Danimarka Lodhet nga “Bosi Cigan”

Kur Gimi Levakoviç shpejtoi makinën e tij në qendër të Kopenhagenit dhe i kaloi sipër ish të dashurës shtatzënë në prill 2011, kjo mori shumë vëmendje nga media.

Por nuk qe deri katër vite më vonë kur kroati, me nofkën “Bosi Cigan” nga media daneze – dhe aktiviteti kriminal i familjes së tij rome, përçau një komb të tërë.

46-vjeçari që preferon të quhet “Gimi Boss 007” dhe që pozon me veshje firme përpara makinave të shtrenjta me tatuazhe dhe shumta të mëdha parash në profilin e tij në Facebook, është patriarku i një rrjeti familje rome që është etiketuar si “familja më kriminale e Danimarkës”.

“Një familje. Qindra krime. Përgjatë katër dekadave familja rome Levakoviç ka shkatërruar çdo gjë përreth vetes me të gjitha llojet e sjelljes kriminale,” shkroi tabloidi Ekstrabladet  në gusht 2011.

Që nga janari i këtij viti, mbulimi i lajmit ka qenë i madh dhe media daneze është mbushur me histori rreth 45 anëtarëve të klanit Levakoviç, krimeve të tyre dhe abuzimit me sistemin e mirëqenies.

“Që kur isha djalosh kam thënë se doja të isha një gangster,” tha nipi 27-vjeçar i Bosit Cigan, Jura Levakoviç për median daneze TV2 në një intervistë nga burgu. Ai po kalon pesë vjet në burg për dhjetëra vjedhje.

Ndryshe nga xhaxhai i tij, ai do të kthehet në Kroaci pasi të shlyejë dënimin, ashtu si tre anëtarë të tjerë të familjes Alpacino Petroviç, Django dhe Stefano Levakoviç – të gjithë pas hekurave në burgjet daneze për vjedhje, dhunë dhe përdhunim.

Intervista me Jura Levakoviç ishte pjesë e një dokumentari të njohur të TV2 të quajtur “Bosi Cigan dhe familja e tij famëkeqe”, që ka ngjallur së fundmi interes të madh për familjen Levakoviç.

Bosi Cigan është personazhi kryesor dhe dokumentari e portretizon atë që nga fëmijëria në vitet 1972 kur familja e tij mbërriti në Danimarkë.

“Familja Levakoviç u vendos në Danimarkë, mori një shtëpi dhe një makinë – por kurrë vende pune”, thotë zëri i dokumentarit me dy pjesë të publikuar në janar të këtij viti.

“Për mbi 40 vjet familja Levakoviç ka qenë në Danimarkë dhe pak nga 45 anëtarët e saj kanë psur ndonjëherë një punë, por kanë jetuar me ndihmë sociale nga danezët,” thuhej në të.

Gimi Levakoviç doli në titujt kryesor të lajmeve dhe u bë i njohur kombëtarisht pas dokumentarit kur ai u shfaq si një “bos” i vetëshpallur i rreth 10,000 romëve në Danimarkë, shumë prej të cilëve kanë ardhur në vitet ’60 dhe ’70 nga republikat e ish-Jugosllavisë.

Në vitin 2011, Levakoviç u burgos me dy vjet se shtypi ish të dashurën shtatzënë me të cilën kishte jetuar për 20 vjet.

Gruaja dhe fëmija i saj i palindur i mbijetuan sulmit, që sipas dëshmitarëve e hodhi atë në ajër dhe më pas në një grup biçikletash.

Në të njëjtin rast, djali i tyre atëherë 17-vjeçar, Santiano, duke konspiruar me të atin, u dënua për kërcënime vdekjeje ndaj të ëmës.

Që kur ishte 18 vjeç, Gimi Levakoviç është dënuar 26 herë dhe në rekordet e tij mes të tjerash ka dhunë, hajdutëri dhe shantazh.

Por në tetor të këtij viti ai ngeci në sistemin e drejtësisë daneze dhe në syrin e publikut.

Një vendim nga Gjykata e Lartë Lindore që e dënoi Levakoviçin me 18 muaj burg, por zgjodhi të mos e dëbonte atë në Kroaci shkaktoi një zemëratë kombëtare nga politikanët dhe publiku danez dhe e çoi Gimin përpara Gjykatës Supreme.

Rasti përfshin akuza për posedim të një pistolete Ëalter P38 dhe kërcënimeve me vdekje në një festë në qytetin juglindor të Næstved  në Danimarkë.

Ministri danez i drejtësisë, në një lëvizje të pazakontë, ndjeu nevojën të ndërhyjë dhe të nxisë sistemin e drëjtësisë ta çojë çështjen në Gjykatën Supreme.

“Është një çështje që shqetëson shumë danezë,” tha ministri Søren Pind, nga partia e qendrës së djathtë në qeveri për televizionin publik DR, më 7 tetor.

“Është një çështje që është tipike e diskutimit rreth ligjit danez dhe detyrimeve tona ndërkombëtare dhe simbolizon diskutimi rreth kriminelëve të huaj përballë vigjilencës sonë të ligjit”, shtoi ministri.

Ndërhyrja nga ministri erdhi pasi një vendim dëbimi nga një gjykatë e distriktit u hodh poshtë nga një nivel më i lartë.

Gjykata e Lartë Lindore vendosi që nëse Gimi Levakoviç do të dëbohej në Kroaci kjo shkelte Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Ndarja e Levakoviç nga dy fëmijët e tij që kanë shtetësi daneze dhe për të cilët ai ka kujdestarinë e vetme do të shkelte ligjet ndërkombëtare të Danimarkës, vendosi gjykata në vendimin që ndau panelin e gjyqtarëve tre pro dhe tre kundër.

“Ai ka qenë këtu për shumë vite,” tha avokati i Levakoviç, Bjorn Elmquist pas vendimit.

Ta dëbojnë apo jo? Kjo ka qenë çështja. Dhe për të qëndruar në terminologjinë Shekspiriane, shumë shtetas danezë e shohin si te rrënjët e shtetit të Danimarkës faktin se Levakoviç ia ka hedhur dëbimit.

Disa grupe në Facebook, si Të dëbohet Levakoviç nga Danimarka dhe Flakeni familjen Levakoviç nga Danimarka, i janë përkushtuar zhvillimeve të fundit të çështjes.

Shumë danezë kanë kanë filluar të lënë komente për largimin e tij dhe për paaftësinë në këtë rast të sistemit ligjor danez.

“Sistemi ka dështuar me këtë vendim,” shkroi Jakob Rex Mikkelsen, një nga më shumë se 10,000 komentuesit në median sociale.

Çështja Levakoviç vjen në një kohë kur imigrimi dhe integrimi janë një çështje e nxehtë me qindra mijëra refugjatë që vijnë në Europën veriore dhe perëndimore, duke përdorur rrugën e Ballkanit, Maqedoni, Serbi, Kroaci dhe tani Slloveni.

Abuzimi i dyshuar i familjes Levakoviç me sistemin e mirëqenies gjithashtu ka nxitur reagime të ashpra nga publiku danez.

“Nuk kam parë dikë me asistencë sociale që është i rrethuar nga markat e shtrenjta, Jaguar-i, BMW, Hugo Boss dhe pellushët,” shkroi Peer Christensen.

Politikanët gjithashtu kanë dënuar aktivitetin politik të familjes rome.

“Po i bashkohem politikanëve të zemërur,” tha zëvënësi i partisë Venstre, Inger Stojberg në një intervistë për TV2. “Shoqëria jonë po vihet në lojë me paratë tona”.

Levakoviç raportohet të ketë qarë nga gëzimi kur Gjykata e Lartë Lindore e përmbysi vendimin për dëbim. Ai nuk ka komentuar për vendimin apo për rastin në Gjykatën Supreme.

“Na quajnë mafia, gangsterë dhe familje prej Kumbari, por unë shpresoj që ju të më shihni si një qenie njerëzore e ndershme,” tha Levakoviç në dokumentarin televiziv ku pranoi se trajektoria kriminale e familjes së tij duhet të marrë fund. “Fëmijët e mi nuk duhet të përfundojnë në burg, duhet të marrë fund,” tha ai.

Miratimi formal që duhet për ta çuar çështjen në Gjykatën Supreme është ende në pritje.

Por duke marrë parasysh zemërimin kombëtar dhe presionin nga ministri i drejtësisë dhe rekomandimet nga zyra e prokurorit kombëtar, kjo llogaritet si formalitet procedurial.

Kur miratimi të jepet, Gjykata Supreme do të vendosë nëse krimet e Gimi Levakoviç e kalojnë faktin se ka famijë në Danimarkë, tha për agjencinë e lajmeve Ritzau’s Bureau, profesoresha e ligjit Eva Smith.

Nuk është çudi për të që zyra e prokurorit kombëtar – pasi u nxit nga ministri i drejtësisë që ta çojë çështjen në nivelin më të lartë – do ta gjykojë çështjen përpara Gjykatës së Lartë.

“Që nga fillimi ata kanë dashur ta dëbojnë,” tha profesoresha.

 

Marrë nga reporter.al