Dita e Mirë e Obligimit

Qytetarët e Kosovës iu përgjigjen kënaqshëm obligimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në komuna më 3 nëntor. Përveç përqindjes më të mirë të votuesve se në zgjedhjet e kaluara, padyshim më i kënaqshëm ishte roli i shtetit gjithashtu për të mbrojtur votën e qytetarëve, votë kjo e përcaktuar  me kushtetutën e vendit për të gjithë ata që kanë mbushur moshën 18 vjeç.

Në zgjedhjet parlamentare më 2010 votuan rreth 40 përqind e qytetarëve ndërsa sivjet Komisioni Qëndror Zgjedhor njoftoi se më 3 nëntor votuan mbi 47 përqind e qytetarëve.

Gjithashtu kësaj here nuk kishte kritika për dalje në votime në masën prej “120%”, siç ndodhi në zgjedhjet parlamentare të 12 nëntorit të vitit 2010. Lideri i opozitës Isa Mustafa akuzonte më 2010 se në Skënderaj, bastion i PDK-së në pushtet, ishte votuar në atë masë. Ish-amabasadori amerikan në Kosovë Christoper Dell kishte vizituar Skënderajn më 2010 në ditën e votimeve. “Unë për herë parë isha si vëzhgues në këto zgjedhje. Ajo çfarë pashë me sytë e mi ishte e papranueshme për mua. Nuk mundet dikush tjetër të votojë në emër të dikujt tjetër”, kishte thënë ish ambasadori Amerikan në Kosovë Christopher Dell për emisionin Jeta në Kosovë në dhjetor të vitit 2010.

Në zgjedhjet e reja të 3 nentorit, ambasadorë të Norvegjisë, Britanisë, Holandës etj, u deklaruan për një proces të qetë dhe pa probleme.

Kësaj herë nuk kishte as komuna që do të dalin përsëri në rivotim për shkak të keqpërdorimeve, ashtu siç kishte ndodhur në zgjedhjet e vitit 2010 me komunën e Deçanit, Drenasit, Skenderajt dhe Mitrovicës dhe disa qendra votimi në Lipjan dhe Malishevë.

Gjithashtu nuk kishte as rreth 1 mijë e 500 persona të përfshirë në keqpërdorime të zgjedhjeve siç ndodhi më 2010. Ishin vetëm rreth 40 raste të tilla.

Atmosfera zgjedhore përshkoi ditën e zgjedhjeve në pjesën më të madhe të vendit.

Aktivizimi i organeve përgjegjëse për të siguruar zgjedhje normale, si memorandumi i bashkëpunimit, veprimet konkrete të policisë dhe prokurorisë, ka dëshmuar se proceset janë të varura po nga institucionet shtetërore, të thirrura dhe përgjegjëse për mbarëvajtjen e proceseve shtetërore, ndër to edhe atë të zgjedhjeve.

Problemet e shumta nga zgjedhjet e kaluara, kanë bërë që shteti të ndërmarrë masat e nevojshme për të parandaluar përsëritjen e problemeve të njëjta dhe shkeljeve në procesin votues, me ç’rast 3 nëntori tregoi një atmosferë ndryshe nga ato të zgjedhjeve të fundit të mbajtura në Kosovë.

Rreth 1 mijë 460 persona më pak të përfshirë në hetimet për keqpërdorimet e këtyre zgjedhjeve, asnjë komunë në rivotim, me pasoja jo si në zgjedhjet e kaluara të ankesave të procesit votues, ishin karakteristikat që përshkuan këto zgjedhje. Kjo dëshmon për rolin e padiskutueshëm të shtetit dhe organeve përgjegjëse në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Policia si përgjegjëse për të siguruar rendin, qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve, prokuroria si ndjekëse për kryerësit eventualë të shkeljeve dhe gjykatësit, përgjegjës për të vendosur në lidhje me shkeljet, kësaj herë treguan vullnetin për një proces të mbarëvajtshëm, që u dëshmua edhe në ditën e zgjedhjeve.

Vullnetit dhe përgjegjësisë së këtyre institucioneve, fillimisht i parapriu memorandumi  i bashkëpunimit për zgjedhjet 2013, i nënshkruar me 18 shtator të këtij viti nga Prokuroria e Kosovës, Policia, Këshilli Gjyqësor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Qëllimi i tij ishte ngritja e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve të lartpërmendura për të parandaluar abuzimin me votat dhe keqpërdorimet tjera që ndërlidhen me procesin votues para dhe gjatë ditës së votimit.

Përveç fushatave të shumta vetëdijësuese që paralajmëronin përgjegjësinë për shkelësit, nuk munguan edhe veprimet konkrete për shkelësit eventual. Vetëm gjatë fushatës parazgjedhore, ishin 30 raste të iniciuara nga policia në drejtim të prokurorisë, 14 prej të cilave kishin të bëjnë me veprat penale të kanosjes, cenimit të së drejtës së kandidatëve etj.

50 prokurorët kujdestarë, të shpërndarë në secilin qytet në Kosovë, ishin aktivë edhe gjatë ditës së zgjedhjeve. Nuk munguan rastet kur vet prokurorët ishin prezentë në qendrat e votimit, për të hetuar rreth keqpërdorimeve eventuale.

Në qendrën e votimit numër 0103C në fshatin Gramaqel të komunës së Deçanit, ekipi i ynë Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese në Kosovë vëzhgonte votimet derisa prokuroria ishte duke intervistuar menaxherin e qendrës rreth hetimit për shkeljen eventuale nga një votues, i  cili njëkohësisht ishte edhe Drejtor i Drejtoratit Komunal të Arsimit në Deçan.

Arsyeja e intervistimit ishte tendenca e këtij zyrtari komunal për të penguar procesin zgjedhor përmes insistimit të tij për të lejuar një votues të votonte, edhe pse pa dokumentet e nevojshme.

Prokuroria është duke proceduar me rastin dhe nëse do të konsiderohet rast penal, do ngritë akuzë sipas prokurores së këtij rasti Valbona Haxhosaj.

Pra, prezenca e policisë dhe prokurorisë në procesin votues, konkretisht edhe në këtë qendër votuese, kishte parandaluar gjithashtu keqpërdorimet tjera eventuale, e cila nga qytetarët, vëzhguesit dhe vet anëtarët e këshillave të vendvotimeve, konsiderohej e përgjegjshme dhe në mbrojtje të procesit të votimit.

Raporti i prokurorisë tregon se për veprimet e tyre në ditën e zgjedhjeve, do të japin përgjegjësi rreth 40 persona. Tetë prej tyre janë zyrtarë, tre komisionerë, dy menaxherë shkollash dhe tre vëzhgues. Në bazë të Kodit Penal të Kosovës, këta persona rrezikojnë dënimin deri në 5 vjet burg.

Prokuroria është duke proceduar më këto raste ndërsa do të bëhet hetimi edhe për keqpërdoruesit eventual për votimin për të vdekurit. Kjo do të bëhet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Hetime kanë filluar edhe për mungesën e vulave në Prizren dhe Suharekë.

Ndryshe nga këto të fundit, zgjedhjet e vitit 2010, kishin nxjerrë në pah keqpërdorime të shumta, nga të cilat kishin rezultuar 232 aktakuza me mbi 1500 persona të akuzuar.

Në bazë të statistikave të fundit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të vitit 2012, për 232 aktakuzat (232 lëndë), ishin zgjedhur 97 lëndë, duke pritur zgjedhjen edhe 135 lëndë tjera në vitin 2013. Për 97 lëndët e zgjidhura, 30 kishin përfunduar me dënim me burg, 35 me gjobë, 19 me kusht, 5 lëndë me aktgjykim lirues dhe 4 me aktgjykim refuzues.

Nëse krahasojmë këto dy procese, atë të vitit 2010 dhe këtë në 2013, vërejmë faktin që në këto zgjedhje ka rreth 1,460 persona më pak të përfshirë në keqpërdorimet e zgjedhjeve. Kjo dëshmon për rolin e padiskutueshëm të shtetit dhe organeve përgjegjëse në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Mirëpo 3 nëntori nuk u përmbyll kënaqshëm në tërë territorin e republikës. Do të ishte procesi i kompletuar nëse në Veriun e Mitrovicës, zgjedhjet do kishin shkuar pa eksese sikurse në pjesën më të madhe të vendit. Vlen të përmendët fakti se zgjedhjet kësaj here u organizuan edhe në veri të vendit, mirëpo procesi nuk shkoi normalisht.

Përveç pengimit të procesit zgjedhor, në atë pjesë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që në tre qendra votuese në veriun e Mitrovicës, të votohet sërish, ndërsa numërimi për qendrat tjera votuese të veriut, të bëhet sërish në prani të anëtarëve të Komisioneve Komunale Zgjedhore.

Zgjedhjet e 3 nëntorit, dëshmuan përgjegjësinë e institucioneve për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, mirëpo fatkeqësisht krijohet përshtypja se vullneti i tillë është i determinuar nga vullneti politik i krerëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Catherine Ashton paralajmëroi Kosovën për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve. “Zgjedhjet e 3 nëntorit janë një moment i rëndësishëm i së ardhmes së Kosovës dhe janë një element i rëndësishëm në zbatimin e marrëveshjes së prillit dhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, kishte thënë Ashton.

Ashton kishte inkurajuar edhe dy liderët e bisedimeve që të adresojnë çfarëdo sfide të mbetur rreth zgjedhjeve, duke shtuar se “vetëm pak ditë pas hapjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit – BE-ja pret nga Kosova zgjedhje të lira dhe të drejta”.

Nga kjo mund të konkludohet në rolin e vullnetit politik për zgjedhje të mbarëvajtshme, i cili vullnet nuk duhej të rrezikohej asnjëherë nga interesat e liderëve politikë.

Në anën tjetër, Policia, Prokuroria, Gjykata, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Paneli për Ankesa dhe Parashtresa, do të duhej të ishin gjithmonë të pavarura në kryerjen e punëve të tyre, duke mos u varur asnjehere nga vullneti politik i liderëve politikë.

Se a do të jetë vullneti i njëjtë edhe në balotazh, mbetët të shihet me 1 dhjetor, kur edhe qytetarët do të vendosin prapë për kandidatët që kanë shkuar në raundin vendimtar në shumicën e komunave të vendit.