Fusnota si Zhbërëse e Aktit Themelues

Kur u pranua fusnota si modus vivendi për përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës, nga Qeveria na u quajt fitore fakti që karshi Rezolutës 1244 do të përmendej edhe mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) nga korriku i vitit 2010, i cili mendim, siç raportoi Koha Ditore këto ditë, akoma nuk është përkthyer zyrtarisht në shqip. Argumenti që presupozohej i saktë nga kjo logjikë është ai që thotë se mendimi i GJND-së afirmon legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës dhe si i tillë duke u përmendur përbri Rezolutës 1244 do të anulojë çfarëdo efekti kontestues karshi faktit të pavarësisë që kjo e fundit mund të prodhojë për shkak të lënies hapur të çështjes së zgjidhjes të statusit përfundimtar të Kosovës, sidomos rekomandimit që bëhet në këtë të fundit që kjo zgjidhje të jetë në përputhje me Marrëveshjen e Rambujesë që Kosovën e lë nën sovranitetin e Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë. Por a është në fakt marrëdhënia mes këtyre dy dokumenteve ndërkombëtare kundërpeshuese, siç presupozohej nga ky argument, karshi faktit të pavarësimit të Kosovës të krijuar më 17 shkurt 2008? Nëse është kundërpeshuese, a bëhet fjalë për kundërpeshim mes forcash të barabarta, pra të atillë që rezultatin e lë baras me zero? Nëse nuk është kundërpeshuese (antagonizëm mes të forcash të barabarta), çfarë është marrëdhënia mes Rezolutës 1244 dhe Mendimit Këshillëdhënës të GJND-së vis-à-vis Deklaratës së Pavarësisë? Reciprokisht përforcuese? Konsensuale? Pajtim unanim (pa mbetje)? Apo çfarë?

Sigurisht që nuk na duhet kurrëfarë marrje në pyetje e kësaj marrëdhënieje për të pohuar që fusnota përbën një kompromis të dëmshëm në raport me përpjekjen e Kosovës për të njëmendësuar Deklaratën e Pavarësisë. Fusnota është një ndajshtim i imponuar nga shteti armik i Serbisë që e ka zëvendësuar cilësorin Republikë dhe kjo mjafton për ta quajtur atë një zhvillim regresiv. Por, megjithatë, duke mos e marrë në pyetje çështjen e marrëdhënies mes këtyre dy dokumenteve ndërkombëtare në raport me pavarësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, kemi lënë të pamposhtur presupozimin qeveritar dhe me këtë rast i kemi lënë ta paprekura edhe të gjitha argumentet proqeveritare — të shqiptuara nëpër media nga korrierët e kryeministrit Thaçit — që do të na bindnin se shqetësimi popullor me rastin e pranimit të fusnotës në fakt nuk ishte më shumë se “shumë zhurmë për asgjë”.

Po të lexojmë me kujdes afro 50 faqet e mendimit këshillëdhënës të GJND-së do të vërejmë që e vërteta është pikërisht e kundërta e presupozimit të negociatorëve dështakë qeveritarë. Më e dhimbshmja që mësohet pas leximit të këtij mendimi është që me pranimin e fusnotës Qeveria Thaçi në fakt ka tradhtuar edhe aspektin më progresiv të mendimit të GJND-së. Pse themi kështu? Aspekti më progresiv i mendimit të GJND-së është njohja që kjo gjykatë i bëri kapacitetit themelues të aktit të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë. Për më tepër, ishte pikërisht kjo njohje e karakterit themelues — fakti që me Deklaratën e Pavarësisë iu vu themeli diçkaje të re që nuk ekzistonte para shpalljes së saj, pra Republikës së pavarur të Kosovës — që përbënte edhe argumentin kryesor që bëri kjo Gjykatë për të konkluduar që nuk kishte ndonjë mospërputhje mes ligjit ndërkombëtar dhe Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Më saktë, Gjykata vëren disa karakteristika dalluese që seancën e shpalljes së pavarësisë e bënin një seancë të jashtëzakonshme themeluese. Së pari është fakti që askund në versionin autentik të Deklaratës së Pavarësisë (versioni shqip) nuk thuhet që kjo deklaratë është vepër e Kuvendit të Kosovës të kuptuar si Institucion i Përkohshëm i Vetëqeverisjes (emri zyrtar i institucioneve të Kosovës nën sundimin e UNMIK-ut) i rregulluar dhe kufizuar nga Korniza Kushtetuese e Kosovës; Kuvendi i Kosovës nuk figuron as si mbishkrim në krye të Deklaratës (siç bëhet rëndom me dokumente që lëshohen nga Kuvendi), gjë që, në fakt, nuk është rasti me versionin anglisht dhe frëngjisht të Deklaratës (këto versione kanë mbishkrimin “Assembly of Kosovo”, respektivisht “Assemblée du Kosovo”). Ky fakt ishte argumenti kryesor i Gjykatës për të konkluduar që, në fakt, autorët e Deklaratës së Pavarësisë nuk ishin Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes (IPVQ/PISG); ato ishin tejkaluar si të pamjaftueshme që në fjalinë e parë të deklaratës “Ne të zgjedhurit demokratikë të popullit shpallim me këtë rast Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”. Duke bërë këtë shpallje, përfaqësuesit e popullit kishin themeluar në çast diçka të re që nuk ekzistonte para kësaj shpalljeje — shtetin e pavarur të Kosovës — me ç’rast edhe vetë këta përfaqësues ishin vetë-transformuar në subjekte të reja që kishin tejkaluar Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes, Kornizën Kushtetuese të Kosovës si dhe vetë Rezolutën 1244. Në vend të vetes së tretë njëjës, që është veta e adoptuar rëndom nga dokumente të Kuvendit, këtu kishim një vetë-identifikim në vetën e parë shumës (“Ne”). Të tjera karakteristika dalluese që e bënin seancën e shpalljes së pavarësisë një seancë të jashtëzakonshme dhe që Gjykata i konsideron të rëndësishme në mbërritjen tek përfundimet e veta ishin edhe fakti që Deklarata e Pavarësisë nuk u dërgua për botim tek Gazeta Zyrtare; fakti që nuk reagoi shefi i UNMIK-ut; si dhe natyra e procedurës së ndjekur për miratim — fakti që u nënshkrua nga të gjithë të pranishmit, përfshirë dhe Presidentin e vendit, i cili nuk është anëtar i Kuvendit.

Ky tejkalim i Rezolutës 1244 nga akti themelues i Deklaratës së Pavrësisë nuk kishte qenë i natyrës anuluese sepse kjo Rezolutë mund të anulohet vetëm nga organi miratues, që është Këshilli i Sigurimit, por i natyrës së përmbushjes së suksesshme të misionit të saj. Duke e pranuar Rezolutën 1244 si ligj ndërkombëtar special (lex specialis) në fuqi, Gjykata gjeti që Deklarata e Pavarësisë, e cila vinte vetëm pas konsumimit të mundësisë së një marrëveshjeje politike mes palëve të interesuara (që e kërkonte eksplicisht Rezoluta 1244), Kosovës dhe Serbisë, e përmbyllte misionin e kësaj rezolute duke e përmbushur rrugën që kjo kishte kërkuar të ndjekej. Prandaj, kjo përmbushje, ndonëse jo formalisht, efektivisht e anulon arsyen legjitimuese për vazhdimin e zbatimit të Rezolutës 1244, që kishte qenë administrimi i përkohshëm i Kosovës deri në një të ardhme kur do të piqeshin kushtet për përcaktimin e statusit të saj përfundimtar. Kjo megjithatë nuk do të thotë që Rezoluta 1244 nuk vazhdon të përbëjë ligj ndërkombëtar relevant sa herë që do të flitet për Kosovën. E tëra që mendimi i GJND-së sugjeron është që Rezoluta 1244 nuk e ndalon shpalljen e pavarësisë sepse kjo shpallje vjen si përfundim i respektimit me përpikëri të hapave të përshkruar në atë rezolutë.

Nëse kjo është gjetja kryesore dhe më progresive e mendimit këshillëdhënës të Gjykatës, pse të mos i japim të drejtë argumentit qeveritar në lidhje me fusnotën atëherë? Pra, nëse sipas mendimit të Gjykatës akti i shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë ka pensionuar efektivisht Rezolutën 1244 si sunduese të gjendjes në terren në Kosovë, a nuk po i bie që duke e vendosur këtë mendim përbri Rezolutës 1244 fusnota e pranuar nga Qeveria Thaci është vetë-neutralizuar, duke mos lënë ndonjë efekt të dëmshëm për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës si shtet i pavarur? Dreqi, megjithatë, fshihet në detaje. Tre janë arsyet pse duhet ta kontestojmë këtë lexim të ngutur qeveritar.

Së pari, vështruar formalisht, Rezoluta 1244 dhe Mendimi Këshillëdhënës i GJND-së nuk janë dokumente të barabarta. E para është një Rezolutë e miratuar nga Këshilli i Sigurimit e cila mbetet në fuqi dhe relevante për çdo çështje që lidhet me Kosovën. Këtë e dëshmon edhe vetë mendimi i GJND-së. Në arritjen e përfundimeve të veta kjo Gjykatë e merr Rezolutën 1244, bashkë me Kornizën Kushtetuese që derivon nga kjo, si ligj ndërkombëtar relevant, i kategorizuar si ligj special (lex specialis). Duke u nisur nga kjo, Gjykata gjen që Deklarata e Pavarësisë nuk është në mospërputhje me ligjin ndërkombëtar. Legjitimiteti i Rezolutës 1244 nuk kontestohet asnjëherë; ajo që merret në pyetje është ligjshmëria e Deklaratës së Pavarësisë, pra përputhshmëria e saj me ato që dikton Rezoluta 1244. Mendimi i GJND-së, në anën tjetër, nuk e gëzon të njëjtin status — ai nuk përbën ligj ndërkombëtar; ky është vetëm një mendim këshillëdhënës që nuk rekomandon e as obligon dikë për diçka.

Së dyti, në nivel përmbajtje, mendimi i GJND-së është krejt agnostik për sa i përket çështjeve më të rëndësishme për interesin tonë politik, siç janë: 1) a është krijuar shteti i Kosovës si pasojë e Deklaratës së Pavarësisë, 2) a është rasti i shkëputjes së Kosovës nga Serbia rast dekolonizimi, gjë që do t’i jepte Kosovës të drejtën e ushtrimit të vetëvendosjes të njohur nga ligji i përgjithshëm ndërkombëtar, dhe 3) a është Kosova rast i shkëputjes zhdëmtuese (remedial secession), gjë që po ashtu do t’i jepte popullit të Kosovës të drejtë ligjore për ushtrim të së drejtës për vetëvendosje. Gjykata i konsideron të tria këto çështje si pyetje që bien jashtë kufijve të pyetjes për të cilën është thirrur për t’u përgjigjur. Për këtë arsye ajo insiston që konkluzioni i vet — pra, që ligji ndërkombëtar nuk përmban ndonjë ndalim për aktet si shpallja e pavarësisë së Kosovës — të mos lexohet si afirmim i të drejtës së Kosovës për shkëputje normative, pra si afirmim i të drejtës popullore për vetëvendosje. Në fakt, siç nuk harron të theksoj Gjykata, një akt i shpalljes së pavarësisë mund të mos shkel ligjin ndërkombëtar dhe përsëri të mos jetë ushtrim i një të drejte të normuar me ligj ndërkombëtar. Prandaj, t’i gëzoheshim ashtu siç iu gëzuam këtij mendimi do të kishte kuptim vetëm nëse Gjykata do të kishte konkluduar diçka pozitive edhe në lidhje me të drejtën tonë kolektive për vetëvendosje.

Së treti, dhe në nivel më politik, aty ku fundja ligji ndërkombëtar formësohet përmes praktikës së më të fortit (ajo që quhet ligj zakonor ndërkombëtar), duke pranuar fusnotën Qeveria negociatore Thaçi jo vetëm që nuk e ka neutralizuar rezolutën 1244, por e ka rikthyer atë në skenë me akt sovran duke e zhbërë kështu edhe momentin më progresiv në mendimin e GJND-së — njohjen nga ky mendim të karakterit themelues të aktit sovran të 17 Shkurtit 2008. Me fjalë të tjera, atë që shpallja e pavarësisë e pensionoi duke e përmbushur (Rezolutën 1244), Qeveria Thaçi e riaktivizoi si ndajshtim cilësues në përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës. Kur ia shton kësaj edhe kontekstin e procesit negociator që vazhdon mes Qeverisë Thaçi dhe Serbisë, në ç’kontekst edhe u bë koncesioni në lidhje me fusnotën, rezoluta 1244 rilegjitimohet efektivisht si dokument misioni i së cilit është akoma i papërfunduar. Kjo i bie që Qeveria Thaçi po zhbën vetë karakterin më emancipues të Deklaratës së Pavarësisë, që e njohu edhe GJND-ja, dhe me këtë rast po krijon fakte politike të reja anti-pavarësi që nesër do të mund të përdoren në një dhomë gjyqi ndërkombëtar si evidencë e mospërfundimit të procesit negociator për statusin përfundimtar të vendit. Ashtu siç shpallja e Deklaratës së Pavarësisë themeloi një subjekt të ri, pranimi i fusnotës me Rezolutën 1244 në të e problematizon radikalisht statusin e atij subjekti duke vënë në pyetje vetë Republikën, fjalën dhe statusin normativ që e inauguroi Deklarata e Pavarësisë.

Ashtu siç Deklarata e Pavarësisë u arrit me negociata, ashtu edhe po zhbëhet po me negociata. Negociatat nuk mund të tregojnë respekt për të vërtetën emancipuese — aktin themelues që shënoi Deklarata e Pavarësisë — sepse nuk është në natyrën e tyre të jenë besnike ndaj parimeve. Pa besnikërinë subjektivizuese popullore ndaj aktit emancipues, që do të mund të prodhohej vetëm përmes një referendumi popullor, Qeveria Thaçi po e gjen shumë të lehtë të zhbëjë momentin emancipues që përmban Deklarata e Pavarësisë. Ndërsa Serbia po punon me zell të kthejë humbjet në fitore, Qeveria Thaçi që prej 17 shkurtit 2008 është duke vrapuar në drejtim të kthimit të fitoreve në humbje. Po duket sikur Deklarata e Pavarësisë paska qenë thjeshtë një rrethanë arsyetuese për këtë qeveri për të bërë koncesione që mbase nuk do të mund t’i bënte më përpara, në vend se të ishte pikënisje për njëmendësimin e shtetësisë së deklaruar në të. Kur edhe GJND-ja ka qëndrim më besnik karshi aktit emancipues të përmbajtur në Deklaratën e Pavarësisë sesa Qeveria Thaçi mund ta marrim me mend se sa përfaqësuese është kjo qeveri. Në vend se të sillet si qeveri shtetërore, ajo po sillet tamam si Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes nën UNMIK, të cilat kryeministri Thaçi po kujdeset të na i rigjallërojë nga varreza ku Deklarata e Pavarësisë supozohej t’i kishte dërguar.