekjet tona të vazhdueshme kanë për qëllim promovimin e llogaridhënies, sigurimin e qytetarëve me informata të dobishme dhe të shfrytëzimin e njohurive të shpërndara të popullit amerikan”.

“Reduktimi i fshehtësisë dhe përmirësimi i transparencës janë ende bindje imponuese që shërbejnë në reduktimin e kostove, përmirësimin e efikasitetit dhe angazhimin e  publikut në mënyrë konstruktive”, tha Aftergood. “Të gjithë ne që lobojmë në këtë fushë nuk duhet të dëshpërohemi. Duhet t’i përvishemi punës.”

Shkrimi në versionin origjinal anglisht mund të gjendet në këtë link.

<script type=”text/javascript” src=”http://pixel.propublica.org/pixel.js” async=”true”></script>

Përkthimi: Bardh Shkreli