Transmetues Paqëndrueshmërie

Që kur ishte paralajmëruar ndërprerja e mbledhjes së pagesës prej tri eurosh për RTK’në përmes KEK’ut, në vitin 2007, Raporti i Progresit që përpilohet nga Komisioni Europian kishte alarmuar për rrezikun që po i kanosej transmetuesit publik.

Për çdo vit raporti do të evidentonte financimin shtetëror RTK’së si problematik, do të tregonte se qëndrueshmëria financiare nuk është duke u vendosur, se si ky insitucion në vitin 2010 ishte pranë bankrotimit dhe, së fundmi, se si pavarësia editorale e tij kishte pësuar nga kjo mënyrë e financimit.

Pas pesë vitesh që kur rekomandohej që transmetuesi publik të rregullohet juridikisht, projektiligji për të ia doli të zinte vend në agjendën legjislative të Qeverisë. Në pjesën e parë të këtij viti, u përcoll në Komisionin Parlamentar për Media në të cilën ekspertët e kësaj lëmie u siguruan që projektligji të përmirësohej në atë mënyrë që të mbulonte gjerësisht por jo të gjitha fushat që duhej rregulluar, me qëndrueshmërinë financiare në krye të tyre ndonëse ishte promovar si qëllimi kryesor i kësaj nisme.

Brishtësia financiare e transmetuesit publik – institucion që pritet të sigurojë komunkim objektiv publik në  vend – vlerësohet si aryesja kryesore e varësisë potenciale editoriale të tij. Në vend të gjetjes së mënyrave të pavarura të financimit, edhe projektligji i ri parasheh një periudhë tranzitore trivjeçare gjatë së cilës RTK’ja do të financohet nga buxheti i Kosovës. Përfundimisht është propozuar edhe shuma prej 0,9 përqind e buxhetit që do t’i kalonte çdo vit llogarisë së televizionit publik.

Sipas pritjeve nga projektligji, Kuvendi i Kosovës fillimisht do të vendoste shumën e mjeteve të RTK’së, ndërsa pagesat do të ekzekutoheshin vetëm pasi t’i vuloste Ministria e Financave.

Deputetët kishin propozuar fillimisht një shumë prej 0,7 për qind të buxhetit 1,5 miliardësh të Kosovës për transmetuesin. Kur disa përfaqësues të kompanive mediale në Kosovë kanë kërkuar të dinë nga deputetët e angazhuar në këtë projekt se si kishin ardhur deri tek ky rekomandim, atyre u është thënë nga anëtarët e Parlamentit se nuk duan të japin sqarime pasi që nuk ndihen të obliguar t’u shpjegojnë asgjë të gjithë atyre që nuk bëjnë pjesë në elektoratin e vet. Auditori i Përgjithshëm i Kosovës vlerësonte këtë vit se njëra ndër sfidat më të mëdha të vendit është rritja e kualitetit të shpenzimit të financave, por transparenca mungon edhe kur bëhet fjalë për institucionet të cilat duhet të jenë promovues të saj. 

Pastaj erdhi rekomandimi i menaxhmentit të RTK’së. I pambështetur me ndonjë arsyetim të qëndrueshëm financiar, rekomandimi kërkonte që në vend të 0,7 përqind të buxhetit, kjo shumë të rritej në 0,9.  Ky menaxhment nuk ka gjurmuar mundësitë e financimeve të pavarura duke mos shprehur kështu as vet gatishmëri për të ndryshuar gjendjen e transmetuesit publik.

Grupe të ndryshme të interesit shtynë ndryshime të pjesshme të ligjit, varësisht nga interesat e tyre, por komisioni ka penguar pjesëmarrjen e disa organizatave të njohura të shoqërisë civile në grupin punues i cili mblidhej për të shikuar propozimet për ndryshime.

Organizata jo qeveritare GAP, përmes analizës së saj për qëndrueshmërinë financiare të RTK’së, ka ofruar alternativa konkrete për financimin e transmetuesit publik, të cilat duhej të merreshin parasysh nga komisioni. Është rekomanduar që periudha tranzitore të mos jetë prej tri vitesh, por prej një viti, deri në fillimin e parapagimit. Ky rekomandim ishte bazuar në arsyetimin që financimi direkt nga shteti veç ka vënë në mëdyshje pavarësinë e RTK’së, dhe parapagimi duhet të fillojë saktësisht pas një viti. Tutje, GAP ka rekomanduar që mbledhja e pagesës të bëhet përmes regjistrimit të veturave, me ç’rast të gjithë qytetarët që regjistrojnë vetura do të obligoheshin që të paguajnë një shumë të caktuar për transmetuesin publik.

Alternativat nuk u morën parasysh përkundër se disa deputetë thanë se e kishin të qartë se kritikat e Komisionit Europian kishin për të pasuar në vitet e ardhshme. Pritja që trasnmetuesi publik në këto kushte do të mund të ishte i pavaruar editorialisht nga partitë politike që kanë shumicën në Kuvend dhe të cilat qeverisin me vendin, mund të jetë vetëm një ironi e hapur me pasoja të rënda për paanshmërinë dhe pavarësinë e tij. Dhe duke marrë parasysh se Kosova është një treg i vogël me probleme të shumta të konkurrencës së lirë, do të jetë shëndeti publik që do të pësojë në fund pasi ai ndërlidhet ngushtë me gazetarinë objektive.

Se pushteti aktual nuk është i interesuar për zhvillimin e transmetuesit publik por më shumë në kontrollimin e tij, u pa edhe me tendencën e hapur të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës të përjashtojnë nga RTK’ja, e cila nuk njihet si një platformë që ofron gazetari hulumtuese, emisionet që ajo i kontrakton nga jashtë. Ata kishin shtyrë një propozim dredharak për amendamentim që pamundësonte emisionet si “Jeta në Kosovë”, “Drejtësia në Kosvovë”, “Pa Rrotlla” etj., të transmetoheshin edhe më tej në RTK. Në fund, për shkak të debateve që propozimi nxiti,  deputetët u tërhoqën por ngjarja shërbeu vetëm për të forcuar bindjen e bazuar se PDK përkujdeset vazhdimisht për cenzurimin e gazetarisë hulumtuese dhe kritikën e punës së saj në Qeveri.  

Gjatë tërë kësaj beteje për mbijetesën e transmetuesit publik si institucion i pavarur financiarisht dhe i pasur për nga programet, është vërejtur mungesa e përkushtimit dhe angazhimit më gjithëpërfshirës dhe të koordinuar të të zgjedhurve të popullit që të mobilizohen për shtyrjen e ndryshimeve të qëndrueshme perms projektligjit për transmetimin publik, duke nxitur kështu konformitetin me gjendjen e tashme. Qëllimet zhvillimore kërkojnë kreativitet dhe guxim, por ato duken kërkesa shumë të mëdha që të zbatohen nga deputetët e kësaj legjislature. Në këtë linjë, do të kishte qenë ndihmuese sikur edhe vet shoqëria civile të organizaohej dhe të krijonte konsensus për rrugën që duhet mbështetur dhe të merrte pjesë më aktivisht në vendimmarrje.

Koha për ndryshimin e transmetuesit publik po ikë. Nëse kërkohet forcimi i tij, ligjet nuk duhet të kalohen pa i kuptuar e diskutuar mirë dhe sidomos pa analizuar racionalisht rreziqet për të ardhmen e RTK’së.